Ndërlidhjet

Stoltenberg pas takimit me Osmanin: Është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një konference për media, në Bruksel, më 7 shtator 2023.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një konference për media, në Bruksel, më 7 shtator 2023.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të enjten se për aleancën veri-atlantike është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë i situatës në veri të Kosovës.

“U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ikin retorikës nxitëse dhe të përmbahen, në linjë me zotimet e tyre”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Stoltenberg ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në veri të Kosovës, muaj më parë, ka qenë e papranueshme.

Sipas tij, stabiliteti i rajonit varet nga të gjitha palët.

Ai e ka mirëpritur vendimin e autoriteteve të Kosovës për zvogëlim të prezencës policore në veri dhe planet për mbajtje të zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit.

“Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negociim me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave të sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, që mund të ketë ndikim në siguri”.

Pas deklarimit të tij për zotimet e 2013-ës, Stoltenberg është pyetur nëse tani po prezantohet një kriter i ri për Kosovën, pasi deri më tani zotimi ka vlejtur vetëm për forcat e sigurisë së Kosovës, dhe jo për forcat policore.

“Nuk është kriter i ri. Ky qëndrim është bazë e misionit për një kohë të gjatë. Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon miratim të KFOR-it dhe ka nevojë për konsultim të afërt mes autoriteteve të Prishtinës dhe KFOR-it për çfarëdo angazhimi që mund të ndikojë në pozitën tonë dhe sigurinë në Kosovë".

Osmani ka thënë se Kosova, sikurse NATO-ja, e ka synimin e njëjtë, që është paqja dhe stabiliteti dhe siguria për të gjithë njerëzit në rajon.

Duke e komentuar deklaratën e Soltenbergut për deklaratën e 2013-ës, ajo ka thënë se dokumenti vlen vetëm për forcat e sigurisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës ka vepruar dhe e ka ushtruar mandatin e vet kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës”.

Thirrje për drejtësi pas dhunës në veri

Përgjatë konferencës, Stoltenberg e ka përmendur që pas trazirave të fundit në veri, NATO-ja e ka rritur prezencën në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë situatën nga afër dhe jemi të gatshëm të veprojmë nëse kërkohet, për ta përmbushur mandatin e Kombeve të Bashkuara, për të garantuar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

I pyetur nëse NATO-ja po mbyll sytë ndaj Serbisë, e cila nuk i ka vënë Rusisë sanksione për luftën në Ukrainë, ndërsa Kosova është në linjë me kërkesat e aleancës, Stoltenberg ka thënë se nuk ekziston diçka e tillë.

“Jo, nuk është ashtu. E kemi bërë shumë të qartë me mesazhet tona në Beograd edhe këtë e kam theksuar edhe në takimin tim me [presidentin serb, Aleksandar] Vuçiqin”.

Edhe Osmani e ka dënuar dhunën ndaj zyrtarëve të KFOR-it në veri, duke thënë se nëse përgjegjësit e këtyre ngjarjeve nuk do të ndëshkohen, “ka rrezik që keqbërësit ta shohin këtë si dobësinë tonë të përbashkët”, duke shtuar se ata mund t'i përsërisin aktet e dhunës.

Sipas saj, ngjarjet e 29 majit përbëjnë “sulm ndaj NATO-s”, dhe ka thënë se Kosova ka gatishmëri të bashkëpunojë që keqbërësit të sillen para drejtësisë.

"Kurdo që kemi punuar së bashku me partnerë, rezultatet kanë qenë më frytdhënëse. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku, sepse 29 maji na ka treguar të gjithëve se ata që janë kundër Kosovës, janë edhe kundër NATO-s. Sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it ka treguar se këto forca destruktive duan ta sulmojnë sistemin e bazuar në vlera, mbi të cilat jemi ndërtuar ne dhe NATO-ja".

Thirrje për baraspeshë në dialog

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova dhe rajoni i Ballkanit po rrezikojnë të bëhen pika të trazirave për shkak të ndikimit malinj rus dhe agjendave destabilizuese të saj.

“Kosova po përjeton ndërhyrje të vazhdueshme prej jashtë dhe pengesë konstante të autoritetit të saj legjitim dhe sovranitetit në pjesën veriore të vendit tonë. Kjo në shumë raste ka përbërë agresion, siç përcaktohet në ligjin dhe praktikat ndërkombëtare. Më lejoni të jem e qartë: pjesa veriore ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë integrale e Republikës së Kosovës”.

E pyetur për rundin e ri të dialogut të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 14 shtator, Osmani ka thënë se pret barazi të plotë në këtë proces.

“Kosova ka qenë gjithmonë palë konstruktive. E vetmja palë konstruktive në atë proces. Fatkeqësisht, lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është shumë e gjatë, por unë nuk dua të thellohem aty, por më duhet të them se shpresat tona janë që do të ketë një qasje të balancuar nga ndërmjetësuesit e BE-së, si parakusht për sukses në proces. Ka pasur raste kur nuk e kemi parë këtë balanc dhe do të doja t’iu bëja thirrje të gjithë partnerëve që ta sigurojnë këtë lloj baraspeshe, të sigurojnë një parim të barazisë së plotë, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme dhe rezultate që me të vërtetë kontribuojnë për stabilitet në rajon”.

Ajo ka thënë se fokusi tani duhet të jetë në një plan renditjeje për zbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.

“Nuk ekziston një nen që është më i rëndësishëm se tjetri. Ne jemi përkushtuar ta kryejmë pjesën tonë të obligimeve, por edhe Serbia ka marrë zotime konkrete, në mesin e të cilave është edhe që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por që e ka shkelur”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për normalizim të marrëdhënieve në shkurt në Bruksel dhe më pas për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, në mars në Ohër.

Takimi i 14 shtatorit, është i pari që mund të realizohet mes Kurtit dhe Vuçiqit prej rritjes së tensioneve në veri, qysh në fund të majit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG