Ndërlidhjet

Kundërshtimet për zgjedhjen e prokurorit Abazi, politike apo etnike?


Prokurori për ndekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, Islam Abazi, gjatë një paraqitjeje për mediat.
Prokurori për ndekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, Islam Abazi, gjatë një paraqitjeje për mediat.

Prokurori i ri për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Islam Abazi, duhet të dëshmojë me punë nëse zgjedhja e tij ka qenë rezultat i ndikimeve politike apo lidhjeve të afërta me parti të caktuara politike.

Kështu vlerësojnë drejtuesit e Këshillit të prokurorëve dhe njohësit e çështjeve politike duke komentuar reagimet e shumta menjëherë pas zgjedhjes së Abazit, më 7 nëntor, në krye të organit më të rëndësishëm për luftimin e krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut.

Deri para zgjedhjes në këtë detyrë për Islam Abazin, prokuror i deritashëm në Gostivar, nuk dihej asgjë përveç lidhjeve të afërta, sipas reagimeve, me zyrtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, shprehu dyshime se ka pasur ndikime politike në zgjedhjen e tij në krye të organit të akuzës.

Ivanovska, po ashtu, tha se në opinion lë vend për dyshime edhe fakti se u shfaqën fotografi të Islam Abazit me njerëzit e BDI-së dhe se ai është nga Zajazi i Kërçovës, prej nga është edhe Ali Ahmeti, kryetar i kësaj partie shqiptare, që është pjesë e Qeverisë.

“U harruan kriteret për kualitet, vlerësimet e Këshillit të prokurorëve për kandidatët, program i punës dhe të gjitha këto janë elemente që do të jepnin një fotografi më të mirë se për çfarë njeriu bëhet fjalë, për të kaluarën e tij e kështu me radhë. Në vend kësaj, pamë fotografitë e tij në shoqëri me njerëz të afërt të partisë, që lë hapësirë për dyshime se ka pasur ndikime në zgjedhjen e tij”, tha Ivanovska.

Islam Abazi në detyrën e prokurorit për ndjekjen të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka zëvendësuar Villma Ruskovskën, në zgjedhjet e para të organizuara për caktimin e një prokurori në Maqedoninë e Veriut. Në garë ishin katër kandidatë, por Abazi ka marrë 66 vota apo dy më shumë se kundërkandidati i tij për këtë post Ermon Neziri.

“Nuk ishin përmbushur standardet minimale për transparencë gjatë procesit të zgjedhjes së prokurorit. Mungonin të dhënat për karrierën profesionale të kandidatëve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse kemi parasysh se bëhet fjalë për një prokuror, i cili do të menaxhojë Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, veprimet e të cilit janë me interes të lartë për publikun", deklaroi Ivana Petkovska, përfaqësuese e rrjetit joformal të organizatave të shoqërisë civile që operojnë në fushën e drejtësisë.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Vllado Kambovski, thotë se Islami duhet të lihet të bëjë punën, të shihet nëse do të veprojë ose jo në përputhje me dispozitat ligjore, pasi në të kundërtën do të ketë përgjegjësi.

“Nuk e di si është zgjedhur, por ai është i detyruar që në përpikëri të zbatojë ligjin pasi siç kemi parë deri më tani, edhe bartësit e funksioneve më të larta shtetërore përgjigjen para ligjit dhe ndiqen penalisht. Pra, kushdo që do të shkelë ligjin, do të përgjigjet”, vlerëson Kambovski.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, në reagimet e shumta në opinion lidhur me zgjedhjet e Islam Abazit për prokuror për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, sheh edhe reagime të nxitura në baza etnike.

Baza e reagimeve në opinion buron nga lajmi se Islam Abazi është shqiptar..."

Ai thotë se njëjtë kishte reagime me zgjedhjen e Fatmir Besimit për ministër të Mbrojtjes në vitin 2013, apo me zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit në vitin 2017.

“Mendoj se baza e reagimeve në opinion buron nga lajmi se Islam Abazi është shqiptar dhe se për herë të parë një shqiptar do të drejtojë Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ka një mendësi të vjetruar te një pjesë e qytetarëve, të cilët kanë një botëkuptim etnocentrik ndaj shtetit dhe parapëlqejnë pozicione të rezervuara vetëm për një entitet, për atë shumicë kur bëhet fjalë për drejtimin e disa institucioneve të rëndësishme shtetërore”, konsideron Neziri.

Ai thotë se Abazi është zgjedhur me votat e prokurorëve të tjerë dhe duhet të lihet të bëjë punën. Vetëm nëse bën lëshime apo e keqpërdor detyrën, thotë ai, atëherë mund të kenë bazë reagimet në opinion.

“Në rast se është selektiv në veprimtarinë e tij konform ligjit dhe nëse nuk jep rezultatet sikurse që nuk kanë dhënë prokurorët e deritashëm, atëherë do të konfirmohen këto dyshime që janë paraqitur në opinion”, shpjegon Neziri për Radion Evropa e Lirë.

Më herët, Islam Abazi ka deklaruar se në udhëheqjen e organit kryesor të akuzës është zgjedhur sepse është profesionisht dhe jo pse është pjesëtar i ndonjë partie. Ai ka deklaruar se prioritet në punën e tij do të jetë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG