Ndërlidhjet

Afrika apo vdekja? Prigozhin nuk pritet të qëndrojë gjatë në Bjellorusi


Yevgeny Prigozhin, lideri i mercenarëve të Wagner-it. Fotografi nga arkivi.
Yevgeny Prigozhin, lideri i mercenarëve të Wagner-it. Fotografi nga arkivi.

Yevgeny Prigozhin, 62-vjeçari dikur një kriminel, i shndërruar në një biznesmen miliarder e komandant lufte, është marrë me shumë detyra të vështira gjatë viteve si ndërmjetësues i Kremlinit: nga përkrahja e kleptokratëve, sundimtarëve autoritarë afrikanë e deri te pushtimi i qytetit ukrainas të Bahmutit.

Tani, pas një rebelimi të ndërprerë që sfidoi ushtrinë e Rusisë dhe i shkaktoi një krizë të madhe politike presidentit Vladimir Putin, Prigozhin është përballë detyrës së tij më të frikshme deri më tani:

Të qëndrojë gjallë. Apo të qëndrojë jashtë burgut. Ose të dyja.

Katër ditë pasi trupat e tij të Wagner-it u nisën drejt Moskës, dhe më pas u tërhoqën pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, vendndodhja e Prigozhinit është ende e paqartë.

Prigozhin ishte në Bjellorusi, tha Lukashenka më 27 qershor, edhe pse ky informacion nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

“Nëse do të isha Prigozhini, do të shikoja vazhdimisht pas krahëve”

Putin ka deklaruar publikisht se gjëja e vetme që ai nuk falë është tradhtia. Ai këtë qëndrim për vite me radhë e ka mbështetur përmes dhunës, nganjëherë edhe vdekjeprurëse, ndaj atyre që besonte se i ishin kundërvënë atij ose kombit.

Mëngjesin e 24 qershorit, pasi forcat e Prigozhinit morën nën kontroll selinë e qarkut jugor të ushtrisë ruse në Rostov-on-Don, Putin e cilësoi “tradhtar” aleatin e tij të mëparshëm dhe bëri një paralajmërim të ashpër për pasojat e pashmangshme.

“Si rregull i përgjithshëm, Putin nuk lejon që tradhtarët të kalojnë pa u ndëshkuar. Prandaj, mund të imagjinoj se ditët e Prigozhinit janë të numëruara”, tha Thomas Graham, i cili ka shërbyer si drejtor për Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë në mesin e viteve 2000.

“Nëse do të isha Prigozhini, do të shikoja vazhdimisht pas krahëve”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Bjellorusia nuk është vendi më i sigurt për të qëndruar”.

Nën udhëheqjen e Putinit, shërbimet speciale ruse kanë kryer tentim-vrasje kundër “tradhtarëve” që gjendeshin në shtete të huaja, përfshirë edhe në shtetet perëndimore.

Aleksandr Litvinenko, ish-oficeri i Shërbimit Federal të Sigurisë që vdiq në Londër pasi iu ekspozua një izotopi shumë radioaktiv dhe Sergei Skripal, ish-oficeri i inteligjencës ushtarake dhe agjent i dyfishtë i cili gati u vra në Mbretërinë e Bashkuar nga një agjent nervor i epokës sovjetike, janë dy shembujt më të mirë.
Bjellorusia, aleate e Rusisë, do të ishte një shtet edhe më i lehtë që agjentët rusë të infiltroheshin.

Por, qëllimet e Kremlinit ose ato të agjencive ruse të inteligjencës – ku Prigozhin besohet se ka aleatë dhe mbështetës – janë ende të paqarta.

Shërbimi Federal i Sigurisë, i njohur si FSB, tha më 27 qershor se do të hiqte dorë nga ndjekja penale “për rebelimin e armatosur” ndaj Prigozhinit dhe anëtarëve të Wagner-it.

Duke pasur parasysh retorikën e ashpër të Putinit dhe dënimit që ai ka bërë për tradhtarët gjatë viteve, disa ekspertë thanë se kjo gjë duket se është shenjë e dobësisë.

Aleatët dhe mbështetësit e Putinit, megjithatë, thanë se shtypja e rebelimit të Wagner-it do të ishte edhe më e keqe për Rusinë dhe për presidentin, mbështetja publike për të cilin – e bazuar në ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit – ka filluar të bie për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Prigozhin nuk është parë që nga mbrëmja e 24 qershorit, kur mbështetësit e tij bënin fotografi me të teksa ai largohej me makinën e tij nga qyteti i Rostov-on-Donit.

Ai ka postuar një audio-mesazh në kanalin e tij në Telegram më 26 qershor. Në atë mesazh ai tha se Lukashenka e kontaktoi “për të gjetur zgjidhje që do të mundësonte që grupi Wagner të vazhdojë të punojë në mënyrë ligjore”. Prigozhin nuk tregoi se ku ndodhej.

Një ditë më pas, Lukashenka deklaroi në Minks se Prigozhin kishte arritur në shtetin e tij.

Po të njëjtën ditë, një avion privat që më herët ishte përdorur nga Prigozhini, ateroi në një bazë ajrore jashtë kryeqytetit bjellorus, Minsk. REL-i nuk ka mundur të konfirmojë nëse lideri i mercenarëve ishte në bordin e këtij avioni.

“Gjëja e fundit që [Prigozhini] do është të shkojë në Bjellorusi dhe të heqë dorë nga kontrolli i Wagner-it”, tha në një podkast më 26 qershor Dmitri Alperovitch, ekspert për Rusinë dhe kryetar i Silverado Policy Accelerator, institut me seli në Uashington. “Nuk jam i sigurt se si do të vazhdojë kjo situatë”.

A do të qëndrojë Prigozhini në Bjellorusi?

Edhe nëse prania e Prigozhinit në Bjellorusi konfirmohet, një pyetje më e madhe është nëse ai do të qëndrojë atje apo do të zhvendoset në ndonjë shtet tjetër, për shembull në një prej disa shteteve afrikane ku kompanitë e tij dhe ushtarët e tij kanë operuar për vite të tëra.

Olga Romanova, një komentatore politike ruse dhe ish-gazetare, tha se dyshon që Prigozhin do të qëndrojë në Bjellorusi për shkaqe sigurie.

“Mendoj se ai do të largohet [nga Bjellorusia] në mënyrë shumë të heshtur dhe papritmas do të shfaqet diku në Afrikë, ku ai gjithmonë shfaqet”, tha ajo për Current Time, një rrjet në gjuhën ruse që udhëhiqet nga REL-i në bashkëpunim me Zërin e Amerikës. “Nuk mendoj se Prigozhini do të jetojë gjatë. Ai definitivisht nuk do të mbijetojë deri në fund të vitit”.

Se si ai do të shkojë deri në Afrikë është një çështje tjetër.

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar grupin mercenar, si dhe shumë kompani të lidhura me të dhe individë “për ndërhyrje dhe destabilizim të shteteve në Afrikë, për shkelje të gjera të të drejtave të njeriut dhe për përvetësim të burimeve natyrore”.

Vetë Prigozhin është paditur nga SHBA-ja më 2018 për dyshimet se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane dy vjet më parë.

Kjo do t’ia vështirësojë atij që të fluturojë drejt Afrikës, qoftë edhe me avionin e tij privat.

Ngritja e Prigozhinit ka qenë meteorike: nga një shitës i hot-dogëve në Shën Petersburg në një miliarder të fuqishëm të gastronomisë, që ka organizuar ngjarje luksoze të Putinit, e pastaj në udhëheqjen e forcave të sanksionuara mercenare në mënyrë aktive në Afrikë dhe Lindje të Mesme.

Biznesmeni ktheu fokusin e tij në Ukrainë vitin e kaluar, pasi pushtimi rus nisi të ngecte, pjesërisht për shkak të mungesës së ushtarëve. Ai rriti numrin e pjesëtarëve të Wagner-it duke rekrutuar të burgosur nga burgjet ruse dhe i dërgoi ata në sulmin në Bahmut. Në maj, trupat e tij morën qytetin, që paraqiti fitoren e parë të madhe ruse pas dhjetë muajsh.

Fitorja në Bahmut u cilësua si një “Fitore e Pirros”. Prigozhin tha se në betejën për këtë qytet ka humbur afër 20.000 luftëtarë të grupit të tij mercenar dhe ai kritikoi udhëheqjen ushtarake ruse, duke e akuzuar për keqmenaxhim të përpjekjeve të luftës dhe ndalimit të furnizimeve për Wagner-in.

Ndoshta nga frika e autonomisë së Prigozhinit dhe rritjes së popullaritetit të tij, Putin ra dakord që forcat e Wagner-it të viheshin nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes deri më 1 korrik. Shumë ekspertë thanë se ky ishte faktori kryesor që nxiti rebelimin.

Prigozhini e pa atë dekret presidencial si “kërcënim ekzistencial” për perandorinë e tij biznesore, tha gjatë një podkasti të publikuar më 26 qershor Catrina Doxsee, eksperte në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

E ardhmja e Wagner-it po ashtu është e paqartë.

Ministria e Mbrojtjes tha se luftëtarët e grupit do të kthejnë pajisjet ushtarake tek ushtria. Putin po ashtu publikisht u ankua se Wagner-i kishte pranuar 80 miliardë rubla, apo rreth 1 miliard dollarë, gjatë vitit të kaluar nga fondet shtetërore, një sinjal se financat e Wagner-it po ashtu mund të jenë subjekt i hetimeve nga autoritetet.

Disa burra që kanë luftuar për Wagner-in kanë thënë se kurrë nuk do të pajtoheshin që të luftonin nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Lidhja bjelloruse

Edhe pse Lukashenka tha se reagoi për të ndaluar rebelimin, ekspertët thanë se ai mund të ketë qenë thjesht një ndërmjetës që u soll në këtë situatë që Putin të mos turpërohej duke negociuar me një rebel.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duket se mbështeti pretendimin e Lukashenkës, duke thënë se lideri bjellorus dhe Prigozhin njihen qe 20 vjet.

Më 2020, Lukashenka kishte arrestuar dhe dëbuar mbi 30 luftëtarë të Wagner-it, që i akuzoi se po tentonin të shkaktonin trazira. Atij ndoshta do t’i duhen luftëtarët mercenarë, kësaj radhe për vete, thanë ekspertët.

Luftëtarët e Wagner-it – që mund të jenë deri në 25.000 – konsiderohen si disa prej personave më me përvojë në ushtrinë ruse.

“Nëse komandantët e tyre vijnë te ne dhe na ndihmojnë, na tregojnë se çfarë është e rëndësishme tani, kjo do të ishte e paçmueshme”, tha Lukashenka më 27 qershor.

Bjellorusi nuk ka nevojë të ketë frikë nga prania e papritur e Wagner-it në këtë shtet, tha ai, sepse Qeveria e tij “do t’i vëzhgojë ata nga afër”.

Lukashenka “mund të jetë duke luajtur lojën e tij” me këtë marrëveshje, tha Mark Katz, një specialist në Universitetin George Mason në Uashington D.C.

“Qëndrimi i Prigozhinit në Bjellorusi ofron një lloj të avantazhit”, tha ai për REL-in. Lukashenka “nuk është kukull e Putinit”.

Katz tha se marrëveshja u arrit aq shpejt dhe se Lukashenka, Putini dhe Prigozhini janë aq dyshues ndaj njëri-tjetrit sa që pasojat e këtij mosbesimi mund të shfaqen. Po ashtu ka shumë gjasa që Prigozhin të vritet brenda disa muajve, tha ai.

“Mundësia që këta persona t’i kundërvihen njëri-tjetrit është shumë e lartë”, tha Katz. “Ka një lloj përzierje të lakmisë dhe frikës në këtë çështje nga të gjitha palët. Asnjëri prej tyre nuk mund t’i besojë tjetrit”.

Oferta e Putinit

Është e paqartë nëse forcat e Wagner-it do të ndjekin Prigozhinin dhe do të shkojnë në Bjellorusi, nëse lideri i këtij grupi mercenar vendos të qëndrojë në këtë shtet. Prigozhin ka pretenduar se vetëm rreth 2 për qind e luftëtarëve të tij duan të nënshkruajnë kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes.

Gjatë një adresimi në televizionin shtetëror më 26 qershor, Putin bëri një hap të vështirë për të joshur luftëtarët e Wagner-it që të braktisin Prigozhinin dhe t’iu bashkohen forcave të armatosura ruse, të cilat ende po përballet me mungesë të ushtarëve në Ukrainë.

Ka raportime që regjimi i Lukashenkës ka nisur të ndërtojë një kamp për afër 8.000 luftëtarë të Wagner-it në Osipoviçi, që gjendet në Bjellorusinë qendrore.

“Është e vështirë për mua të imagjinoj që Putini do të lejojë Prigozhinin të vendoset në Bjellorusi së bashku me luftëtarët e tij”, tha Graham. “Pse Prigozhini nuk mund të bëjë nga Bjellorusia atë që e bëri nga lindja e Ukrainës?”.

“Lukashenka “nuk mund ta mbrojë atë”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG