Ndërlidhjet

“Shitni alkool ose mbylleni dyqanin” – Rregullat e reja për restorantet hallall në Uzbekistan


Ndonëse restorantet e mbyllura janë nëpër zona të ndryshme të Tashkentit, e përbashkëta e tyre është se nuk shesin alkool, promovojnë biznesin me ushqime hallall dhe kanë dhoma të lutjes për mysafirët.
Ndonëse restorantet e mbyllura janë nëpër zona të ndryshme të Tashkentit, e përbashkëta e tyre është se nuk shesin alkool, promovojnë biznesin me ushqime hallall dhe kanë dhoma të lutjes për mysafirët.

Zyrtarët në Tashkent, kryeqytetin e Uzbekistanit, i kanë mbyllur dyert e dhjetëra restoranteve që nuk shërbejnë alkool, kanë pretenduar pronarë të restoranteve, duke shtuar se atyre u është thënë se mund të rihapen vetëm nëse bizneset e tyre shesin liker.

Ky është vetëm njëri prej vendimeve që janë marrë së fundi, me qëllim të kufizimeve të lirive për myslimanët, pasi Qeveria në këtë vend është e shqetësuar për valën e “radikalizmit fetar” në Uzbekistan.

Shumë pronarë restorantesh i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se të gjitha bizneset e tyre – të identifikuara se kanë ushqim hallall – janë mbyllur këtë muaj, pas disa bastisjeve të papritura të policisë, shërbimeve të sigurisë, zyrtarëve për taksa dhe inspektorëve të ushqimit.

“Specialistët e ushqimit e kanë inspektuar kuzhinën, inspektorët për taksa i kanë analizuar dokumentet", ka thënë një sipërmarrës në Tashkent, teksa e ka komentuar procesin si i është penguar puna në biznesin e tij.

“Zyrtarët e sigurisë e kanë kontrolluar dhomën e lutjeve që e kemi në restorant, e kanë pyetur stafin se çfarë bindje fetare kanë dhe na i kanë kontrolluar edhe telefonat”.

Duke folur në kushte anonimiteti, burri ka thënë se policia dhe shërbimet e sigurisë, nuk e kanë prezantuar asnjë dokumentar zyrtar që e autorizonte bastisjen.

Restoranti më pas është mbyllur “përkohësisht” nga inspektorët e sigurisë ushqimore të cilët – sipas pronarit – kanë dështuar të japin arsye konkrete për mbyllje.

Ky biznesmen ka insistuar se me kujdes i ka respektuar të gjitha rregulloret për siguri ushqimore dhe higjienë, dhe, sipas tij, lokali është gjithmonë i pastruar, dhe që stafi është i veshur gjithmonë me uniforma të bardha dhe të pastra.

Shumë pronarë tjerë biznesesh i kanë treguar Radios Evropa e Lirë përvoja të ngjashme me bastisje të restoranteve dhe kafeneve, që më pas janë mbyllur nga autoritetet.

Ndonëse restorantet e mbyllura janë nëpër zona të ndryshme të Tashkentit, e përbashkëta e tyre është se nuk shesin alkool, promovojnë biznesin me ushqime hallall dhe kanë dhoma të lutjes për mysafirët.

Konsumimi i alkoolit ndalohet në fenë islame, mirëpo konsumimi i tij lejohet brenda Uzbekistanit, shtet sekular me 35 milionë banorë, shumica e të cilëve i takojnë fesë islame.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me zyrtarë në Tashkent për një koment lidhur me këto pretendime, por nuk ka marrë përgjigje.

Akuzat për shtypje të restoranteve që ofrojnë ushqime hallall, kanë ardhur pasi Qeveria uzbeke është kritikuar nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut për “kthim mbrapa” në reforma, dhe në zotimet për t’i përmirësuar liritë fetare.

Duke folur në kushte anonimiteti, për arsye të sigurisë, disa pronarë të restoranteve kanë thënë se bastisjet janë kryer fshehurazi nga zyrtarët.

“Ata vijnë, pretendojnë se janë konsumatorë, për të parë nëse ka dhoma të lutjes, dhe nëse restoranti shërben alkool”, ka thënë një pronar i restorantit.

Biznesmeni beson se “bazuar në të dhëna” gjatë një vizite të tillë “jozyrtare”, autoritetet e kanë bërë një listë të restoranteve që i kanë bastisur.

Të gjithë kanë thënë se restorantet dhe kafenetë që kanë shitur alkool në ato zona, nuk janë bastisur nga zyrtarët.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka verifikuar këtë pretendim.

Ultimatum delikat

Disa ditë pas mbylljes së kafiterisë së tij, pronari ka thënë se është intervistuar nga zyrtarët “kundër terrorizmit” për të diskutuar të ardhmen e biznesit të tij.

Zyrtarët e sigurisë supozohet se e kanë këshilluar që ta marrë licencën për të shitur alkool dhe ta hapë një zonë për alkool në lokalin e tij.

“Ata më kanë thënë ‘nëse shet alkool, mund ta vazhdosh biznesin pa asnjë problem’”, ka thënë ky pronar biznesi për Radion Evropa e Lirë.

“Ata më kanë thënë ‘është më mirë nëse nuk reziston’”.
Rrëfime të ngjashme kanë treguar edhe pronarë të kafiterive tjera.

Ata kanë thënë se ultimatumi i zyrtarëve të sigurisë është delikat dhe ka tingëlluar më shumë si këshillë, sesa si kërcënim.

Zyrtarët kanë thënë se “ne ju kuptojmë juve, edhe ne jemi myslimanë, mirëpo kjo është e nevojshme për shkak se turistët e huaj dëshirojnë alkool”, ka thënë një biznesmen për Radion Evropa e Lirë.

Disa pronarë biznesesh kanë reaguar në rrjetet sociale dhe kanë pretenduar se zyrtarët qeveritarë i kanë udhëzuar t’i largojnë imazhet e “ushqimit hallall” nga lokalet e tyre.

Një pronar i lokalit ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i tij për të mos shitur alkool nuk ka të bëjë asgjë me besimet e tij fetare.

Ky burrë ka thënë se më parë ka punuar në një restorant që shpesh ka pasur konsumatorë të dehur, “disa prej të cilëve e kanë kërcënuar njëri-tjetrin me thika”.

Ai e ka rikujtuar edhe një incident të helmimit me alkool në vendin e tij të punës në të kaluarën.

“I kam thënë vetes se nuk do të shes alkool kur të hapi restorantin tim”, ka thënë ai.

‘Kufizime të panevojshme’

Presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoev, i cili ka ardhur në pushtet më 2016, është njohur fillimisht për dhënie fund të shumë kufizimeve në liritë fetare, që i ka vënë paraardhësi i tij autoritar Islam Karimov.

Qeveria e Mirziyoevit i ka liruar qindra të burgosur, të cilët janë dënuar për besimet e tyre paqësore fetare dhe i ka hedhur nga lista mijëra persona që janë konsideruar ekstremistë fetarë, për shkak të besimeve të tyre.

Mirëpo në vjetët e fundit, Tashkenti është kritikuar për “kthim mbrapa” në hapat që i ka bërë për ta përmirësuar situatën, sa u përket lirive fetare në shtatë vjetët e fundit.

Muajin e kaluar, myftiu Nuriddin Kholiqnazarov, u ka bërë thirrje njerëzve që të përmbahen nga veshja e rrobave islamike dhe mbajtja e mjekrës, që sipas tij, janë më të vërejtshme në mesin e myslimanëve në Uzbekistan.

Myftiu Nuriddin Kholiqnazarov (i treti majtas) presidenti Shavkat Mirziyoev, dhe kryeministri Abdulla Aripov në një paraqitje publike në Tashkent më 31 gusht.
Myftiu Nuriddin Kholiqnazarov (i treti majtas) presidenti Shavkat Mirziyoev, dhe kryeministri Abdulla Aripov në një paraqitje publike në Tashkent më 31 gusht.

Së fundi ka pasur raportime se burrat janë detyruar që ta rruajnë mjekrën dhe që besimtarët janë marrë në pyetje.

Komisioni amerikan për Liritë Ndërkombëtare Fetare, ka shprehur shqetësim muajin e kaluar për atë që e ka përshkruar si “rikthim të praktikave që vetëm se i frikësojnë besimtarët dhe e shtypin lirinë fetare”.

Në një raport të lëshuar më 22 shtator, ky Komision ka thënë se “brenda javës së kaluar, zyrtarët uzbekë dyshohet se kanë kryer bastisje kundër individëve fetarë, i kanë gjobitur dhe i kanë arrestuar”.

Në raport është përmendur se kërcënimet për burgosje dhe ndëshkime tjera i kanë shtyrë myslimanët drejt vetëcensurës në kryerjen e aktiviteteve të tyre paqësore fetare.

Tashkenti “ende e sheh fenë si kërcënim dhe si rezultat, vendos kufizime të panevojshme ndaj komuniteteve paqësore fetare”, ka thënë organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut Human Rights Watch, në një raport për Uzbekistanin.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG