Ndërlidhjet

Çfarë dihet për raportet mes Rusisë dhe Koresë së Veriut


Lideri verikorean, Kim Jong Un, dhe ai rus, Vladimir Putin, gjatë një takimi më 2019.
Lideri verikorean, Kim Jong Un, dhe ai rus, Vladimir Putin, gjatë një takimi më 2019.

AFP

Shtetet e Bashkuara thanë se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të udhëtojë për në Rusi për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin. Takimi, sipas Uashingtonit, do të ndodhë më vonë gjatë këtij muaji dhe do të diskutohet që Moskës t’i ofrohen armë për luftën e saj në Ukrainë.

Pheniani, që veçse përballet me një sërë sanksionesh ndërkombëtare për shkak të programit të tij të armëve bërthamore, vazhdimisht ka mohuar se furnizon me armë Rusinë.

Por, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, tha më 4 shtator se “negociatat për armë” mes Koresë së Veriut dhe Rusisë kanë përparuar dhe se Kim pritet të udhëtojë për në Rusi.

Kremlini deklaroi të martën se nuk kishte “asgjë për të thënë” sa i përket raportimeve për takimin Kim-Putin, duke shtuar se nuk ishte në gjendje të konfirmonte nëse një takim i tillë do të mbahet.

Në këtë tekst mund të mësoni krejt çfarë dihet për raportet mes Rusisë dhe Koresë së Veriut:

Çfarë mund t’i ofrojë Koreja e Veriut Rusisë?

Javën e kaluar, Uashingtoni tha se – pavarësisht mohimeve – Pheniani ka furnizuar me raketa për këmbësori dhe predha të tjera Moskën më 2022. Këto armë, sipas SHBA-së, u përdorën nga grupi i mercenarëve rusë, Wagner.

Joseph Dempsey, hulumtues në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, tha se Moska është e interesuar më së shumti për predhat e artilerisë të cilat mund të integrohen lehtësisht.

“Koreja e Veriut ka të ngjarë që ka furnizimin më të madh të predhave për artilerinë për armët e modelit sovjetik dhe artileri që mund të përdoret për të mbushur inventarin e zbrazur rus të armëve, për shkak të konfliktit në Ukrainë”, tha Dempsey për AFP-në.

Armatimi më i sofistikuar i Koresë së Veriut do të ishte më i vështirë që të integrohej në ushtrinë ruse, tha ai, duke shtuar se aftësitë dhe kapaciteti për prodhim në masë i Veriut mbetet i paqartë.

Pheniani ishte në gjendje të furnizonte Rusinë me municione sepse “ky shtet ka 70 vjet që përgatitet për luftë”, tha Cho Han-bum, hulumtues i lartë në Institutin korean për Bashkim Kombëtar.

Çfarë dëshiron Koreja e Veriut në këmbim?

Analistët thanë se Rusia ka gjithçka që Veriu i varfër ka nevojë.

“Rusia është shtet që eksporton ushqim, është shtet që eksporton plehra, është një shtet që eksporton energji”, tha Cho.

Po ashtu ndoshta Koreja e Veriut do të kërkojë transferimin “e teknologjisë kyçe, njohurive dhe kapaciteteve prodhuese për industrinë e ushtrisë verikoreane, në mënyrë që ajo të avancohet dhe të jetë më e qëndrueshme”, Dempsey.

Në një raport të Kombeve të Bashkuara i publikuar më 2022 theksohet roli i diplomatit verikorean në Moskë sa i përket blerjes të një sërë teknologjish të raketave balistike. Madje, ishin blerë edhe rreth 3.000 kilogramë çelik për programin e nëndetëseve të Phenianit.

Koreja e Veriut po ashtu mund të përfitojë në aspektin diplomatik nga arritja e një marrëveshjeje, duke i dërguar mesazh Kinës.

“Që nga epoka e Luftës së Ftohtë, Koreja e Veriut gjithmonë ka praktikuar të ashtuquajturi “diplomaci të lavjerrësit” mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, duke shkuar sa andej-këndej, me qëllim që të maksimizojë përfitimet për vete”, tha Park Won-gon, profesor në Universitetin Evha.

“Mendoj se një gjë e tillë ka nisur të praktikohet sërish tani”.

Po samitet e mbajtura në të kaluarën?

Rusia, një aleate e kamotshme e Phenianit, ka qenë një mbështetëse thelbësore për shtetin që për dekada është i izoluar. Moska në të kaluarën madje ka financuar Korenë e Veriut.

Por, Bashkimi Sovjetik reduktoi fondet për Veriun në kohën kur nisi të synonte pajtimin me Seulin në vitet ’80. Më 1991, Pheniani u godit rëndë nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Federata Ruse dhe Veriu mbajtën samitin e tyre të parë më 2000, kur një deklaratë e përbashkët – që ishte e përqendruar në bashkëpunimin ekonomik dhe këmbimin diplomatik – u nënshkrua.

Nënshkrimi i marrëveshjes mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të ndjerit Kim Jong Il – babait dha paraardhësit të liderit aktual verikorean, Kim Jong Un – shënoi një arritje të madhe në rivitalizimin e raporteve dypalëshe pas një periudhe ngecjeje.

Kim Jong Un realizoi vizitën e tij të parë zyrtare në Rusi më 2019, kur synonte raporte më të ngushta me aleatët tradicionalë të shtetit të tij në mes të një mospajtimi me Uashingtonin sa i përket programit bërthamor.

Atëbotë, Kim dhe Putin nuk lëshuan një deklaratë të përbashkët pas takimit.
Por, Kim menjëherë mbështeti Moskën në pushtimin e Ukrainës. Madje, sipas Uashingtonit, ai ka furnizuar Rusinë me raketa dhe predha.

Në korrik, Putin lavdëroi “mbështetjen e fuqishme nga Pheniani për operacionin e posaçëm ushtarak kundër Ukrainës.

Çfarë do të nënkuptonte një marrëveshje mes Phenianit dhe Moskës?

Javën e kaluar në Kombet e Bashkuara, SHBA-ja, Britania, Koreja e Jugut dhe Japonia thanë se çdo marrëveshje për rritjen e bashkëpunimit midis Rusisë dhe Koresë së Veriut do të përbënte shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit. Këto rezoluta – që janë mbështetur nga Moska – ndalojnë arritjen e marrëveshjeve për armët me Phenianin.

Për të shmangur akuzat për shkelje të rezolutave, dy aleatët ka të ngjarë që të arrijnë “një marrëveshje prapa dyerve të mbyllura pa bërë një njoftim zyrtar” për të, tha për AFP-në, Cheong Seong-chang, drejtor i studimeve të Koresë së Veriut në Institutin Sejong.

“Kim dhe Putin pritet që thjesht të thonë se janë pajtuar për bashkëpunim në një gamë fushash, pa specifikuar se për çfarë janë pajtuar konkretisht”.

Nëse Moska dhe Pheniani shtyn përpara furnizimet me armë, gjetja e tyre do të bëhet “përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar” në mënyrë që këto dy shtete të mbahen përgjegjëse.

“Sa u përket predhave, Koreja e Veriut mund t’i transportojë ato përmes trenave sepse ato janë relativisht të vogla”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG