Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë të hënën se e ka urdhëruar “rrethimin e plotë” të Rripit të Gazës, duke shtuar se autoritetet do ta ndërpresin rrymën, si dhe nuk do ta lejojnë futjen e ushqimit e as karburanteve.
Izraeli e kontrollon hapësirën ajrore mbi Gaza dhe vijën bregdetare të saj, si dhe kufizon se kush dhe çfarë mallrash lejohen të futen brenda pikave kufitare dhe të dalin jashtë tyre.
Ngjashëm, Egjipti kontroll se kush futet dhe kush del jashtë kufirit të tij me Gazën.
Izraeli deklaroi luftë formalisht të dielën dhe i dha ushtrisë dritën jeshile për “hapa të mëdhenj ushtarakë” për t’u hakmarrë ndaj Hamasit për sulmin befasues të së shtunës.
Izraeli thotë se më shumë se 700 njerëz janë vrarë dhe 100 të tjerë janë rrëmbyer nga Hamasi.
Në Gaza, më shumë se 400 njerëz janë vrarë pas bombardimeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli, sipas zyrtarëve palestinezë.
Autoritetet izraelite njoftuan se ushtria izraelite i ka sulmuar më shumë se 1.000 caqe brenda Rripit të Gazës gjatë natës mes 8 dhe 9 tetorit.
Alarme për sulme ajrore janë lëshuar të hënën në Jerusalem dhe në gjithë Izraelin, pasi Hamasi po vazhdon të hedhë raketa nga Gaza, sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit.
Të hënën u raportua për së paku tri shpërthime në Jerusalem. Nuk është e qartë nëse shpërthimet erdhën si pasojë e rënies së raketave, apo parandalimit të tyre nga mbrojtja ajrore e Izraelit.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari, tha se ushtria e ka rimarrë kontrollin në shumicën e komuniteteve afër Gazës, megjithëse luftime të izoluara me palestinezë të armatosur po vazhdojnë.
Herët mëngjesin e së hënës, ushtria tha se luftimet po zhvilloheshin në shtatë apo tetë vende brenda territorit Izraelit.
Izraeli i ka thirrur të hënën rreth 300.000 ushtarë rezervistë për të luftuar kundër Hamasit. Ushtria e Izraelit e përshkroi këtë thirrje si më të madhën në historinë e Izraelit për një kohë kaq të shkurtër.
Më shumë se 123.000 palestinezë në Rripin e Gazës janë zhvendosur brenda vendit, si pasojë e sulmeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli në enklavën bregdetare, tha Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare të hënën.
Njerëzit kanë ikur për shkak të frikës, ose për shkak se shtëpitë e tyre janë shkatërruar nga sulmet, tha zyra e OKB-së.
Cila është historia e konfliktit të Izraelit me Hamasin?
Izraeli ka një histori të gjatë armiqësie me Hamasin.
Ai luftoi me të në Gazë katër herë dhe kreu shumë operacione të tjera, duke shkaktuar qindra viktima palestineze.
Militantët e Hamasit lëshuan mijëra raketa kundër Izraelit, duke vrarë qindra izraelitë.
Izraeli e akuzon Hamasin për rrëmbimin e qytetarëve izraelitë dhe organizimin e protestave që kërcënojnë kufijtë e tij.
Hamasi dhe mbështetësit e tij, në anën tjetër, e akuzojnë Izraelin për shtypjen e palestinezëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre.
Ai udhëheq Rripin e Gazës që nga viti 2007.
Hamasi në tërësi - ose në disa raste krahu i tij ushtarak - cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe nga fuqi të tjera.