Ndërlidhjet

A është lufta Izrael-Hamas mundësi apo problem për Rusinë?


Një tank i ushtrisë izraelite afër kufirit me Gazën. 10 tetor 2023.
Një tank i ushtrisë izraelite afër kufirit me Gazën. 10 tetor 2023.

Sulmi i grupit militant palestinez, Hamas, ndaj Izraelit, ka shkatërruar iluzionin e stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe ka nxitur një luftë që mund të formësojë ndikimin e fuqive të mëdha në rajon dhe më tej.

Se si do të ndikojë kjo do të varet në masë të madhe nga kohëzgjatja dhe kursi i luftës, përfshirë nëse organizata tjetër militante që ka mbështetjen e Iranit, Hezbollahu, do të hapë një front të dytë kundër Izraelit në veri, duke e zgjeruar konfliktin në Liban dhe potencialisht në Siri.

Një shpërthim që vrau qindra njerëz në një spital në Gazë më 17 tetor nxiti akuza të ndërsjella, duke rritur tensionet disa orë para se presidenti amerikan, Joe Biden, të arrinte në Izrael në vizitën që nënvizoi rreziqet për Lindjen e Mesme, Uashingtonin dhe botën.

Lufta e re mund të ndihmojë Kremlinin që të shpërqendrojë vëmendjen nga masakra që po shkakton në Ukrainë, duke pakësuar burimet ushtarake amerikane dhe duke forcuar narrativët kundër Perëndimit në Rusi, thanë analistët. Por, një zgjerim i konfliktit Izrael-Hamas mund të tensionojë lidhjet e Moskës me Lindjen e Mesdhe dhe të rrezikojë ndikimin e saj në rajon.

Gjatë më shumë se dy dekada në pushtet, presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë hapa të rëndësishëm në rindërtimin e ndikimit të Moskës, të cilin e humbi kryesisht në shtetet myslimane në Lindjen e Mesme pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, por duke vendosur po ashtu raporte miqësore me Izraelin.

Por, Izraeli i sheh Sirinë dhe Iranin si kërcënime serioze të sigurisë së tij kombëtare dhe Putini ka forcuar lidhjet me të dyja këto shtete.

Ai ka rritur praninë ushtarake të Rusisë në Siri, ku Kremlini, Hezbollahu dhe Irani kanë mbështetur presidentin Bashar al-Assad në luftën e tij 12-vjeçare kundër grupeve opozitare, disa prej të cilave mbështeten nga Shtetet e Bashkuara që kanë trupa në këtë shtet. Ai po ashtu ka zgjeruar lidhjet e mbrojtjes me Iranin, një furnizues i madh i dronëve sulmues që Rusia po përdor në luftën e saj kundër Ukrainës.

Tani, diçka mund të thyhet.

“Testi i vërtet i raporteve të Rusisë me Izraelin do të jetë i lidhur me atë se çfarë Hezbollahu do të bëjë. Nëse ata sulmojnë, Izraeli do t’i kundërpërgjigjet ashpër Hezbollahut, i cili është në anën e njëjtë me Rusinë në Siri. Mendoj se këtu do të shohim përkeqësimin e raporteve”, tha për Radion Evropa e Lirë, Mark Katz, profesor i shkencave politike në Universitetin George Mason në Virxhinia, i cili fokusohet në Rusinë dhe Lindjen e Mesme.

Shenjat e tendosjes së raporteve janë të dukshme pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit, ku janë vrarë mbi 1.400 izraelit, që njëherësh është sulmi më vdekjeprurës në historinë e shtetit izraelit. Putinit iu deshën disa ditë që të deklarohej për sulmin dhe kur reagoi, për dallim nga dënimi i fuqishëm që i bëri Perëndimi Hamasit, ai fajësoi Shtetet e Bashkuara për dështim që të arrihet një zgjidhje me dy shtete për konfliktin Izrael-Hamas që po zgjat për dekada të tëra.

Gjatë deklarimit të tij prej 10 minutash, Putin nuk e përmendi Hamasin me emër, kur iu referua “ngjarjeve” dhe “tensioneve”. Po ashtu, në një draft-rezolutë që Rusia dorëzoi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 16 tetor, po ashtu nuk përmendej Hamasi apo sulmi i tij.

“Izraelitët janë shumë më kritikë ndaj kujtdo që nuk është në anën e tyre, ose të paktën duke mos e dënuar atë që bëri Hamasi”, tha për REL-in, Nimord Goran, president i Institutit izraelit për Politika të Jashtme Rajonale në Jerusalem dhe bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Lindjes së Mesme.

Sulmi i Hamasit dhe përgjigja e Izraelit sollën një varg kritikash ndaj Izraelit nga analistët pro-Kremlinit dhe komentatorët në televizionet shtetërore ruse. Por, Rusia mund të jetë e shqetësuar se po anon shumë larg Izraelit dhe po afrohet më shumë me armiqtë e tij, përfshirë Iranin, thanë analistët.

Raportet e Rusisë me Iranin “kanë ndryshuar në mënyrë kualitative”, tha për REL-in më 9 tetor, Hanna Botte, analiste me bazë në Berlin, që punon për Qendrën James Martin. Notte njëherësh është eksperte për politikën ruse në Lindjen e Mesme. “Por, megjithatë nuk mendoj se Rusia dëshiron të përkushtohet plotësisht në raportet me Iranin, pasi kjo do të prishte raportet që ka me Izraelin dhe shtetet e Gjirit”.

Mark Galeotti, autor dhe analist për politikën ruse, tha se “edhe pse ka raporte pozitive midis Rusisë dhe Iranit, në kuptim të shmangies së sanksioneve, ne duhet të kujtojmë se veçmas kur bëhet fjalë për politikat në Lindjen e Mesme, Rusia dhe Irani janë edhe miq edhe armiq – ata janë rivalë për supremaci”.

“Këtë e kemi parë edhe në Siri”, tha Galeotti.

Lufta në Siri

Në Siri, Moska ka praninë më të madhe fizike në Lindjen e Mesme. Bazat ajrore dhe detare të Rusisë atje janë e vetmja prani ushtarake e Moskës në Mesdhe dhe prandaj kanë rëndësi strategjike, pasi i mundësojnë Rusisë të projektojë fuqinë jashtë rajonit të saj të afërt.

Kjo prani varet nga mbijetesa e Qeverisë së Assadit, që po ashtu mbështetet nga luftëtarët iranianë dhe ata të Hezbollahut.

Më 2022, u raportua se Rusia transferoi mbi 1.000 trupa dhe sisteme kundër ajrore në Siri për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës, ku forcat e Moskës kanë pësuar ngecje të mëdha pasi Putini urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj.

Nëse zgjerohet konflikti Izrael-Hamas dhe detyron Hezbollahun të dërgojë luftëtarët nga Siria për në Liban, “kjo do t’ia bënte më të vështirë punën Rusisë në Siri”, tha Katz.

Luftëtarët që mbështeten nga SHBA-ja dhe Turqia kundërshtojnë kontrollin e Assadit në veri të Sirisë. Në të njëjtën kohë, Rusia nuk dëshiron që Irani dhe bashkëpunëtorët e tij të fitojnë shumë ndikim në Siri – edhe për shkak të raportit të vetë që ka me Iranin, por edhe për shkak të shqetësimeve se diçka e tillë do të zemëronte Izraelin.

Rusia, që kontrollon pjesë të mëdha të qiellit mbi Sirinë, për vite të tëra ka lejuar Izraelin që të sulmojë nga ajri pozicionet e Hezbollahut. Izraeli dhe Rusia po ashtu kanë këmbyer informacione mes forcave të tyre që operojnë në dhe përreth Sirisë, për të ulur rrezikun e incidenteve ajrore.

Në shtator të vitit 2018, avionët ushtarakë izraelitë bombarduan një ndërtesë në Siri që Izraeli pretendoi se po përdorej për ruajtjen e pajisjeve ushtarake iraniane që mund të transferoheshin te luftëtarët e Hezbollahut në Liban.

Siria u kundërpërgjigj ndaj avionëve izraelitë, por goditi një avion ushtarak rus, duke vrarë të 15 personat që gjendeshin në bord. Rusia akuzoi ushtrinë izraelite se kishte përdorur avion rus për të shmangur sistemet e mbrojtjes ajrore siriane.

Pas kësaj ngjarjeje, të dy shtetet thelluan bashkëpunimin për hapësirën ajrore siriane. Ai bashkëpunim, thanë analistët, ka qenë faktor kyç që e ka ndaluar Izraelin që të mos e furnizojë me armë Ukrainën.

“Ka nevojë që Izraeli të vazhdojë koordinimin me rusët, kryesisht për shkak të Sirisë. Edhe vendimi i ndërmarrë nga Izraeli se si t’i përgjigjet luftës në Ukrainë, praktikisht u ndërmor mbi ndikimin potencial që mund të kishte ndaj Izraelit në Siri”, tha Goran.

Sipas tij, kjo ka pak të ngjarë që të ndryshojë.

Megjithatë, raportet e Rusisë me Izraelin janë ftohur që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Gjerësisht besohet se Putini kishte parashikuar se brenda ditësh apo javësh do të pushtonte Ukrainën. Dështimi i tij për të paraparë një luftë të gjatë ka bërë që Rusia të jetë e papërgatitur në aspektin ushtarak, dhe sanksionet perëndimore kanë penguar industrinë ruse të armëve të prodhojë armë, duke detyruan Moskën që t’i drejtohet Iranit dhe Koresë së Veriut për të siguruar dronë dhe raketa.

Në këmbim, Rusia i ka premtuar Iranit armë të avancuara, përfshirë avionë luftarakë. SHBA-ja e ka përshkruar këtë raport si të “paprecedent” dhe si “partneritet të plotë në fushën e mbrojtjes” që paraqet kërcënim për fqinjët e Iranit, përfshirë Izraelin.

Megjithatë, Izraeli ka refuzuar që t’iu bashkohet sanksioneve të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian kundër Rusisë apo të dërgojë armë për Ukrainën, edhe pse ka lejuar Uashingtonin që të zhvendosë stoqet e tij me municione që kishte në Izrael për në Ukrainë.

Ndihma për Ukrainën

Përderisa lufta Izrael-Hamas mund të dëmtojë Rusinë duke ndikuar në raportet e saj në Lindjen e Mesme, veçmas nëse konflikti zgjerohet, Putin ndoshta shpreson se përfitimet do të jenë më të mëdha se kostot.

Tash për tash, lufta i ka mundësuar Rusisë që të rrisë retorikën kundër Perëndimit që është bërë një aspekt mjaft i rëndësishëm në politikën e jashtme ruse, përderisa Putin tenton të bëjë për vete shtetet në mbarë botën që nuk janë në aleancë me Uashingtonin dhe ta paraqesë pushtimin e Ukrainës si mbrojtje kundër përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për të dobësuar apo shkatërruar Rusinë.

Përderisa injoron sulmet e saj ndaj civilëve në Ukrainë që kanë nxitur akuza për krime lufte, Rusia ka shfrytëzuar vrasjet e civilëve nga bombardimet izraelite në Gazë për të akuzuar Perëndimin për standarde të dyfishta, gjatë adresimit para audiencës në Jugun Global dhe përtej, duke kërkuar që të zbusë zemërimin për veprimet e saj në Ukrainë.

Shumë analistë kanë thënë se shansi më i mirë që Putini të arrijë ndonjë gjë që mund ta quajë fitore në Ukrainë është që të zbehet mbështetja e Perëndimit të Kievit, duke ndaluar furnizimet që i duhen Ukrainës për të luftuar Rusinë. Pas sulmit të Hamasit, ka pasur shenja se mbështetja mund të bjerë, gjë që mund të rrisë shpresat e Kremlinit se SHBA-ja do të ketë vështirësi që të furnizojë me armë edhe Ukrainën, edhe Izraelin.

SHBA-së i janë harxhuar furnizimet për disa lloje municionesh pasi i ka dërguar Ukrainës mbështetje ushtarake në vlerë prej 45 miliardë dollarësh që nga nisja e luftës. Por, një analizë e bërë nga Mark Cancian nga Qendra për Strategji dhe Studime Ndërkombëtare, institut me seli në Uashington, la të kuptohet se kjo mungesë është e përkohshme dhe në të ardhmen nuk do të ketë shumë probleme në këtë drejtim.

Sipas Cancian, ka mungesa të furnizimeve vetëm të dhjetëra nga mbi 100 artikuj ushtarak që SHBA-ja i ka dërguar Ukrainës. Për më tepër, më të rëndësishmet sikurse sistemet raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), topa të artilerisë, raketahedhës dhe predha 155-milimetrëshe, nuk janë në mesin e armëve që Izraeli ka nevojë tash për tash.

“Detyra e parë – që aktualisht thuhet se është – nuk bie në konflikt me nevojat e Ukrainës apo të Tajvanit”, shkroi Cancian. “Megjithatë, me kalimin e kohës, do të ketë këmbime të disa sistemeve kyçe, të cilat në vend se të dërgohen në Ukrainë do të dërgohen në Izrael. Pak sisteme që Ukraina ka nevojë për kundërofensivën e saj mund të mos ketë mjaftueshëm në kohën që do të donte Kievi”.

Biden javën e kaluar tha se SHBA-ja ka burime të mjaftueshme ushtarake për të mbështetur Izraelin në luftën kundër Hamasit, por edhe Ukrainën.

Shtëpia e Bardhë po ashtu ka konfirmuar se Uashingtoni ka dërguar në Kiev raketat me rreze të gjatë veprimi, ATACMS, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se forcat e Kievit kanë përdorur këto raketa në një sulm ndaj bazave ajrore ruse në rajonin e pushtuar të Zaporizhjës.

Fuqia dhe raporti personal

Ndërkohë, ndikimi i Rusisë në Lindjen e Mesme mund të sfidohet nga një prani e shtuar e SHBA-së: Uashingtoni veçse ka dislokuar dy avionmbajtës, lufta Izrael-Hamas mund të ndryshojë shkëputjen e bërë nga SHBA-ja në rajon pas luftës në Irak dhe pasojat që prodhoi.

Rusia dhe Kina kanë synuar që të përfitojnë për të shtrirë ndikimin në Lindjen e Mesme, me Pekinin që ka arritur që të ndërmjetësojë marrëveshjen për rivendosjen e raporteve diplomatike mes Iranit dhe Arabisë Saudite.

SHBA-ja “mund të riafirmojë primatin” në rajon, tha Francois Heisbourg, këshilltar i posaçëm në Fondacionin Pour La Recherche Strategique, institut me seli në Francë. “Kjo mund të forcojë besueshmërinë e SHBA-së në Evropë”.

Bill Courtney, ekspert për politikë të jashtme në Rand Corporation në Uashington, i tha REL-it se është e paqartë se sa gjatë mund të zgjasë ky ndryshim, duke pasur parasysh prioritetin që SHBA-ja i ka dhënë Kinës dhe rajonit të Indo-Paqësorit.

Një faktor tjetër që luan rol në prospektet e Rusisë në Lindjen e Mesme është fati i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilit mund t’i ikë nga dora kontrolli i pushtetit për shkak të sulmit të Hamasit, që është cilësuar si një dështim i madh i sigurisë.

Një takim mes Netanyahut dhe Putinit në Moskë më 2020.
Një takim mes Netanyahut dhe Putinit në Moskë më 2020.

Para nisjes së pushtimit të Ukrainës, analistët kishin thënë se raportet Rusi-Izrael ishin forcuar nga raportet personale mes Putinit dhe Netanyahut. Ky i fundit ka udhëhequr për pothuajse në 14 vjetët e fundit dhe ka udhëtuar shpesh në Moskë për t’u takuar me Putinin, dhe në pjesën më të madhe të takimeve kanë biseduar për Sirinë dhe Iranin.

“Ai ka të ngjarë që të largohet nga pushteti, ndoshta pas disa muajsh”, tha Kawa Hassan, hulumtues në Programin për Lindjen e Mesme dhe Afrikë të Veriut në Qendrën Stimson, institut me seli në Uashington.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG