Ndërlidhjet

Shumë rrëfime, pak të dhëna për mungesën e produkteve mjekësore në veri


Bombola oksigjeni para qendrës spitalore në Mitrovicën Veriore. Shtator 2023.
Bombola oksigjeni para qendrës spitalore në Mitrovicën Veriore. Shtator 2023.

Gjatë largimit nga rrethi i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën Veriore, N.N. nga ky qytet në veri të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë (REL) ankohet se është e detyruar t'i blejë vetë barnat dhe se askush nuk pyet "a ka para për të gjitha këto".

“Mungojnë antibiotikët, infuzionet. Fëmijët e mi e kishin virusin, kështu që ne si prindër duhej të blinim (ilaçe) vetë me paratë tona, siç e dimë ne”, tha kjo bashkëbiseduese e REL-it, duke kërkuar që të mos zbulohet identiteti i saj.

Një tjetër banore e Mitrovicës Veriore tregon problemin e furnizimit me barna, por nuk dëshiron që emri e mbiemri i saj të bëhet publik.

"Farmacitë nuk kanë barna, nuk i sjellin më nga Serbia. Ne jemi të detyruar të shkojmë në Rashkë, në Kralevë, (qytete në Serbi) për të marrë ilaçe me recetë. Dhe sa vlen për ne (barnat me recetë) kur duhet të paguani për një vajtje 500 dinarë? (rreth katër euro)", thotë ajo.

Në sistemin serb, një numër i caktuar i barnave financohen nga fondet e sigurimeve shëndetësore, gjegjësisht pacientët mund t'i marrin në barnatore pa pagesë me recetë të mjekut.

Institucionet shëndetësore në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë punojnë nën sistemin serb dhe serbët e Kosovës kanë sigurim shëndetësor serb, kështu që ata përdorin edhe përfitimet e barnave pa pagesë.

Drejtuesit e institucioneve shëndetësore në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë kanë kohë që theksojnë se nuk ka ilaçe dhe materiale mjekësore dhe po paralajmërojnë për një “krizë humanitare” sepse autoritetet e Kosovës “ua ndalojnë” importin nga Serbia.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, në përgjigjen e saj për REL, i mohon këto pretendime dhe thotë se “çdo kërkesë për donacion në institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe, miratohet pa vonesë”.

Çfarë thonë institucionet shëndetësore?

Më 9 dhe 10 tetor, REL-i ka tentuar të marrë një deklaratë nga drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Ellek, për mungesën e barnave dhe materialeve mjekësore, por pa rezultat. Ai u përgjigj një herë në telefon dhe tha se tashmë kishte bërë deklarata për atë temë dhe se duhet t'u referohemi atyre deklaratave.

Pas këmbënguljes që ai t'u përgjigjej edhe disa pyetjeve nga REL-i, Ellek tha "më telefononi më vonë" dhe më nuk iu përgjigj thirrjeve dhe as mesazheve.

pavarësisht mbylljes së përkohshme të pikave kufitare edhe më herët dhe tani, të gjitha produktet që importohen nga Serbia në përputhje me Ligjin për Pajisje dhe Produkte Medicinale, kanë bërë përjashtim”.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës

Më 8 tetor ai tha për Transmetuesin Publik të Serbisë (RTS) se problemi me importin e barnave ka lindur rreth dy vjet më parë, “me ardhjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në pushtet”.

Ai shpjegoi se blerja e fundit e barnave dhe materialeve është bërë në vitin 2021 dhe se ende po i shfrytëzojnë furnizimet nga ajo blerje.

“Dy tentativat e fundit (prokurimi) dështuan, në kuptimin që ilaçe në vlerë prej 600 mijë eurosh u kthyen mbrapa. Gjoja nuk kanë udhëzime për përdorim në gjuhën shqipe”, tha Ellek për RTS-në.

Ai nuk shpjegoi praktikën e mëparshme të importimit të barnave nga Serbia në Kosovë.

REL-i gjithashtu nuk arriti të merrte deklaratë as nga Bratisllava Llaziq, drejtoreshë e Qendrës Spitalore Klinike në Graçanicë, një komunë me shumicë serbe afër Prishtinës.

Pa infuzione, tretësirë e gjilpëra?

Në dispozicion për bisedë ishte drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, Mirjana Dimitrijeviq, e cila ka thënë se furnitorët e tyre kanë pasur problem në dy vjetët e fundit me marrjen e lejeve të importit nga institucionet kompetente të Kosovës. Ajo nuk mund të fliste se ku qëndronte problemi.

“Ne nuk mund të ndikojmë në ato leje, këtë e kërkojnë furnizuesit që na furnizojnë me ato barna, por ka një problem sepse nuk mund të na furnizojnë me asgjë”, ka shpjeguar Dimitrijeviq për Radion Evropa e Lirë.

Ajo po ashtu ka theksuar se frikësohet se së shpejti do të mbeten krejtësisht pa ilaçe dhe material shpenzues dhe se nuk do të mund të ofrojnë asnjë lloj shërbimi shëndetësor.

Radio Evropa e Lirë ka folur edhe me disa nga banorët e Graçanicës, të cilët kanë konfirmuar mungesën e barnave dhe materialeve tjera.

“Ata nuk kanë pasur ilaçe as më parë, por tani nuk kanë asgjë. Zoti mos të sëmuret njeriu, kjo është e tmerrshme”, ka thënë Dragana nga Graçanica.

REL-i po ashtu ka konfirmuar nga disa burime të tij në spitale dhe qendra shëndetësore në veri dhe në jug të Ibrit se po mbarojnë furnizimet dhe se pranohen vetëm rastet emergjente, sepse nuk kanë asgjë për të ofruar shërbime shëndetësore për pacientët.

Ata nuk kanë dashur të flasin publikisht për këtë temë, por kanë deklaruar se ndër të tjera nuk kanë citostatikë, vaksina për nxënësit e shkollave fillore, oksigjen, infuzione, tretësirë për infuzion, gjilpëra dhe materiale të tjera.

Çfarë thotë Ministria e Shëndetësisë e Kosovës?

Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se “çdo kërkesë për donacione për institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe, duke përfshirë edhe donacionet për oksigjen, barna dhe pajisje mjekësore, trajtohet me prioritet nga Komisioni i donacioneve në MSH dhe në asnjë formë dhe asnjë rast nuk ka pasur asnjëherë vonesa”.

“Mund të shtojmë lirisht dhe me plot siguri se deri më tani kur po flasim, as edhe një kërkesë e natyrës se tillë nuk është refuzuar”.

Qeveria e Kosovës më 14 korrik ndaloi importin e mallrave me origjinë nga Serbia për shkaqe “sigurie”, por nga Ministria e Shëndetësisë thonë se “pavarësisht mbylljes së përkohshme të pikave kufitare edhe më herët dhe tani, të gjitha produktet që importohen nga Serbia në përputhje me Ligjin për Pajisje dhe Produkte Medicinale, kanë bërë përjashtim”.

Sipas tyre, Komisioni për Donacione e Ministrisë së Shëndetësisë më 14 qershor 2023, ka aprovuar donacionin nga kompania Farmalogist për Mitrovicën e Veriut, Graçanicën dhe Pasjanin. Më 10 maj 2023, komisioni ka aprovuar donacionin nga Prizma për Mitrovicën e Veriut, më 6 mars është aprovuar edhe donacioni nga Prizma trade, për Mitrovicën e Veriut, si dhe më 10 janar nga Farmalogist për të njëjtën komunë.

Nga kjo ministri kanë shtuar edhe se furnizimi i QKMF-së në Partesh është bërë rregullisht sipas kërkesës së institucionit, “ku nga janari deri më tani, për këtë institucion janë bërë 4 furnizime me barna dhe pajisje mjekësore”.

Sipas Ministrisë, furnizimi i institucioneve shëndetësore në nivel vendi, pa përjashtim bëhet sipas planifikimit dhe kërkesave të institucioneve shëndetësore përmes Sistemit të Menaxhimit të Stokut Farmaceutik (SMSF).

Po ashtu, edhe QKMF në Ranillugë është furnizuar vazhdimisht, ku nga janari deri më tani janë bërë 10 furnizime sipas kërkesës së tyre.

Ajo në Graçanicë është furnizuar vazhdimisht sipas kërkesës së institucionit, ku kërkesa e fundit nga ana e tyre ka qenë në vitin 2020, kurse QKMF-ja në Shtërpcë nuk ka paraqitur asnjëherë ndonjë kërkesë për furnizim me barna dhe produkte tjera mjekësore.

Farmalogist dhe Prizma Trade janë kompani nga Serbia që merren me shpërndarjen e barnave, materialeve mjekësore dhe pajisjeve në institucionet shëndetësore.

Nga Ministria shtojnë se “janë të gatshëm në çdo kohë për furnizim dhe çfarëdo mbështetje tjetër që mund të kërkohet nga institucionet shëndetësore të shtrira në të gjithë vendin pa përjashtim”.

Sistemi shëndetësor i Kosovës dhe ai serb nuk e njohin njëri-tjetrin dhe nuk kanë asnjë bashkëpunim.

Megjithatë, komunat me shumicë serbe, të cilat punojnë në sistemin e Kosovës, kanë drejtori shëndetësore që bashkëpunojnë me Ministrinë përkatëse të Kosovës.

Si funksionojnë institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe në Kosovë?

Institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe në Kosovë punojnë në sistemin serb nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë të Qeverisë së Serbisë. Ilaçet ose materialet e tjera mjekësore u dërgohen kryesisht nga furnitorë që operojnë në territorin e Serbisë.

REL-i ka kontaktuar kompanitë Farmalogist dhe Prizma Trade, furnizues të barnave dhe materialeve mjekësore nga Serbia, të cilat janë përmendur nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës. Mirëpo, deri në publikimin e këtij teksti, ata nuk janë përgjigjur nëse u është ndaluar apo lejuar dërgimi i barnave në institucionet shëndetësore në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Bazuar në ligjin në Kosovë, importi i produkteve apo pajisjeve mjekësore kërkon leje me shkrim të lëshuar nga Agjencia Kosovare për Produkte Mjekësore.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua kësaj Agjencie me pyetjen nëse ndonjë nga furnizuesit e produkteve mjekësore për institucionet shëndetësore në zonat serbe në Kosovë ka kërkuar leje për të importuar barna apo materiale dhe cila ishte procedura. Por, nga kjo agjenci nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij teksti.

Si është situata në barnatoret private?

Disa barnatore private në Mitrovicën e Veriut kanë konfirmuar për REL se në 20 ditët e fundit kërkesa për të gjitha produktet mjekësore është rritur për shkak të “mungesave” në institucionet shëndetësore.

“Kërkesa është rritur, nga medikamente të ndryshme e deri te tretësira për infuzion”, ka deklaruar një punëtore e një barnatoreje në Mitrovicën e Veriut, e cila nuk ka dashur të zbulojë identitetin e saj.

Ajo ka shtuar se tani për tani janë të “pajisura në mënyrë solide” dhe e pyetur se nga importojnë, thotë se “si po gjendemi”.

Kosova në dy vjetët e fundit ka kryer disa aksione që synojnë parandalimin e kontrabandës së barnave nga Serbia.

Në mesin e tetorit 2021 ka pasur edhe një konflikt mes policisë së Kosovës dhe banorëve të Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, kur është bërë inspektimi në disa barnatore lokale.

Policia përdori edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se aksionet kundër kontrabandës do të vazhdojnë.

Përveç barnatoreve, atë ditë u kontrolluan edhe vende të tjera ku u sekuestruan mallra kontrabandë.

Ndërkohë, më 5 korrik, deputetja britanike Alicia Kearns kishte deklaruar se armët po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë me autoambulanca dhe se ato po ruhen në objektet e kishës.

KFOR-i (misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë) më pas njoftoi se nuk kishte gjetur asnjë provë për këto pretendime, ndërsa Kosova tha se "po punonte për të verifikuar informacionin".

Armë megjithatë janë gjetur në Manastirin e Banjskës pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG