Ndërlidhjet

Putini i kërkon Kim Jong Unit forcimin e marrëdhënieve “në të gjitha frontet”


Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un (majtas) dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin. Vladivostok, Rusi, 25 prill 2019.
Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un (majtas) dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin. Vladivostok, Rusi, 25 prill 2019.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka kërkuar liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, forcimin e marrëdhënieve “në të gjitha frontet”mes dy vende të tyre, në një mesazh urimi për 75-vjetorin e themelimit të Koresë së Veriut më 9 shtator.

“Jam i bindur se falë përpjekjeve tona të përbashkëta, ne do të vazhdojmë t’i forcojmë marrëdhëniet tona dypalëshe në të gjitha frontet”, tha Putini në një mesazh dërguar Kimit, sipas Kremlinit.

Ai shtoi se “kjo i plotëson në tërësi kërkesat e popujve tanë” dhe ndihmon në garantimin e “stabilitetit dhe sigurisë në Gadishullin Korean dhe në verilindje të Azisë”.

Putini theksoi se Bashkimi Sovjetik ishte vendi i parë që e njohu regjimin e Koresë së Veriut dhe tha se “që nga atëherë marrëdhëniet mes dy vendeve tona gjithmonë kanë qenë të bazuara në parimet e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe respektit të ndërsjellë”.

Raportohet se Kim Jong Uni dhe Putini mund të takohen së shpejti për të biseduar për furnizimin e Rusisë me armë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi më 5 shtator se Koreja e Veriut do ta “paguajë shtrenjtë” nëse e furnizon Rusinë me armatim për luftën e saj në Ukrainë.

Rusia, e goditur nga sanksionet, është e etur për të siguruar më shumë furnizim me armë nga aleatët e vet, në mënyrë që ta përforcojë ushtrinë e vet në një kohë kur Kievi po e vazhdon kundërofensivën për ta çliruar territorin e vet.

Këshilltari i presidentit amerikan Joe Biden për siguri kombëtare, Jake Sullivan, tha të martën e kaluar se Peniani dhe Moska synojnë “bisedime në nivel liderësh, madje takim kokë me kokë” për nevojën e Rusisë për armatim.

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, udhëtoi drejt Koresë së Veriut në korrik në kërkim të sigurimit të municionit shtesë për luftë, tha Shtëpia e Bardhë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG