Ndërlidhjet

Shqipëria refuzon ta ekstradojë dhe e liron ish-anëtarin e UÇK-së


Gjykata Speciale në Hagë, prill 2023.
Gjykata Speciale në Hagë, prill 2023.

Gjykata e Apelit e Shqipërisë e ka liruar të martën ish-anëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj, pasi e hodhi poshtë kërkesën për ekstradimin e tij në Dhomat e Specializuara në Kosovë.

Goxhaj ishte arrestuar më 31 korrik në Shqipëri, patën njoftuar Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë, asokohe.

Të martën, Gjykata e Apelit e Shqipërisë tha se vendosi ta ndryshojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe urdhëroi “lirimin e menjëhershëm të tij”.

Si pasojë "rrëzohet kërkesa për ekstradimin e Dritan Goxhajt nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, hiqet masa e sigurimit ‘arrest në burg’", thuhet në njoftim.

Ai ishte arrestuar në bazë të një fletarrestimi si i dyshuar për vepra penale të frikësimit dhe pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave. Ai dyshohet se kishte publikuar emrat e dëshmitarëve në disa çështje penale që janë ngritur pas luftës në Kosovë.

Arrestimi u krye në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe kjo ishte hera e parë që Gjykata Speciale kryente arrestim në territorin e Shqipërisë.

Goxhaj ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë luftës në Kosovë më 1998-99. Ai i ishte bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë shqiptare dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontante me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.

Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG