Shtëpia e Bardhë paralajmëroi më 5 shtator se Koreja e Veriut do ta “paguajë shtrenjtë” nëse e furnizon Rusinë me armatim për luftën e saj në Ukrainë, pasi lideri verikorean Kim Jong Un dhe presidenti rus Vladimir Putin pritet të bisedojnë për këtë çështje.
Rusia, e goditur nga sanksionet, është e etur për të siguruar më shumë furnizim me armë nga aleatët e vet, në mënyrë që ta përforcojë ushtrinë e vet në një kohë kur Kievi po e vazhdon kundërofensivën për ta çliruar territorin e vet.
Këshilltari i presidentit amerikan Joe Biden për siguri kombëtare, Jake Sullivan, tha se Peniani dhe Moska synojnë “bisedime në nivel liderësh, madje takim kokë me kokë” për nevojën e Rusisë për armatim.
Sullivan tha se Rusia mund t’i përdorë armët e Koresë së Veriut për t’i sulmuar furnizimet me ushqim dhe infrastrukturën e ngrohjes para se të futemi në dimër, në tentim “për të pushtuar territor që i përket një kombi tjetër sovran”.
“Kjo nuk do të reflektojë mirë për Korenë e Veriut dhe ata do ta paguajnë shtrenjtë për këtë në komunitetin ndërkombëtar”, tha Sullivan të martën.
Ai shtoi se “fakti që Rusia detyrohet t’i drejtohet një vendi i Koreja e Veriut flet shumë”.
Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, udhëtoi drejt Koresë së Veriut në korrik në kërkim të sigurimit të municionit shtesë për luftë, tha Shtëpia e Bardhë.
Kremlini tha të martën se nuk është në gjendje ta konfirmojë takimin mes Putinit dhe Kimit.
“Nuk kemi asgjë për të thënë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Cho Han-bum, hulumtues i lartë në Institutin Korean për Unifikim Kombëtar, tha se sanksionet nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndalur shkëmbimin e armatimit mes Rusisë dhe Koresë së Veriut.
“Lufta në Ukrainë dhe gara strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës e kanë neutralizuar praktikisht sistemin e tanishëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Cho për AFP.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se kanë arritur përparim në kundërofensivën e tyre, por Putini tha përsëri të hënën se tentimet për ta rimarrë tokën e humbur qëkur Rusia e nisi pushtimin në shkurt 2022, kanë qenë të pasuksesshme.
“Nuk është se ka ngecur. Ka dështuar”, tha Putin më 4 gusht gjatë një konference me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Soçi.