Ndërlidhjet

Me postë e TikTok, paratë false vërshojnë tregun


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Qindra mijëra euro false dyshohet se qarkullojnë në tregun e Kosovës.

Ardianë Pajaziti nga Prishtina thotë se është përballur vetë me monedha të tilla.

“Duke blerë bukë dhe duke qenë furrë e lagjes... Punëtorja me mirësjellje më ka treguar se paratë janë fals. Monedha ka qenë 2 euro. Kjo përvojë më ka bërë të jem më e kujdesshme se çfarë monedhash pranoj në shërbime të ndryshme”, thotë Pajaziti për Radion Evropa e Lirë.

Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

“E kupton që monedha metalike 2 euro është false, sepse është më e lehtë, pra dallon trashësia dhe diametri. Imazhi i saj është më i dobët dhe ndonjëherë ka ndonjë shkronjë të deformuar”, thotë bashkëqytetarja e saj, Fjolla Vukshinaj, e cila po ashtu ka hasur në para false.

Praninë e parave false e konfirmojnë edhe aksionet e policisë së Kosovës për konfiskimin e tyre dhe arrestimin e falsifikuesve.

Nga janari deri në prill të këtij viti, policia ka iniciuar 363 raste për veprën penale “falsifikim i parasë”.

Në një aksion më 13 prill u konfiskuan 10.600 euro false. Të gjitha paratë e konfiskuara ishin monedha prej 2 eurosh.

Në një tjetër aksion në dhjetor u konfiskuan 63 mijë euro false.

Monedha 2 euroshe të konfiskuara nga Policia e Kosovës.
Monedha 2 euroshe të konfiskuara nga Policia e Kosovës.

Një shumë prej 375.000 eurosh false - që të gjitha bankënota prej 100 dhe 50 eurosh - u konfiskua në vitin 2021.

Kohë më parë u arrestua edhe një grup kamerierësh, të cilët u zunë duke shpërndarë para false te klientët në rajonin e Prizrenit.

Nga vijnë paratë false?

Së paku në dy raste të konfiskimit të mijëra eurove false nga Policia e Kosovës, origjina e tyre ishte Maqedonia e Veriut dhe Turqia.

Në grupe të ndryshme në rrjete sociale, po ashtu, pretendohet se në shumë raste paratë false vijnë prej jashtë Kosovës.

Në aplikacionin TikTok ka një numër profilesh që reklamojnë paratë false. Poshtë këtyre njoftimeve ka qindra komente të personave me emër e mbiemër, që kërkojnë të blejnë vlera të ndryshme të parave false.

Në periudha të ndryshme këtë vit, Radio Evropa e Lirë bisedoi me dy profile që kanë qenë ndër më të ndjekurat: “Blejpareks” dhe “Parefallsks”.

Një nga profilet në Tik Tok që shet para false.
Një nga profilet në Tik Tok që shet para false.


Që të dy personat që pretendojnë se i menaxhojnë këto faqe, thonë se mund të sjellin para false në çfarëdo shume që kërkohet, por nuk tregojnë se prej ku.

Për t’u dukur si blerës potencial, REL-i komunikoi me ta duke përdorur gjuhë jostandarde.

Një profil tjetër në Tik Tok që thotë se ka në shtije para false.
Një profil tjetër në Tik Tok që thotë se ka në shtije para false.


I pyetur se a ka para false në shitje dhe se kur mund t’i sjellë ato, “Blejpareks” u përgjigj: “Mundem me t’i sjellë në Kosovë nesër. Vijnë me postë. Postës ja jep paratë”.

REL-i kërkoi nga ai 1.000 euro dhe e pyeti se sa kushtojnë.

“Blejpareks”: 100 euro

REL-i: A vijnë me siguri?

“Blejpareks”: Po, po. Mos ke merak. Seriozë jemi ne. Në atlete i fusim.

REL-i: E unë me ia pagu postierit 100 euro, do të thotë?

“Blejpareks”: Po. E ai t’i jep ty [paratë]
.

Biseda me "Blejpareks" në Tik Tok.
Biseda me "Blejpareks" në Tik Tok.

Profili tjetër në TikTok, “Parefallsks”, pasi pyetet nëse mund t’i dërgojë 300 euro me urgjencë, siguron që po, por thotë se shuma minimale e parave false që mund të dërgohet, është 500 euro.

“Parefallsks”: Po vëlla, por me 50 euro i merr 500 euro [false] vëlla. Shuma më e vogël te ne është kjo.

Biseda me "Parefallcks" në Tik Tok.
Biseda me "Parefallcks" në Tik Tok.

Personi që pretendon se mban këtë profil, kërkon që pagesa të bëhet përmes institucioneve mikrofinanciare. Ai nuk e pranon mundësinë e pagesës përmes postës, ani pse porosinë thotë se e dërgon me postë.

“Parefallsks”: Jo, jo vëlla. Me postë i dërgoj paratë, por nuk pranoj pagesa përmes postës, sepse është rrezik vëlla.

Biseda me "Parefallcks" në Tik Tok.
Biseda me "Parefallcks" në Tik Tok.

Për të mos kryer vepër penale, REL-i nuk porositi para false nga këto dy profile, për të konfirmuar nëse ato dërgohen vërtet ose jo.

Megjithatë, në bazë të komenteve në profilet në TikTok duket se shumë qytetarë mashtrohen.

“Rrena janë këto. Vetëm sa me t’i marrë paratë dhe pastaj ta bëjnë bllok në të gjitha anët. Mbushuni mend, popull shqiptar”, thotë një koment.

Një qytetar duke bërë thirrje për të mos rënë pre e mashtrimit.
Një qytetar duke bërë thirrje për të mos rënë pre e mashtrimit.


“Unë kisha bë porosi, nëse është e vërtetë, por pagesën në dorë kur të vjen posta, jo rrena”, shkruan një tjetër.

REL-i e pyeti Policinë e Kosovës në lidhje me hetimin e këtyre ueb-faqeve dhe personave që pretendojnë se i menaxhojnë ato, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Para të konfiskuara nga Policia e Kosovës, më herët këtë vit.
Para të konfiskuara nga Policia e Kosovës, më herët këtë vit.


Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që prodhon para të falsifikuara për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Kushdo që, duke e ditur se paraja është e falsifikuar, e merr dhe e vë në qarkullim, dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.

BQK: Humbje edhe për qytetarët, edhe për ekonominë

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përmes një deklarate dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se paratë false, përveçse dëmtojnë ekonominë e Kosovës, u shkaktojnë humbje edhe qytetarëve si përdorues finalë.

BQK-ja thotë se, bazuar në rregulloren e saj, paratë që dyshohet se janë false, tërhiqen nga qarkullimi dhe i dorëzohen Policisë së Kosovës, e cila i dërgon ato për analizë tek Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

REL-i pyeti Agjencinë e Kosovës për Forenzikë se sa është vlera e përgjithshme e parave që janë dërguar në këtë institucion për analizë dhe cilat janë kartëmonedhat më të falsifikuara aktualisht, por nuk mori përgjigje.

Në një deklarim të mëhershëm, ky institucion ka thënë se kartëmonedhat më të falsifikuara janë: 100, 50, 2 dhe 1 euro.

“Zgjidhja” e ndërmarrjes Prishtina Parking

Në fund të vitit 2022, ndërmarrja publike e parkimit të makinave, Prishtina Parking, vendosi të mos pranonte monedha prej 2 eurosh.

Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Sokol Havolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi u mor pasi ndërmarrja, në baza ditore, pranonte mesatarisht 100 euro false - që të gjitha monedha prej 2 eurosh.

“Përgjatë gjithë vitit kemi vlerësuar se humbjet për ndërmarrjen mund të arrijnë deri në 35-45 mijë ose edhe deri në 50 mijë euro, varësisht prej intensitetit të ditëve”, thotë Havolli.

Ai thotë se ndërmarrja që udhëheq, e ka eliminuar në masë të madhe mundësinë që inkasantët të pranojnë para false nga qytetarët.

“Ne kemi kaluar shumë shpejt në zgjidhje për këtë çështje, sepse kemi pranuar si donacion katër pajisje për identifikimin e monedhave të falsifikuara dhe me këtë i kemi mbuluar katër pikat kryesore të ndërmarrjes, që paraqesin rreth 70 për qind të të hyrave”, thotë Havolli.

Si të identifikon paratë false?

Institucionet financiare evropiane ndajnë disa këshilla se si mund të identifikohen paratë false.

Një prej metodave është prekja e monedhës, pasi monedhat false zakonisht janë më të vrazhda. Po ashtu mund të identifikohen devijime, shkronja dhe simbole në mospërputhje me origjinalin.

Monedha 2 euroshe të falsifikuara.
Monedha 2 euroshe të falsifikuara.

Rekomandohet që nëse keni dyshime në paratë që i pranoni, me mirësi të kërkoni një monedhë tjetër. Sugjerohet që personit në fjalë t’i shpjegohet me mirësi se mund të ketë në posedim një monedhë false, që bie ndesh me ligjin.

Gjithashtu sugjerohet të njoftohet policia për rastin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG