Ndërlidhjet

Blloku i Afrikës Perëndimore përgatitet për intervenim eventual në Niger


Pamje pas takimit të liderëve të Afrikës Perëndimore, të cilët kanë diskutuar për puçin në Niger.
Pamje pas takimit të liderëve të Afrikës Perëndimore, të cilët kanë diskutuar për puçin në Niger.

Kombet e Afrikës Perëndimore janë duke u përgatitur të premten për një intervenim të mundshëm ushtarak në Niger, pas puçit ushtarak të disa javëve më parë.

Megjithatë, shtetet fqinje kanë thënë se ende nuk kanë hequr dorë nga zgjidhja e krizës në mënyrë paqësore.

Ushtria e Nigerit e ka rrëzuar ish-presidentin e shtetit, Mohamed Bazoum më 26 korrik, duke e regjistruar puçin e shtatë në perëndim dhe qendër të Afrikës në tre vjetët e fundit.

Ky veprim e ka rritur edhe më shumë jostabilitetin në këtë rajon të varfër, që veçse përballet me kryengritje të islamistëve.

Blloku rajonal, ECOWAS ka urdhëruar të enjten aktivizimin e një force për angazhim të mundshëm kundër ushtrisë së Nigerit.

Ende nuk dihet sa e madhe është forca që tani është në gatishmëri dhe cilat shtete do të kontribuojnë në forcim të saj.

Pas një samiti të mbajtur mes krerëve të shteteve të rajonit, në kryeqytetin e Nigerisë, Abuxha, blloku është zotuar për vënie të sanksioneve, për vendosje të ndalesave në udhëtim, ngrirje të aseteve të ushtrisë së Nigerit, dhe aktivizimin e një force rajonale.

Franca, e cila dikur e ka pasur Nigerin koloni, ka thënë se i përkrah të gjitha përfundimet që kanë dalë pas takimit të ECOWAS-it.

Mirëpo, ajo nuk ka treguar nëse do të ofrojë mbështetje konkrete në rast të ndonjë intervenimi.

Organizata për të drejta të njeriut Human Rights Watch, ka thënë se ka folur këtë javë me Bazoumin, dhe se mbajtja e presidentit si rob, bashkë me gruan dhe djalin, është “jonjerëzore”.

“Djali im është i sëmurë, ka sëmundje serioze të zemrës, i duhet një mjek”, është cituar të ketë thënë Bazoumi sipas organizatës.

Pavarësisht se është një prej vendeve më të varfra në botë, Nigeri, i cili është dy herë më i madh sesa Franca, është prodhuesi i shtatë më i madh në botë i uraniumit, material kyç për aktivizim të centraleve bërthamore dhe trajtim të kancerit.

Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia, kanë trupa ushtarake të stacionuara në këtë shtet, në kuadër të luftës kundër islamistëve në rajonin Sahel.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG