Ndërlidhjet

Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit


Burgim i përjetshëm për vrasjen mizore të Marigona Osmanit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

*Video: Burgim i përjetshëm për vrasjen mizore të Marigona Osmanit

Gjykata Themelore e Ferizajt të premten, më 4 gusht, e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ky vendim i gjyqtarit Sahit Krasniqi, u prit me brohoritje e duartrokitje në sallë.

Ndërsa, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, u dënua me 15 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

Krivaqa dhe Sejdiu, megjithatë u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Dy persona, tash të dënuarit Krivaqa e Sejdiu, e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.

Fjala e gjyqtarit: Si u shkaktua vdekja e Marigona Osmanit?

"Gjatë dy ditëve rresht, kohë pas kohe, në vazhdimësi, me një shkop të drurit e godet viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike. Nga pasojat e kësaj dhune ekstreme të shkaktuara nga shtypja, goditjet, apo përplasjet me ndonjë mjet të fortë dhe të rëndë mprehës, shkaktohet vdekja e së ndjerës Marigona Osmani, e cila ka ardhur si rrjedhojë e politraumës, lëndimeve të shumëfishta.

Politrauma dhe vdekja kanë ardhur drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasoja të gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme, nga thyerjet e ashtit të nofullës së poshtme, thyerjet e brinjëve djathtas dhe majtas, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputjes parciale të palcës së kurrizit në qafë, dhe të ndjerën, [Krivaqa] me ndihmën e të pandehurit Arbër Sejdiu e dërgon në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty".

"Nga kjo vepër penale janë shkaktuar pasoja të rënda në familjen e së ndjerës dhe është shkaktuar shqetësim i madh edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës", ka thënë gjyqtari Sahit Krasniqi.

Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, tha se familja është "e frustruar" lidhur me dënimit e ulët për të akuzuarin e dytë. Ai paralajmëroi ankesë, sepse, siç tha, edhe akuzuari i dytë meriton burgim të përjetshëm.

"Vrasja e Marigonës ka qenë vrasja më e rëndë në periudhën e pasluftës, sepse kronologjia e kësaj vrasjeje ka zgjatë 72 orë më herët se ajo të ndërrojë jetë",
tha ai.

"Me burgimin e përjetshëm [për Krivaqën] jemi plotësisht të lumtur, me të dytin [dënimin për Sejdiun] jo", tha Remzi Osmani, axha i Marigonës.

Pamje nga salla në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ku u bë shpallja e aktgjykimit për rastin e Marigona Osmanit.
Pamje nga salla në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ku u bë shpallja e aktgjykimit për rastin e Marigona Osmanit.
Gjyqtari i rastit, Sahit Krasniqi, tha se për dënimin e Krivaqës është marrë parasysh edhe mosha shumë e re e Marigona Osmanit, e cila sapo kishte mbushur 18 vjet.

Krasniqi, pas leximit të vendimit tha se Gjykata nuk gjeti rrethana lehtësuese për të akuzuarin Dardan Krivaqan, teksa renditi disa nga masat rënduese për të:

"Si rrethana rënduese, Gjykata mori parasysh shkallën e lartë të përgjegjësisë penale, rrezikshmërisë shoqërore; intensitetin e lartë të dëmtimit të vlerës së mbrojtur – të drejtën për jetë, e cila garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Veprën penale i pandehuri e ka kryer me paramendim, nga motivi i xhelozisë ndaj anëtarit të ngushtë të familjes, tani të ndjerës Marigona Osmani, me të cilën ka bashkëjetuar".

"Si rrethanë rënduese [Gjykata] ka marrë parasysh moshën e re të së ndjerës, e cila veç sa kishte arritur në moshën 18-vjeçare. Pastaj mënyrën dhe rrethanat se si është kryer vepra penale: në mënyrën më barbare me privimin gradual nga jeta në një ambient të mbyllur, në banesë, ku e ndjera ka qenë krejtësisht e pambrojtur".

“Nga kjo vepër penale janë shkaktuar pasoja të rënda në familjen e së ndjerës dhe është shkaktuar shqetësim i madh edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaroi gjyqtari Krasniqi.

Për çka u akuzuan Krivaqa dhe Sejdiu?

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Ata janë akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Ai u akuzua se, edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale, si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor është duke lëvizur aty pari.

Që të dy akuzoheshin, po ashtu, se kishin tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke u munduar t'i fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.

Çfarë u kërkua në fjalën përfundimtare?

Në seancën e fundit gjyqësore për këtë rast, prokurori Valdet Avdiu kërkoi që Krivaqa dhe Sejdiu të dënohen sipas ligjit.

Gjatë kësaj seance të mbajtur më 1 gusht, prokurori Avdiu tha se “nga të gjitha provat, dëshmitarët e dëgjuar dhe video-incizimet, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale si në aktakuzë”.

Ndërsa, avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kishte kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit.

Protesta para Gjykatës Themelore në Ferizaj, derisa pritej shpallja e aktgjykimit për rastin e Marigona Osmanit, 4 gusht 2023.
Protesta para Gjykatës Themelore në Ferizaj, derisa pritej shpallja e aktgjykimit për rastin e Marigona Osmanit, 4 gusht 2023.

Rexhepi tha se të akuzuarve duhet t’iu jepet dënim maksimal në mënyrë që këto raste të mos përsëriten kurrë më në Kosovë.

Avokati mbrojtës i Dardan Krivaqës, Admir Salihu, kishte thënë se gjykata duhet t’i marrë parasysh të gjitha elementet dhe rrethanat, pasi siç ishte shprehur ai, “është provuar se vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike”.

Vetë Krivaqa shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur.

Paraprakisht Krivaqës, me kërkesë të avokatit mbrojtës, i ishte bërë një ekzaminim psikiatrik. Raporti i këtij ekzaminimi konstatoi se Krivaqa nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

Protesta para Gjykatës

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një protestë para Gjykatës Themelore në Ferizaj, para se të shpallej aktgjykimi për këtë rast.

“Prej vendimit të sotëm presim dënim maksimal, pavarësisht se jemi goxha skeptik, duke u bazuar në atë që gjykatat në të kaluarën kanë treguar se japin vendime shumë të ulëta për kryerësit e veprave, sidomos kur bëhet fjalë për dhunën gjinore dhe dhunimet", tha Bjeshkë Guri nga kjo organizatë.

Protesta e mbajtur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Ferizaj 4 gusht 2023.
Protesta e mbajtur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Ferizaj 4 gusht 2023.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha, po ashtu, para organizimit, se nuk mund të harrohet “dhuna mizore”, që sipas organizatës, Krivaqa me ndihmën e Sejdiut, i shkaktuan Marigona Osmanit derisa ajo vdiq.

“Ne nuk mund të harrojmë që Marigona do të mund të ishte gjallë sot, nëse shteti do ta mbronte me kohë atë”, u tha në reagim.

Me gjithë provat e paraqitura, avokatët mbrojtës të Krivaqës dhe Sejdiut, kishin kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës. Por, gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi, më 2 shtator të vitit 2022, refuzoi kërkesën dhe kundërshtimin e provave që u paraqitën nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve.

Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më 2023, në Kosovë janë vrarë 50 gra.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Vrasja e fundit ka ndodhur më 30 nëntor të vitit të kaluar, kur një grua shtatzënë është qëlluar për vdekje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

Autor i kësaj vrasjeje ishte partneri i saj me të cilin bashkëjetonte, i cili më pas vrau veten.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG