Ndërlidhjet

NATO-ja thotë se situata në Kosovë është ende shumë e paqëndrueshme


Ushtarët e KFOR-it në qendër të Mitrovicës së Veriut.
Ushtarët e KFOR-it në qendër të Mitrovicës së Veriut.

Gjendja e sigurisë në Kosovë vijon të mbetet ende “shumë e paqëndrueshme”, megjithëse është qetësuar pas dhunës së madhe të muajit maj, tha të mërkurën komandanti i trupave të NATO-s në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia.

Tensionet në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – u rritën në fund të majit, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill.

Votimet e prillit u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe në Kosovë, duke bërë që dalja në zgjedhje të jetë vetëm 3.5 për qind.

Më shumë se 90 ushtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në veri, sipas NATO-s. Rreth 50 protestues u lënduan, po ashtu.

Majori italian Angelo Michele Ristuccia, komandanti i KFOR-it në Kosovë, tha se tensionet mes dy palëve mbeten ende të larta për shkak të dallimeve politike.

“Gjendja është e qetë, pas ngjarjeve të 20 majit. Por, në njëfarë mënyre, gjendja ende është shumë e paqëndrueshme. Ne i perceptojmë tensionet, për shkak të...shumë çështjeve të pazgjidhura”, tha ai për gazetarë në selinë e NATO-s në Bruksel të mërkurën.

Ai tha se nëse e përshkruan atë që po ndodh në Kosovë “do të thosha se sëmundja më shqetësuese është mosbesimi – mosbesimi mes palëve”.

“Kjo do të thotë se nuk ka zgjidhje ushtarake. Zgjidhja e vetme është ajo politike”, shtoi ai.

Në korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për hapat që duhet të ndërmerren për shtenisionimin e situatës, përfshirë edhe reduktimin e pranisë policore në komunat veriore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Kur nisën tensionet në veri, komuniteti ndërkombëtar në krye me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kërkuan nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

BE-ja më pas vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, ndërkaq SHBA-ja njoftoi se Prishtina nuk do të merrte pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s, Defender Europe 23.

Kosova është pajtuar për riorganizimin e zgjedhjeve në veri dhe ka nxjerrë një udhëzim administrativ, përmes të cilit qytetarët mund t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse.

Pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi administrativ, që pritet këtë muaj, qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës mund ta iniciojnë menjëherë peticionin për largimin e kryetarëve aktualë të atyre komunave.

Në rast se nëse arrihet mbledhja e 20 për qind të nënshkrimeve të votuesve nga iniciuesit e peticionit, atëherë Komisioni Qendror i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet e votuesve dhe organizon votimin në komunën ose komunat që kanë iniciuar peticion.

Për shkarkimin e kryetarit të një komune nevojiten 50 për qind plus 1 votë nga numri i përgjithshëm i votuesve të komunës përkatëse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG