Ndërlidhjet

Çfarë do të vendosin liderët gjatë samitit të NATO-s?


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Liderët e NATO-s do të takohen në Vilnius më 11 dhe 12 korrik për të trajtuar një sërë çështjesh, duke nisur nga ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash.

Ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pasi samiti i parë ishte mbajtur virtualisht më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi luftën. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid.

Takimet e shumta janë në kontrast me ritmin paraprak të samiteve vjetore të NATO-s dhe tregojnë se si lufta, që gjendet në pragun e aleancës, e ka sjellë NATO-n në fokus.

Masat e sigurisë në Vilnius do të jenë të larta, përderisa do të dislokohen tri njësi gjermane të mbrojtjes ajrore, Patriot, për të ofruar siguri gjatë mbajtjes së samitit.

Edhe avionë të tjerë luftarakë do të patrullojnë në qiellin e Lituanisë, shtet që gjendet midis enklavës ruse të Kaliningradit e Bjellorusisë dhe që një kohë të gjatë shihet si një pikë e brishtë në krahun lindor të NATO-s.

Në këtë tekst mund të mësoni se cilat do të jenë çështjet kryesore që do të diskutohen në Vilnius:

Anëtarësimi i Ukrainës

Samiti duket se do të dominohet nga ajo se si NATO-ja do ta definojë marrëdhënien e saj në të ardhmen me Ukrainën, pas thirrjeve të përsëritura nga presidenti Volodymyr Zelensky që Kievi të pranojë ftesë për t’iu bashkuar aleancës gjatë tubimit në Vilnius.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka bërë të qartë se Kievi nuk do të bëhet anëtar për aq kohë sa lufta vazhdon dhe se në samitin në Vilnius, po ashtu, nuk do të ketë ftesë zyrtare për Ukrainën.

Megjithatë, aleatët janë të ndarë se sa shpejt Ukraina duhet të lejohet që t’i bashkohet aleancës pasi të ndalen luftimet.

Përderisa shtetet lindore evropiane kanë thënë se Kievit gjatë këtij samiti duhet t’i jepet një udhërrëfyes, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë shprehur drojën se një veprim i tillë mund ta dërgojë aleancën më afër një lufte me Rusinë.

Para takimit në Vilnius, më shumë shtete kanë mbështetur propozimin britanik për t’i lejuar Kievit që të anashkalojë programin e Planit të Veprimit për

Anëtarësim (MAP), i cili përmban kushtet politike, ekonomike dhe ushtarake që shtetet kandidate duhet të plotësojnë, e të cilat janë plotësuar nga shtetet e tjera lindore evropiane para se t’i bashkoheshin NATO-s.

Me një lëvizje të tillë, aleanca do të mund të adresonte kërkesat që shkojnë përtej deklaratës të samitit të Bukureshtit të vitit 2008, ku thuhej se Ukraina në të ardhmen do të bëhej anëtare, por Kievit nuk iu ofrua një ftesë zyrtare e as afate kohore për anëtarësimin e mundshëm.

NATO ka të ngjarë që të gjejë një formulim më të fuqishëm sesa më 2008 për të theksuar se Kievi ka perspektivë për t’iu bashkuar aleancës.

Liderët mund të pajtohen për një formulim sikurse “vendi i Ukrainës është në NATO”, formulim ky që është i ngjashëm me deklaratat që Stoltenberg bëri gjatë vizitës në Kiev në prill. Po ashtu, liderët mund të vendosin të shkruajnë në deklaratë se “siguria transatlantike do të jetë e pakompletuar pa Ukrainën”.

Garancitë e sigurisë për Ukrainën

Liderët pritet të diskutojnë se çfarë garanci të sigurisë duhet të marrë Kievi pasi të përfundojë lufta, edhe pse këto zotime do të jenë bilaterale dhe jo të vetë aleancës.

Ka shumë gjasa që këtu të përfshihen premtimet për vazhdimin e ndihmës ushtarake dhe financiare që Kievi të mund të pengojë Rusinë që të mos organizojë ndonjë sulm të ri pasi lufta të ketë përfunduar.

Stoltenberg ka theksuar se NATO – sipas nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit – do të ofrojë garanci të sigurisë vetëm për shtetet anëtare të aleancës.

Forcimi i krahut lindor të NATO-s

Liderët do të shqyrtojnë planet e para të mbrojtjes që aleanca ka hartuar që nga Lufta e Ftohtë, që japin detaje se si NATO-ja do t’i përgjigjej një sulmi rus.

Ringjallja e të ashtuquajturave plane rajonale paraqet një ndryshim thelbësor. Me këto plane, aleanca po ashtu do t’iu japë udhëzime shteteve se si të avancojnë forcat dhe logjistikën e tyre.

Për dekada të tëra, NATO-ja nuk e ka parë si të nevojshme që të hartojë plane të mbrojtjes në shkallë të gjerë, por pas nisjes së luftës më të përgjakshme në Evropë që nga viti 1945, pra në Ukrainë, aleanca tani po paralajmëron se duhet të jetë e përgatitur mirë para se një konflikt, me armiq sikurse Moska, të shpërthejë.

Turqia po bllokon miratimin e planeve për shkak të formulimeve për lokacione gjeografike, sikurse për rastin e Qipros. Kjo çështje do t’iu mbetet liderëve që ta zgjidhin, nëse veç aleatët arrijnë një marrëveshje para samitit.

NATO, po ashtu, do të rrisë objektivat për municionet, pasi Kievi po përdor më shpejt municione sesa që shtetet perëndimore mund t’i prodhojnë ato. Një vit pas nisjes së luftës në Ukrainë, stoqet me municione të aleatëve janë jashtëzakonisht të zbrazëta.

Në të njëjtën kohë, aleatët do të tregojnë se si synojnë të zbatojnë qëllimin e NATO-s, për të cilin u pajtuan në samitin e vitit të kaluar në Madrid, për të vendosur mbi 300.000 trupa në gatishmëri të lartë – nga 40.000 sa ishte qëllimi paraprak – për të kundërshtuar Rusinë.

Suedia

NATO-ja po synon që Suedia të bëhet anëtarja e saj e 32-të gjatë samitit në Vilnius, por Turqia ende po e bllokon pranimin e Stokholmit.

Aleatët shpresojnë që presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, do të heqë dorë nga kundërshtimet e tij gjatë këtij samiti, por ende nuk dihet nëse kjo do të ndodhë.
Ankaraja e akuzon Suedinë se strehon pjesëtarë të grupeve militante dhe thotë se Stokholmi duhet t’i shtypë militantët para se t’i bashkohet NATO-s.

Shpenzimet për NATO-n

Stoltenberg synon që objektivi aktual për shpenzime ushtarake të NATO-s prej 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor(BPV), të jetë si kërkesë minimale për shpenzime dhe jo si synim.

Më 2022, objektivi prej 2 për qind u plotësua nga më pak se çereku i shteteve anëtare të aleancës, thuhet në vlerësimet e publikuara nga NATO-ja në mars. Ky objektiv ishte vendosur më 2014, kur liderët e NATO-s u pajtuan të rrisnin shpenzimet për mbrojtje.

Në raportin vjetor të NATO-s thuhej se Greqia, SHBA-ja, Lituania, Polonia, Britania, Estonia dhe Letonia kanë plotësuar objektivin për shpenzime prej 2 për qind.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG