Ndërlidhjet

Qindra të vrarë nga një shpërthim në një spital në Gazë, Izraeli e mohon përfshirjen


Pamje nga një sulm ajror izraelit në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, 16 tetor 2023.
Pamje nga një sulm ajror izraelit në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, 16 tetor 2023.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të martën se Ushtria e Izraelit e ka bombarduar një spital në Qytetin e Gazës, i cili ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim, duke i vrarë qindra prej tyre, raporton Associated Press (AP).

Izraeli i ka mohuar pretendimet se e ka bombarduar spitalin.

Ushtria e Izraelit tha të martën vonë se "të dhënat e inteligjencës tregojnë se grupi palestinez, Xhihadi Islamik është përgjegjës për sulmin ndaj spitalit". Ky grup ka mohuar përfshirjen.

Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shihet zjarr i madh në dhomat e Spitalit al-Ahli, xhama të thyer dhe copa të trupave të njerëzve nëpër zonë.

Ministria tha se të paktën 500 persona janë vrarë.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e ka anuluar një takim të planifikuar për të mërkurën me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në Aman të Jordanisë.

"Presidenti është shumë i zemëruar me lajmin për masakrën izraelite në spital në Gazë, dhe ai vendosi të kthehet menjëherë në Ramallah", tha një zyrtar palestinez.

Reagimet pas shpërthimit

Organizata Botërore e Shëndetësisë e dënoi shpërthimin në spitalin në jug të Rripit të Gazës të martën, si dhe kërkoi mbrojtjen e menjëhershme të civilëve dhe kujdesit shëndetësor në enklavën palestineze.

"Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj Spitalit Al-Ahli Arab", tha drejtori i organizatës së OKB-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një reagim në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, tha se shpërthimi në spitalin Al-Ahli e “shton tmerrin e tragjedisë që po ndodh para syve tanë tash e sa ditë.”

“Përsëri, civilët e pafajshëm po e paguajnë më së shtrenjti. Duhet gjetur qartazi se kush është përgjegjës për këtë krim dhe kryerësit e tij të mbahen përgjegjës”, tha ai.

Emiratet e Bashkuara dhe Rusia kanë kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 18 tetor, pas shpërthimit vdekjeprurës në spitalin e qytetit të Gazës.

Mbreti Abdullah i Jordanisë e cilësoi shpërthimin në spital si “masakër” dhe “krim luftë” për të cilin nuk mund të heshtet.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e dënoi shpërthimin, duke e cilësuar si “shembulli më i freskët se sulmeve të Izraelit u mungojnë vlerat më themelore njerëzore.

“E ftoj gjithë njerëzimin të ndërmarrë veprime për ta ndaluar këtë brutalitet të paparë në Gaza”, tha Erdogani në X.

"Gjendje katastrofike" në spitale: Mjekët në Gazë refuzojnë evakuimin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:07 0:00

Rrethimi i Gazës

Shumë spitale në Qytetin Gaza janë shndërruar në kampe refugjatësh për qindra njerëz, të cilët shpresojnë se Izraeli do t’i kursejë nga bombardimet, pasi i kishte urdhëruar të gjithë banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth të largoheshin në drejtim të pjesës jugore të Rripit të Gazës.

Në jug, të martën bombardimet e pareshtura izraelite i vranë dhjetëra civilë dhe të paktën një komandant të lartë të grupit militant, Hamas, të cilat Izraelit thotë se për cak i kanë militantët.

Zyrtarët amerikanë janë duke punuar për ta bindur Izraelit të lejojnë furnizimin brenda Gazës për civilët, grupet humanitare dhe spitalet.

Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe nuk po lejon futjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe rrymës që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit më 7 tetor.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u mor vesh me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për të biseduar për krijimin e një mekanizmi për dërgimin e ndihmave në territorin e 2.3 milionë palestinezëve. Zyrtarët amerikanë thanë se përparimi në bisedime mund të duket modest, por theksuan se është hap i rëndësishëm përpara.

Megjithatë, nuk ka marrëveshje për këtë as të martën në mbrëmje.

Një zyrtar i lartë izraelit tha të martën se vendi i tij është duke kërkuar garanci se militantët e Hamasit nuk do t’i shfrytëzojnë këto ndihma.

Tzahi Hanegbi, kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, la të kuptohej se futja e ndihmave në Gaza do të varet nga lirimi i pengjeve që po mbahen nga Hamasi.

“Kthimi i pengjeve, që është i shenjtë në sytë tonë, është komponent kyç në çfarëdo përpjekje [për marrëveshje] humanitare”, tha ai, pa shpjeguar nëse Izraeli do të kërkonte lirimin e të gjitha 200 pengjeve që Hamasi i rrëmbeu, para se të lejojë futjen e ndihmave në Gaza.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është i gatshëm të niset për Izrael, në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e konfliktit në rajon.

Dhuna u rrit të martën në kufirin e Izraelit me Libanin, ku veprojnë militantët e Hezbollahut, të cilët mbështeten nga Irani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG