Ndërlidhjet

Greqi: 18 të vdekur në një pyll të përfshirë nga zjarri


Zjarri afër qytetit Aleksandropolis, në veri të Greqisë, më 21 gusht 2023.
Zjarri afër qytetit Aleksandropolis, në veri të Greqisë, më 21 gusht 2023.

Tetëmbëdhjetë njerëz janë gjetur të vdekur të martën në një zonë malore në veri të Greqisë, e cila është përfshirë nga zjarret në katër ditët e fundit, njoftuan autoritetet greke.

Dyshohet se të vdekurit, të cilët u gjetën pranë kufirit grek me Turqinë, ishin emigrantë.

Zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve të Greqisë, Yiannis Artopios, tha se viktimat u gjetën në veri të qytetit Aleksandropolis.

Meqë nuk është raportuar për zhdukjen e ndonjë banori vendas “jemi duke e hetuar mundësinë që ata [emigrantët] të jenë futur jashtëligjshëm në vendin tonë”, tha Artopios.

Kjo zonë përdoret shumë shpesh nga emigrantët për hyrje të jashtëligjshme në Greqi.

Numri i të vdekurve nga zjarret në Greqi këtë javë ka arritur në 20 tani, pasi një emigrant tjetër i dyshuar u gjet i vdekur në këtë zonë të hënën.

Një bari i moshuar u gjet i vdekur, po ashtu, në veri të Athinës të hënën.

Flaka ka vazhduar të përhapet në verilindje të Greqisë, si dhe në ishujt Evia dhe Kithnos dhe në rajonin e Boeotias në veri të Athinës, për shkak të një përzierjeje të rrezikshme të erërave dhe temperaturave të larta deri në 41 gradë Celsius.

“Kjo gjendje është e ngjashme me atë në korrik”, tha Artopios për AFP, duke iu referuar zjarreve në disa pjesë të vendit nga të cilat mbetën të vdekur pesë persona.

Mbi 60 zjarre u ndezën në 24 orët e fundit në Greqi, të cilën janë duke e ndihmuar gjashtë shtete përmes mekanizmit civil për mbrojtje të Bashkimit Evropian.

Rreth 120 zjarrfikës nga Qiproja, Rumania, Republika e Çekisë, Kroacia, Gjermania dhe Serbia do të shkojnë në Greqi për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, njoftoi Departamenti i Zjarrfikësve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG