Drejtues dhe punonjës të një qendre të thirrjeve në Shqipëri kanë mashtruar qytetarë italianë duke përfituar 4.7 milionë euro, sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar (SPAK).
Lidhur me aktivitetet e kësaj qendre të thirrjeve, SPAK-u ka lëshuar urdhërarrestime për 14 persona. Për nëntë prej tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për pesë të tjerë “arrest shtëpiak”.
Qendra e thirrjeve ndodhej në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë.
SPAK bashkëpunoi me prokurorinë e Pordenones, komunë në Itali, dhe operacioni i koduar “Dream earnings" është vijim i një operacioni të nisur në tetor të vitit 2022.
“Janë administruar 140 kallëzime të personave të dëmtuar në Itali dhe shuma e parave që ata kanë humbur shkon deri në 4.7 milionë euro”, deklaroi prokurori i SPAK-ut, Eneid Nakuçi.
Prokurorja italiane, Maria Grazia Zaina, tha se nga hetimet ka rezultuar se mashtruesit ishin mjaft të aftë në përdorimin e teknikave reale bindëse aq sa kishin arritur të bindnin qytetarët e pafajshëm të investonin gjatë kësaj kohe qindra mijëra euro në llogari rrjedhëse jashtë shtetit.
Fillimisht, ata bindeshin të investonin në shuma të vogla parash dhe më pas i stimulonin të investonin në shuma të mëdha, duke i bërë të besojnë se do të fitonin gjithnjë e më shumë. Prokurori Eneid Nakuçi tha se paratë e përfituara shkonin në kriptovalutë dhe në llogari të huaja të pagjurmueshme.
Gjatë konferencës për shtyp u bë e ditur se janë kryer rreth 42.000 përgjime dhe ka rezultuar se paratë pastroheshin në vende si Qipro, Lituaninë, Estoni, Holandë, Gjermani dhe ishin konvertuar në kriptovalutë.
“Në çdo transferim në hyrje rezultonte dhënia e një sasie BitCoin (kriptovalutë) në favor të një portofoli të panjohur duke humbur në këtë mënyrë gjurmët e parave”, tha prokurori Nakuçi.
SPAK-u theksoi se është ushtruar kontroll në 12 banesa ku gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike, telefona, laptopë, USB dhe pajisje për prodhimin e Bitcoin.
Gjithashtu u bë e ditur se verifikimet hetimore kanë bërë të mundur gjithashtu përcaktimin dhe identifikimin e teknikëve përgjegjës të grupit te strukturuar të cilët administronin jo vetëm të gjithë infrastrukturën informatike të qendrës së thirrjeve, por dhe kujdeseshin për të fshehur dhe penguar hetimet ndaj tyre dhe identifikimit të qendrës së thirrjeve.