Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut së shpejti do të vendosë nëse do të hapë lëndë lidhur me dyshimet për keqpërdorime të bëra nga familjarët e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Bëhet fjalë për djalin dhe dy nipat e tij të dyshuar për përfshirje në biznese dhe pasurim të paligjshëm. Komisioni nuk ka saktësuar se kur do të diskutojë për këto raste, por nëse vendos të iniciojë procedurë, atëherë ajo do t’u dërgohet organeve të ndjekjes për hetim të mëtejmë.
Drin Ahmeti, nipi i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, është bërë pronari i dytë më i madh me 39 për qind të aksioneve në qendrën e biznesit “Soravia” në qendër të Shkupit.
Njëzetepesëvjeçari Drin Ahmeti ka konfirmuar blerjen e qendrës, por ka mohuar që axha i tij të ketë pasur ndikim në biznesin e tij.
Pronarët e rinj të qendrës tregtare “Soravia”, me mbi 20 milionë euro borxhe thanë se nuk do të japin asnjë denar nga kompanitë e reja që tashmë janë pronare të kësaj qendre, por për shlyerjen e borxheve kanë marrë një linjë kreditore prej 6 milionë eurosh nga Banka Shqiptare Credins bank”.
Në varësi të zhvillimit të biznesit, pronarët thonë se planifikojnë uljen e borxhit dhe nëse në tre vjetët e ardhshëm qendra e biznesit "Soravia" punon me humbje, pronarët planifikojnë ta shesin atë.
Përveç borxhit, tre pronarët e qendrës nuk kanë treguar asnjë detaj për shitblerjen e saj.
Edhe pse vetëm 25 vjeç, nipi i Ahmetit ka edhe disa biznese. Përveç blerjes së qendrër tregtare, përmes kompanisë “Tor Industries”, Drin Ahmeti përmes një kompanie tjetër të tij, “Everest JD” ka edhe një koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në Zajas, fshati i lindjes së Ali Ahmetit.
Kjo është bërë e ditur nga partia opozitare VMRO DPMNE, e cila edhe ka publikuar marrëveshjen e cila pretendon se është lidhur mes “Elektranës së Maqedonisë së Veriut” dhe kompanisë së Drin Ahmetit.
Sipas VMRO-së, kjo kompani ka vetëm një të punësuar, dhe ka marrë koncesion për nxjerrjen e gurit gëlqeror në vlerë prej 3.600.000 denarësh (60 mijë euro).
Kompania “Everest JD” figuron edhe si pronare e “Potam-plant”, një kompani tjetër e themeluar në vitin 2019 me aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike. Në portofolin e Drin Ahmetit është edhe një kompani tjetër e prodhimit të energjisë elektrike, “Helios Plant”, ku është njëri nga tre pronarët, së bashku me vëllain e tij, Besianin dhe Shkumbin Ahmetin, djalin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
...për atë që ka bërë keqpërdorim nuk ka as amnisti e as strehim në BDI".Ali Ahmeti
Një emision i gazetarisë hulumtuese “KOD” që transmetohet në televizionin Telma, ka publikuar edhe një hulumtim për përfshirjen në biznese edhe të Kushtrim Smajlajt, dhëndrit të Ali Ahmetit, i cili me një kompani nga Kërçova, si bashkëpronar, fiton mbi 100 milionë euro në vit.
Familjarët e Ali Ahmetit thonë se janë të gatshëm të dëshmojnë origjinën e pasurisë së tyre dhe kanë ftuar organet e ndjekjes që të hetojnë të gjitha pretendimet jo vetëm të opozitës, por edhe publikimet tjera.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se nuk u ik hetimeve dhe madje ka kërkuar që të nisin hetimet për çdo anëtar të kësaj partie duke filluar nga kryetari i saj.
“Nuk mundet një parti të shndërrohet në hetues dhe prokuror, por këtë punë duhet ta bëjnë organet që paguhen nga shteti, nga taksapaguesit tanë, sepse ndryshe korrupsioni dhe e keqja nuk mund të luftohen. Unë u kam bërë thirrje gjithë mediumeve që të jemi në partneritet për ta luftuar të keqen, sepse kjo vetëm bashkë mund të luftohet dhe për atë që ka bërë keqpërdorim nuk ka as amnisti e as strehim në BDI. Por, derisa nuk është shpallur fajësia, ne nuk mund të bëjmë gjuajtje shtrigash”, tha Ahmeti.
Dyshimet për përfshirje të familjarëve të Ahmetit në bizneset milionëshe nuk janë komentuar nga drejtuesit e Qeverisë, përfshirë edhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Heshtja e tij, sipas VMRO DPMNE-së, lë hapësirë për dyshime për përfshirjen edhe të tij në “biznese të pista”.
“Kovaçevski është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në krimet e BDI-së dhe Ahmetit. Kovaçevski ka frikë të kërkojë përgjigje dhe përgjegjësi për Ahmetin dhe BDI-në, sepse edhe ai është i përfshirë në krim”, thuhet në një reagim të VMRO DPMNE-së.
“Ai njeri [Ali Ahmeti], i cili para 20 vjetëve e prezantonte veten si një luftëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, do të përfundojë si një njeri i zhytur thellë në kriminalitet. Për fat të keq po e zhyt edhe familjen e tij”, u shpreh kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, nuk beson në hetimin e dyshimeve të familjarëve të Ahmetit dhe të zyrtarëve të partisë së tij, përfshirë edhe kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili është vendosur në listën e zezë të SHBA-së për shpërdorim të fondeve financiare dhe ndikime në gjyqësor.
“Për cilën prokurori e keni fjalën? Për Prokurorinë që drejtohet nga një shërbëtor i juaji, për atë prokurori që është kapur kokë e këmbë nga ju? E keni fjalën për atë prokurori që e udhëheq Islam Abazi, i cili njëjtë sikur nipi juaj, Drin Ahmeti, nuk e dinte se si ka përfunduar në shtëpitë tuaja duke bërë fotografi me ty dhe familjarët tuaj”, deklaroi Kasami.
Duke komentuar thirrjen e kryetarit të BDI-së për hetimin e dyshimeve, ish-prokurori Aleksandar Nakov, nuk beson se kjo mund të ndodhë. Sipas tij, është pikërisht Ali Ahmetit që vendos për emërimin e anëtarëve të tij në pozita të larta, që më pas ata vendosin ashtu siç i përgjigjet politikës.
“Personalisht, nuk jam i bindur se do të ketë ndonjë proces hetimi. Më tepër kemi të bëjmë me hedhje pluhur në sy njerëzve, gjoja mund të kontrolloni gjithçka, por te ne është pastër. Kjo është qasja e tij. Situata në politikën tonë është e tillë, mendoj se nuk ka asnjë shans për të arritur rezultate të caktuara, sidomos nga njerëzit që kryejnë funksionet. Ndikimi i Prokurorit Publik të Republikës është i madh. Por, sipas bindjes sime të thellë, ky i tanishmi as që ka kapacitet të merret me një grup të tillë, do ta quaja, që punon në fushën e drejtësisë”, thotë Nakov.
Ai thotë se mbështet qëndrimin e një “shqyrtimi të përgjithshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, nëse shteti është i gatshëm të merret me krimin”.
Lidhur me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, dyshimet për përfshirjen e zyrtarëve në korrupsion dhe krim të organizuar, Departamenti amerikan i Shtetit së fundi ka ftuar udhëheqësit shtetërorë “që të tregojnë rezultate të forta, të prekshme, në luftën kundër korrupsionit, duke forcuar pavarësinë institucionale dhe duke kufizuar ndërhyrjet politike, veçanërisht në gjyqësor, që janë thelbësore për përmbushjen e qëllimeve të anëtarësimit në BE dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve te Qeveria”.