Ndërlidhjet

Për Putinin, lufta në Ukrainë vështirë të fitohet, por edhe më vështirë të përfundohet


Presidenti rus, Vladimir Putin, i rrethuar nga gjenerali, Valery Gerasimov, (majtas) dhe ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i rrethuar nga gjenerali, Valery Gerasimov, (majtas) dhe ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Lawrence Freedman ia ka dedikuar jetën profesionale studimit të luftës dhe diplomacisë. Freedman, një historian britanik, është i specializuar në marrëdhënie të jashtme, politika të jashtme dhe strategji.

Ai ka publikuar artikuj shkencorë mbi Luftën e Ftohtë, frenimin e përdorimit të armëve bërthamore dhe politikat e operacioneve ushtarake.

Në vitin 2019, Shtëpia Botuese e Universitetit të Oxfordit publikoi librin e tij “Ukraina dhe arti i strategjisë, një raportim i origjinës dhe rrjedhës së konfliktit Rusi-Ukrainë përmes lenteve të strategjisë”.

Një komentues për çështjet bashkëkohore të mbrojtjes dhe politikës së jashtme, ai shërbeu si anëtar i hetimeve Chilcot, një hetim mbi rolin e Mbretërisë së Bashkuar në Luftën e Irakut.

Freedman foli me Shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë për luftën e pakuptimtë në Ukrainë, mundësinë e fitores totale nga secila palë dhe se pse ai nuk mendon se Putini do të përdorë një armë bërthamore.

Radio Evropa e Lirë: Një temë e përsëritur në librat tuaj mbi strategjinë është se luftërat rrallë, nëse ndonjëherë, shkojnë siç janë planifikuar. Dhe, kur nuk e bëjnë, atëherë gjithçka ka të bëjë me kostot për gabimet e bëra. A është lufta në Ukrainë një rast klasik i kësaj? Nëse po, çfarë do të thotë kjo për Rusinë?

Lawrence Freedman: Është një rast ekstrem. Disa prej nesh [studiuesve] ishim skeptikë nëse Rusia do të shkonte ndonjëherë në luftë. Unë nuk e kam përjashtuar kurrë këtë mundësi. Themelet e skepticizmit ishin kryesisht të bazuara në idenë se Rusia kurrë nuk do të mund të fitonte – vetëm nga fakti i madhësisë territoriale dhe numrit të madh të popullsisë së Ukrainës, fuqisë së saj punëtore, dhe do t’i duhej dedikim i pafundmë për t'u marrë me kryengritjet dhe rezistencën e kështu me radhë.

Rusia nuk ishte e suksesshme as në operacionin fillestar ushtarak në Ukrainë. Pra, ky është shembull edhe më i mirë për të treguar që luftërat nuk shkojnë ashtu siç planifikohen, sesa, të themi, Iraku më 2003.

Sepse në Irak më 2003, pjesa ushtarake shkoi fillimisht sipas planit; problemi ishin pasojat. Ata kurrë nuk i kalkuluan pasojat e kësaj lufte.

Në vend të disa ditëve, të cilat mendonin se do të përfundonin me një qeveri marionetë në Kiev, tani keni këtë luftë vdekjeprurëse, e cila ka shkatërruar Ukrainën dhe ka marrë një dekadë modernizimi ushtarak nga Rusia dhe ka parë dhjetëra mijëra -- ndoshta mbi 100.000 -- të vrarë. Për shumë pak fitim. Fitimet që arritën rusët ishin kryesisht në fillim të luftës.

Nëse shikoni përparimin ushtarak për Rusinë, edhe duke marrë parasysh Soledarin (qytet në rajonin e Donjeckut), ndoshta edhe Bahmutin (një qytet në rajonin e Donjeckut), fitorja është shumë margjinale. Dhe, ajo që ata kanë sekuestruar është shkatërruar gjatë procesit. Pra, nuk është sikur kanë kapur pasuri të mëdha.

Pra, kjo është me të vërtetë një luftë jashtëzakonisht e pakuptimtë.


Radio Evropa e Lirë: Duke folur për Irakun, përgjigja juaj e prerë, por shumë precize, për mësimet për Britaninë në lidhje me përfshirjen e saj në luftën e Irakut ishte: "Mos e përsërisni më". A i shihni në ndonjë moment rusët duke përqafuar atë pak mençuri të vetëkuptueshme?

Lawrence Freedman: Mendoj se për momentin është e qartë se ka shumë rusë që janë plotësisht të vetëdijshëm se sa keq ka shkuar kjo, se si asnjë nga objektivat e Rusisë nuk është arritur me të vërtetë dhe se kjo e ka kthyer vendin vite mbrapa.

Ekonomia ishte mirë vitin e kaluar për shkak të çmimeve të energjisë, por çmimet e energjisë kanë rënë dhe ata kanë humbur tregun e tyre. Nuk ka asnjë investim në Rusi. Pra, tani është në një periudhë rënieje ekonomike.

Pra, shumë rusë e dinë mirë këtë. Por, ka një lloj efekti rrethues apo grumbullues që po ndodh mes njerëzve. Nuk është një atmosferë, në të cilën njerëzit do të shprehin mendime tradhtare. Dhe kështu shoh, mes shumë rusëve, se janë në një gjendje mohimi. Unë mendoj se problemi për [presidentin rus, Vladimir] Putinit është, në një farë kuptimi, përfundimi i kësaj pa arritur objektivat e tij.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta përfundojë?

Lawrence Freedman: Mendoj se është shumë e vështirë për të, sepse sapo ta mbarojë, ka një llogari. Dhe, kostoja e kësaj lufte do të duhet të vendoset kundër çdo gjëje që është fituar. Unë mendoj se kjo po ndikon në strategjinë për momentin…. Shpjegimi im i vetëm për atë që po ndodh dhe egërsinë me të cilën ata kanë shkuar për Bahmut, është se ata ende e kanë këtë ide se nëse mund të marrin të gjithë Donjeckun dhe ta mbajnë të gjithë Luhanskun, kjo mund të funksionojë.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta shesin si fitore një diçka të tillë?

Lawrence Freedman: Mund të funksionojë si një fitore që ata mund ta shesin. Problemi i tyre është se ukrainasit më së shumti mund të pranojnë një armëpushim. Ata, sigurisht, nuk do të bien dakord për një armëpushim për sa i përket transferimit të sovranitetit. Pra, nuk i çon shumë larg në praktikë. Thjesht do të thotë mbesin në një situatë në thelb të paqëndrueshme. Por, me këtë do të mbeten gjithsesi, si rezultat i kësaj, derisa të vijë një qeveri tjetër ruse me një qëndrim tjetër ndaj Ukrainës.

Pra, mësimi fillestar i luftës është që ajo është më e lehtë të fillohet se sa të kryhet. Duhet të kemi parasysh se kjo luftë ka filluar praktikisht në vitin 2014. Por, është përmbajtur - dhe një nga çështjet që duhet menduar është se a do të mund të përmbahet në të ardhmen në ndonjë formë. Konflikti nuk ishte i ngrirë, njerëzit po vdisnin. Por, se a do të jetë i ngrirë në ndonjë mënyrë në të ardhmen, nuk e di. Mes mundësive, mund të jetë një konflikt i ngrirë deri diku.

Është e pamundur të shihet një marrëveshje e plotë paqeje për momentin, për shkak të dëmshpërblimeve, çështjet e krimeve të luftës.

Për t'i dhënë fund kësaj lufte, duhet një qeveri tjetër në Moskë, ose që Putini në një farë mënyre të mënjanohet. Dhe, nuk ka asnjë shenjë për këtë, aktualisht. Por, mund të ndodhë. Dua të them, askush nuk e di se çfarë po ndodh në Moskë.

Radio Evropa e Lirë: A është dakordimi për një armëpushim skenar më i mundshëm sesa një fitore e plotë për njërën apo tjetrën palë?

Lawrence Freedman: Nuk mendoj se Rusia mund të arrijë një fitore të plotë, sepse thjesht nuk e shoh se si mund ta nënshtrojë Ukrainën tani. Pra, mund të ripërcaktojë fitoren.

Radio Evropa e Lirë: A mund të mposhtet Rusia plotësisht?

Lawrence Freedman: Nëse Ukraina do të ishte në gjendje të largonte forcat ruse nga e gjithë Ukraina, kjo do të ishte një humbje. Nuk është krejtësisht e pamundur, por mendoj se për momentin është shumë e vështirë. Nuk është e pamundur. Mendoj se humbja e Krimesë do të ishte pa mëdyshje një humbje e madhe për Putinin.

Që rusët të shtyhen diku tjetër -- në kufijtë e 2013-ës ose në kufijtë e 1991-shit -- ndoshta mund të jetë e menaxhueshme me një lloj garancie për rusët. Supozimi im është se vjen një moment kur nuk ka më shumë vlerë për t’i mbajtur ato që, në thelb, janë të njëjtat enklava, me të cilat ata filluan këtë.

Unë nuk jam i bindur se, nëse do të isha një gjeneral ukrainas, do të shqetësohesha aq shumë për të pritur që të më duhej t'i shtyja rusët çdo pëllëmbë të rrugës. Unë mendoj se në një moment të caktuar nevoja e forcave ruse për të rindërtuar veten dhe pakuptimësia e [mbajtjes së] pjesëve të territorit, nëse kjo është gjithçka ku ata po mbahen, ndoshta do të thotë se do t'u përshtatej [forcave ruse] të kishin një shkëputje me shpresën për t'u dhënë atyre pak hapësirë për frymëmarrje…

Po t’i balancojmë, ukrainasit kanë më shumë shanse për të fituar se rusët, të cilët nuk mendoj se kanë fare shanse për sa i përket objektivave të tyre fillestare. Por, ata mund t'i rikonceptojnë ato. Mirëpo, për ukrainasit, është gjithashtu shumë e vështirë, prandaj ka më shumë gjasa të ketë një përfundim të çrregullt sesa një përfundim të rregullt…dhe ardhja deri tek ai përfundim do të zgjasë për ca kohë.

Radio Evropa e Lirë: Po një fitore e pjesshme me të meta për Ukrainën? Si mund të duket kjo?

Lawrence Freedman: Nëse shikoni mbrapa në atë që u tha nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fillim të luftës, ata mund të kishin jetuar, mendoj, me kthimin e kufijve deri më 23 shkurt. (Pushtimi i Ukrainës nga Rusia filloi më 24 shkurt 2022.) Ata mund të mos e kishin pranuar atë, por Zelensky po mendonte qartë për zgjidhjet e përbashkëta të shtetësisë për disa nga problemet. Kishte mënyra, mendoj unë, në të cilat ata mund të imagjinonin të jetonin me situatën.

Kjo është bërë shumë më e vështirë. Kishte atëherë një periudhë, nga shtatori, kur ukrainasit u bënë mjaft optimistë për atë që mund të bënin, sepse dukej se ishin në avantazh-- [por] më pas rusët u mobilizuan. Dhe, është bërë më e ashpër sepse vetëm numrat bënë një ndryshim. Rusët janë më të organizuar tani, në përgjithësi. Ata kanë pasur kohë për të rregulluar mobilizimin, për të gjetur se çfarë po bëjnë me trupat; forma e përgjithshme ka qenë më e mirë. Dhe moti nuk ka qenë i favorshëm [për trupat ukrainase]. Pra, të dyja palët tani janë në kërkim të ofensivave të reja…

Tani, mendoj se është krijuar një këndvështrim që rusët i kanë numrat, gjë që nuk i kishin më parë, por nuk i kanë pajisjet, sepse kanë humbur shumë prej tyre. Edhe kështu, pajisjet e tyre janë goxha të dobëta. Pra, ata me të vërtetë do të mbështeten në forcën brutale dhe numrin e madh të viktimave për t'ia dalë mbanë.

Ukrainasit po kërkojnë të kenë më shumë manovra. Por, siç e kemi parë, manovrimi nuk është i lehtë në këto fusha beteje nëse nuk gjejnë vend vërtet të prekshëm në vijat e para të armikut. Kështu që mendoj se po presim tani për dy muajt e ardhshëm. Dhe, kur të shohim se si funksionon kjo, do të kemi një ide më të mirë për qëndrueshmërinë e të dyja palëve.

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket lidershipit [ushtarak] rus, më lejoni t'ju pyes për këtë riorganizim që u bë. Gjenerali Valery Gerasimov u vu në krye të fushatës për Ukrainën dhe ai thuhet se mori një komandë të qartë nga Putini për të pushtuar të gjithë Donbasin përpara marsit. A është kjo një faqe nga libri i titulluar Merrni Kievin në tre ditë?

Lawrence Freedman: Nëse Putini do të donte ta bënte këtë, kjo mund të nënkuptojë se ai e ka mendjen se do të kënaqej me Donbasin, nëse ky është urdhri. Ky është vetëm një raport; E kam parë edhe unë. [Gerasimov] do ta ketë shumë të vështirë ta bëjë këtë. Dua të them, ata mund të marrin Bahmutin. Është një betejë e vështirë për ukrainasit tani, por ata kanë qenë heroikë, por me një kosto të lartë.

Gjithmonë duhet të ketë gjykime për kostot që jeni gati të merrni, [për shembull] nëse kjo do të thotë se humbni shumë nga trupat tuaja më të mira për ofensivën e mëvonshme. Unë mendoj se ajo që ata morën përpara këtij riorganizimi të fundit ishin mbrojtje më të mira; linjat mbrojtëse ruse u përmirësuan. Kishim edhe grupin [paraushtarak privat] Wagner që po vazhdonte me të vetmen ofensivë. Unë mendoj se [për sa i përket Putinit], pikëpamja është se nuk është mjaft e mirë vetëm që të jesh mbrojtës. Ata duan të kthehen në ofensivë. Dhe padyshim, kjo është edhe pamja nga Ukraina.

Mendoj se një ofensivë ruse gjatë javëve të ardhshme... do të ishte shumë e vështirë. Ukrainasit po flasin për numrat rusë dhe për shkallën e mundshme të mobilizimit të ardhshëm, sepse ukrainasit duan t’i mbajnë këto armë që vijnë nga Perëndimi, gjë që ka kuptim të përsosur…. Mendoj se Rusia ka kapacitetin për një pozicion mjaft të ashpër mbrojtës. Nuk jam i sigurt se ata kanë fuqinë luftarake për të mposhtur ukrainasit në rast se ata bëhen sulmues…. Nëse do të isha ukrainasit, pothuajse do të tundohesha të prisja që ofensiva ruse të vinte e para, sepse mendoj se do të ishte më e lehtë për ta mposhtur atë sesa për të ngritur një të tillë vetë.

Radio Evropa e Lirë: Sado e pakëndshme që mund të jetë, doja t'ju kërkoja gjithashtu ta shikoni këtë nga perspektiva ruse. Për ta parë atë me sytë e Gerasimovit dhe për të parë se çfarë kuptimi ka strategjikisht...

Lawrence Freedman: Nuk mendoj se shumë gjëra kanë kuptim për rusët. Kurrë nuk e kam parë. Sepse është shumë e vështirë të pushtosh territorin e dikujt tjetër. Tani, ka pjesë të Donbasit që ata tashmë kanë pushtuar, të cilat tani kanë hequr dorë nga fuqia e tyre njerëzore për këtë luftë. Ndoshta ata janë në kontroll atje. Ndoshta ata mund t'i imponohen Mariupolit. (Trupat ruse pushtuan portin e Detit Azov në maj.) Por, është mjaft e vështirë dhe gjithmonë do të ketë pyetje për sabotim e kështu me radhë. Është shumë e vështirë -- siç e dimë ne, siç e di Perëndimi -- të zësh vend aty ku nuk je i mirëpritur.

Nuk mendoj se ka zgjidhje të mira për Rusinë. Realisht. Mund të ketë zgjidhje që kënaqin Kremlinin në një afat të shkurtër dhe, siç them unë -- duke pasur parasysh se do të jetë shumë e vështirë për ta të qëndrojnë, të marrin të gjitha rajonet jugore të Hersonit dhe Zaporizhjas. Unë mendoj se menaxhimi më i mirë që mund të bëjnë është Donbasi, por ata janë ende shumë larg për të kapur të gjithë rajonin e Donjeckut.

Kjo është aq sa mund të bëjnë ushtarakisht. E, megjithatë, është gjithmonë kjo ndjenjë e pakëndshme se, për Putinin, shkatërrimi i Ukrainës si një vend modern është pothuajse po aq i rëndësishëm sa çdo gjë tjetër tani. Ka një aspekt hakmarrjeje që ata refuzojnë t'i përkulen vullnetit të tij.

Ushtarakisht, mendoj se ka vetëm opsione të kufizuara për Rusinë, por ata mund të përpiqen. Po të isha Ukraina, nuk do të doja të nxitoja. Unë nuk mendoj se ata do të kenë shumë shanse në një ofensivë të madhe, as nuk mendoj se Rusia ka shumë shanse në një ofensivë të re të madhe…. Pra, lëvizjet e ardhshme të mëdha janë të rëndësishme…

Unë do të thosha, nga pikëpamja ukrainase, në situatën kur rusët janë hapur në një përpjekje për të avancuar -- me supozimin se ata mund të ndalohen -- do të ishte më mirë dhe më e lehtë për t'u përballuar. Pothuajse duket si viti 1918, ku keni ofensivën e madhe gjermane, e cila u lodh dhe më pas u kthyen aleatët.

Pra, mendoj se padurimi i Putinit është një problem për komandën ruse. Gerasimovi ka qenë gjithmonë atje; nuk është sikur të ishte i sapoardhur në situatë… Ajo që ai po bën është të sigurohet që vullneti i Putinit të realizohet, dhe vullneti i Putinit për momentin duket se ka nevojë për më shumë ofensivë, dhe ata qartësisht po përgatiten për diçka. Por, saktësisht se çfarë dhe kur, është e vështirë të jesh i sigurt për momentin.

Radio Evropa e Lirë: Po përgatiten, po dyfishohen. A duhet, mundet dhe a do të dyfishohet edhe Perëndimi?

Lawrence Freedman: Ka dy lloje kufizimesh në atë që Perëndimi po bën; ose në fakt mund të argumentohen tri kufizime. Njëra është ekonomike. Perëndimi e ka marrë goditjen… kështu që çdo gjë që Putini po përpiqej të bënte me krizën e energjisë funksionoi në kuptimin që ka qenë një vit destabilizues ekonomikisht dhe politikisht, për Evropën në veçanti. Por, ata po e kalojnë atë, ndoshta me më shumë probleme që do të vijnë, por me aq telashe sa shpresonte Putini.

*Video: EXPOSÉ


Së dyti, ka këtu pyetje politike në lidhje me provokimin e Rusisë, për shtyrjen shumë larg rrezikut të përshkallëzimit, gjë që ju e shihni në mënyra të ndryshme në debatet e Uashingtonit dhe Berlinit.

Mendoj se debati i Berlinit është pothuajse i pakuptueshëm ndonjëherë: dallimet e ngushta midis llojeve të tankeve e kështu me radhë. Debati amerikan është më i kuptueshëm: Në thelb, nëse i lejoni ukrainasit të sulmojnë territorin rus në mënyrë të qëndrueshme, kjo mund të jetë përshkallëzuese.

Dhe, është elementi i tretë, që mendoj se është më seriozi: Ka të bëjë me inventarin, stoqet, logjistikën, mirëmbajtjen dhe praktikën e plotë të marrjes së sendeve që ukrainasit mund t'i përdorin në mënyrë efektive. Ky, mendoj, është një faktor frenues, por ky nuk është një faktor përkushtimi. Mendoj se përkushtimi politik është aty. Nuk po dëgjojmë komente të tipit "Oh, Zelensky, duhet të negocioni"….

Nëse Putini do të kishte arritur të dilte me diçka që dukej si një kompromis, që dukej se mund të çonte në një lloj rrugëdaljeje, presioni ndaj Zelenskyt për ta marrë seriozisht, do të ishte i konsiderueshëm. Por, ai nuk ka. Dhe, unë mendoj se presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, të gjithë e pranojnë këtë, së bashku me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, dhe presidentin amerikan, Joe Biden.

Pra, nuk mendoj se angazhimi paraqet problem. Kapaciteti është problemi. Dhe, ata do të duhet të punojnë shumë për këtë. Një nga zhgënjimet në një farë mënyre është që nuk është bërë më shumë përpjekje deri tani për të përgatitur prodhimin. Po ndodh, por po merr pak kohë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat do të ishin synimet reale të luftës për Perëndimin këtu? A ndryshojnë ato nga qëllimet e Ukrainës?

Lawrence Freedman: Pozicioni ka qenë gjithmonë se, në disa aspekte, qëllimet e luftës vendosen nga njerëzit që po e luftojnë luftën. Dhe kjo është Ukraina. Edhe pse unë mendoj se një nga idetë më të rrezikshme për momentin është se kjo është një luftë “proxy” [luftërat mes shteteve më të forta që zhvillohen në shtete tjera; për shembull luftërat në Vietnam, Kore Jugore, Afganistan, Kriza e Raketave në Kubë – që u zhvilluan nga SHBA-ja dhe ish-BRSS gjatë Luftës së Ftohtë], dhe ukrainasit po luftojnë vërtet për amerikanët.

Radio Evropa e Lirë: Deri në të fundit në Ukrainë…

Lawrence Freedman: Unë e shoh atë një lloj analize të neveritshme. Kjo shpesh shoqërohet me një pohim se objektivi perëndimor është të inkurajojë copëtimin e Rusisë, që nuk mendoj se është aspak objektivi perëndimor. Nuk mendoj se ka njeri që beson veçanërisht se kjo do të prodhonte stabilitet në Evropë apo çfarëdo tjetër. Disa njerëz mund të mendojnë kështu, por kjo nuk është një pikëpamje zyrtare e qeverive perëndimore.

Mendoj se për ta më mirë do të ishte të kishte qeveri serioze në Moskë, e cila do të kishte një farë legjitimiteti dhe do të ishte në gjendje të sillej arsyeshëm me fqinjët e saj dhe me pjesën tjetër të botës. Por, kjo është disi larg. Porse, nuk ka kuptim që Perëndimi të ketë objektiva për Rusinë, sepse kjo do të varet nga kaq shumë faktorë brenda vetë Rusisë; nuk është një arsye për të luftuar një luftë. Pra, objektivat perëndimore janë formuluar në kuptimin e pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës. Dhe, ja ku jemi.

Unë nuk mendoj se Perëndimi do ta shtynte Ukrainën të ketë objektiva më radikale ose më maksimaliste sesa janë të përgatitur të pranojnë ukrainasit. Nëse ukrainasit do të ishin të gatshëm të vinin në një farë kompromisi, unë dyshoj se do të pranohej nga Perëndimi, ndërsa nëse ukrainasit duan të luftojnë do të pranohet…

Nuk ka kuptim të jesh naiv për këtë. Do të vijë një pikë -- nëse ekziston ende ajo që duket si një ngërç ushtarak, që nuk jam i sigurt se ka gjasa; Unë mendoj se do të ketë lëvizje të një lloji ose një tjetër -- nëse gjërat duken, të themi, në gjashtë muaj si duken tani, mendoj se vetëm çështjet e kapacitetit do të shtyjnë të përpiqemi të gjejmë një mënyrë për të paktën të ndalojmë konfliktin.

Unë nuk mendoj se është një çështje që Perëndimi dëshiron gjëra të ndryshme nga sa duan ukrainasit. Siç ndodh gjithmonë me luftërat, qëllimet dhe mjetet duhet të jenë në një linjë. Dhe nëse mjetet nuk janë aty, atëherë mund t'ju duhet të pranoni rezultate, të paktën në afat të shkurtër, që janë të pakëndshme...

Radio Evropa e Lirë: Kur Perëndimi po flet për të mos lejuar Putinin dhe Rusinë të kenë sukses në Ukrainë, shpesh shoqërohet me shprehjen "duke i shkaktuar disfatë strategjike Rusisë". Dhe, unë do të doja t'ju pyesja, si duket ajo disfatë strategjike?

Lawrence Freedman: Epo, unë mendoj se në momentin që ata po përballen me disfatën strategjike -- në atë që i vendosën vetes një objektiv, të cilin nuk e kanë arritur -- ata tashmë, në këtë kuptim, janë të mundur.

Tani, mund të ketë objektiva ndihmëse. Më 25 mars, objektivi ndihmës ishte ta merrnin Donbasin, por ata ende nuk e kanë arritur këtë. Pra, nuk mendoj se humbja strategjike në vetvete është një koncept shumë i vështirë. Çështja është se sa e njohin rusët. Problemi me këtë që nga dita e parë ka qenë se ka nevojë që rusët t'i japin fund kësaj lufte. Dhe, Putini ka refuzuar t'i japë fund dhe ka frikë t'i japë fund, mendoj unë. Pra, lufta vazhdon me të gjitha kostot njerëzore që sjell. Dhe derisa të ketë një përcaktim në Rusi se strategjikisht kjo është një lojë humbëse dhe, disi, ata duhet të dalin nga kjo rrëmujë.

Nëse hynte Perëndimi, nëse ushtritë e NATO-s do t'i bashkoheshin Ukrainës, atëherë përfundimi i kësaj lufte do të ishte shumë i thjeshtë, por shumë i rrezikshëm… Dhe kështu, ka shumë gjëra që ne po presim, por disi gjëja më e madhe që po presim është një moment ku Moska vendos që në fakt kjo nuk po shkon askund dhe nuk mund të përballojë ta vazhdojë me kaq pak për të treguar për të.

Radio Evropa e Lirë: Mendoj se një nga frikët më të mëdha të Perëndimit është skenari se Rusia përdor një armë bërthamore. Ju shkruat: "Rreziqet politike të çdo sulmi bërthamor në Ukrainë do të tejkalojnë përfitimet e mundshme. Këto do të përfshijnë viktima të mundshme kolaterale midis rusëve etnikë në Ukrainë dhe pasoja radioaktive që fryjnë në Rusi".

Megjithatë, mendoj se kjo analizë bazohet në supozimin se Putini do të vlerësojë situatën dhe do të sillet në një mënyrë racionale. A do ai një gjë të tillë?

Lawrence Freedman: Unë kam qenë mjaft i qëndrueshëm në pikëpamjen time për këtë, dhe asgjë nuk më ka bërë të ndryshoj mendimin. Për shkak se Putini ka marrë një vendim pa kuptim, ka gjithmonë një mundësi që ai të marrë një tjetër. Por, fakti është se ai ka përdorur armët bërthamore në mënyrë shumë efektive si parandalim.

Nëse armët bërthamore nuk do të ekzistonin, atëherë nuk ka asnjë arsye për të supozuar se Perëndimi nuk do të luftonte krah për krah me Ukrainën për të mposhtur agresionin rus.

Putini e bëri të qartë më 24 shkurt dhe e përsëriti më 27 shkurt dhe ai e ka përsëritur që nga ajo kohë, se rreziku i luftës bërthamore - ai nuk e shprehu plotësisht në ato terma, por kjo është në fakt ajo që ai do të thotë - - hyn në lojë sapo NATO përfshihet drejtpërdrejt nga pala ukrainase… Dhe, ky parandalim ka funksionuar. Njëlloj, ai është penguar të sulmojë vendet e NATO-s. Pra, është mirë, përmban konfliktin. Ai është përshkallëzuar; nëse dëshiron të lëndojë ukrainasit, ai ka treguar se mund ta bëjë këtë. Dhe, nëse ai dëshiron të përdorë fuqinë e zjarrit, ai ka fuqi zjarri. Por në fakt, armët taktike bërthamore thjesht sjellin një ngarkesë të tërë komplikimesh në aspektin operacional dhe rrezikojnë - siç i është thënë, me sa jemi në dijeni - pikërisht llojin e angazhimit perëndimor që ai dëshiron të shmangë.

Pra, mendoj se frika ishte shumë më e madhe disa muaj më parë, kur dukej se Ukraina po përparonte mirë, duke i shtyrë rusët prapa, por gjithmonë mendoja se ishte e ekzagjeruar.

Nuk mund ta përjashtojmë që Rusia është një fuqi bërthamore me shumë aftësi. Por, është rrezik i lartë për Rusinë pa përfitime të dukshme. Një pjesë e rrezikut është se ata mund të përdorin këtë lëndë dhe raketa të rrëzohet, rrëzohet, ose nuk shpërthen siç duhet, ose shpërthen ose çfarëdo tjetër. Askush nuk e ka përdorur këtë material për një kohë të gjatë. Pra, nuk është diçka që mund ta përjashtojmë -- dhe mendoj se do të kishim një tregues mjaft të mirë se diçka ishte në rregull -- por nuk e shoh diçka të tillë duke ndodhur për momentin.

Përgatiti: Gresa Kraja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG