Ndërlidhjet

Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin, do të kenë pasoja


I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se, Kosova do të përballet me pasoja nëse vazhdon të injorojë këshillën e Shteteve të Bashkuara – që kryetarët e rinj shqiptarë të mos punojnë nga ndërtesat komunale në veri.

Ai ka thënë në një konferencë online për media se, gjithçka që ka bërë SHBA-ja në 90 ditët e fundit, ka qenë në favor të Kosovës.

“Serbia nuk ka dashur që të shkojë përpara aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ne e kemi mbështetur. Serbia ka dashur që Kosova t’i anulojë zgjedhjet, por ne i kemi mbështetur, Serbia ka dashur që zgjedhjet të shpallen të paligjshme për shkak të daljes së ulët, ne i kemi mbështetur ato, Serbia nuk ka dashur që të njihet legjitimiteti i kryetarëve të rinj, ne i kemi njohur ata. Dhe e sfidoj gjithsecilin që të gjejë diçka që ne kemi bërë, e që nuk ka shkuar në të mirë të Kosovës”.

Escobar ka thënë se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur kurrë fjalën sanksion, por pasoja.

"Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një shtet dhe një lider nuk mund të kenë në dorë drejtimin e gjithë rajonit dhe stabilitetin evropian. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin, do të kenë pasoja”.

Sipas tij, përshkallëzimi është duke krijuar kushte të vështira për rajonin, dhe jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, prandaj të dyja palët kanë rol në uljen e tensioneve.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:

  • Shtensionimin e situatës atje
  • Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
  • Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përgjatë konferencës, Escobar ka thënë se, “ndonëse është e vërtetë që Serbia nuk ka përparuar në nivelin që e kemi dashur, sa i përket krijimit të raporteve paqësore me Kosovën, mund të them se shumë prej çka është duke ndodhur prej nëntorit, ka qenë për shkak të veprimeve të njëanshme të Kosovës, për të gjetur zgjidhje, për të cilat nuk është koordinuar me komunitetin ndërkombëtar”.

Por, ai ka shtuar se ka elementë në të dyja palët, që e ushqejnë krizën.

“Është shumë e qartë se ka elementë - dhe ne e kemi ditur gjithmonë këtë - në spektrin politik të Serbisë, që e çojnë përpara retorikën nacionaliste kur është fjala për Kosovën. Diçka e tillë është jashtëzakonisht e dëmshme, jo vetëm për serbët, por për gjithë rajonin”.

I pyetur nëse do të marrë pjesë në takimin që do të mund të mbahet në Bruksel javën e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë, nën organizim të kryediplomatit evropian, Josep Borell, Escobar ka thënë se ende është duke u punuar në takim.

“Varësisht prej përgatitjeve që do të kemi, do të vendosim nëse do të shkoj në Bruksel. Por, pa asnjë dyshim, këto përpjekje do ta kenë mbështetjen amerikane”.

Kurti ka thënë më herët gjatë së premtes se ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takim.

Sa i përket kritikës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se KFOR-i ka heshtur për arrestimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, Escobar, ka thënë se SHBA-ja dhe KFOR-i janë në pritje të fakteve.

“Po presim përfundimin e hetimeve. Mendojmë se është joadekuate të bëjmë vlerësime parapake. Është shumë e qartë këta policë, ose janë dërguar në Serbi, ose kanë përfunduar në Serbi pa qëllim, prandaj edhe duhet të lirohen, pa parakushte".

Tre policëve, B.S. R.Z. dhe M.SH., u është shqiptuar të premten masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se, është në pritje të reagimit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për arrestimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.

Ai ka thënë se mbrojtja e vijës kufitare në pjesën veriore të Kosovës, është përgjegjësi e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, por “në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it”.

Escobar ka thënë se beson që Qeveria e Kosovës duhet të heqë ndalesën ndaj mallrave serbe në kufi.

"BE beson se diçka e tillë, jo vetëm që është joevropiane, po as nuk ekziston bazë ligjore. Ne e mbështesin këtë qëndrim dhe besojmë se është përshkallëzim i panevojshëm i një situate veçse të tensionuar”.

Pas arrestimit të zyrtarëve policorë të Kosovës, Qeveria ka marrë vendim për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.

Prej 14 qershorit është ndaluar hyrja e kamionëve me produkte dhe targa serbe në territorin e Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri - të banuara me shumicë serbe - kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Për Asociacionin: Nuk po i kërkojmë Kosovës që të bëjë diçka që nuk duhet të bëjë

Escobar ka thënë se, çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe përbën detyrim ligjor për Kosovën.

“Duke e refuzuar këtë obligim, Kosova po refuzon rrugën evropiane, se ky obligim lidhet me Kosovën dhe Serbinë, por edhe me Kosovën dhe BE-në. Ne nuk po i kërkojmë Kosovës që të bëjë diçka që nuk duhet të bëjë. Ne po themi që do t’i ndihmojnë që [Asociacioni] të hartohet sipas kornizës së politikave evropiane".

Prandaj, Escobar, ka thënë se nuk e kupton refuzimin e Qeverisë së Kosovës në këtë temë.

“E kemi dëgjuar disa herë kryeministrin që ka thënë se vetëm po e zbaton ligjin, por sundimi i ligjit nënkupton dhe pranimin e obligimeve ndërkombëtare... nëse flasim për sundim të ligjit, Asociacioni është pjesë e tij”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG