Ndërlidhjet

Fryma antiamerikane, inerci nga frustrimi apo propagandë e organizuar?


Flamuj të SHBA-së dhe Kosovës të vendosur në sheshin kryesor të Prishtinës. Fotografi nga arkivi.
Flamuj të SHBA-së dhe Kosovës të vendosur në sheshin kryesor të Prishtinës. Fotografi nga arkivi.

Komentet e individëve të ndryshëm në rrjete sociale, të cilat kanë pasuar reagimet e pasqyruar në media dhe në rrjete sociale të zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, po shfrytëzohen për propagandë dhe bartin frymë antiamerikane, vlerësojnë njohësit e fushës së medias dhe të sociologjisë, Rrahman Paçarizi dhe Fadil Maloku.

Zyrtarët e SHBA-së i kanë dënuar veprimet e autoriteteve të Kosovës në komunat me shumicë serbe – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – ku Policia e Kosovës, më 26 maj, ndihmoi kryetarët e rinj të këtyre komunave, për qasje në objektet komunale.

Grupe të qytetarëve serbë kanë kundërshtuar këto veprime përmes protestave, të cilat më 29 maj përshkallëzuan në dhunë, ku pati të lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, por edhe protestues.

Zyrtarët e SHBA-së i kërkuan Qeverisë së Kosovës që t’i ulë tensionet në veri të vendit, si dhe paralajmëruan pasoja në marrëdhëniet bilaterale.

Deklaratat e raportuara nga mediat, përmes rrjeteve sociale, kanë marrë komente të natyrës që SHBA- ja mban qëndrim “ledhatues për Serbinë”, se SHBA-ja dhe BE-ja “ duan t’ia japin veriun (e Kosovës) Serbisë”, “Sa para po ju jep Vuçiqi”, “Merre ambasadën, shko në Beograd”, “Hiqeni Bondsteelin, le ta merr turku”, “Ju s’keni fytyrë”, si dhe komente me përmbajtje ofenduese, vulgare dhe fyese.

Por, ka pasur edhe mjaft komente mbështetëse për SHBA-në, për deklaratat e zyrtarëve të saj dhe për vetë zyrtarët. Kjo jo rrallë ka krijuar përplasje verbale ndërmjet individëve në rrjete sociale.

*Video: Dhunë, gaz, tension: Zhvillimet në veri në dy minuta

Militantët politikë “zhvillojnë propagandën”

Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se komentet fyese dhe ofenduese që pasojnë deklaratat e publikuara në rrjete sociale të zyrtarëve amerikanë, kryesisht vijnë nga një masë e caktuar e njerëzve të aktivizuar politikisht dhe ideologjikisht.

Sipas tij, këta njerëz edhe më parë i kanë mbështetur veprimet e Qeverisë aktuale të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti dhe partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe kanë ndërtuar një narracion të tillë mbështetës që nga koha kur kjo parti ishte në opozitë.

“Do të thotë, bëhet fjalë kryesisht për militantë (politikë). Nga ajo që unë kam mundur të shoh, kam vërejtur që një pjesë e mirë e këtyre llogarive në rrjete sociale, janë të njëjta, janë të dyfishuara - që do të thotë se janë të rrejshme - pasi që u takojnë personave, grupeve të caktuara, të cilat kanë bërë një fushatë në vazhdimësi. Ata janë konsistentë në veprimet e tyre. Nuk mendoj se është një masë aq e madhe, por duket masë e madhe, më shumë për shkak të profileve të rrejshme, të cilat i shfrytëzojnë për ta zhvilluar propagandën e tyre”, thotë Paçarizi.

Ai shton se, megjithatë, kjo nuk e zvogëlon problemin, sepse “shpërthimet e tilla e rrezikojnë shoqërinë kosovare”, pasi që në vazhdimësi po krijohet “një masë e njerëzve të manipuluar, të cilët nuk janë të gatshëm të zhvillojnë mendim kritik brenda vetes”.

Ngjyrimet antiamerikane, “inerci nga frustrimi”

Fadil Maloku, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se reagimet me ngjyrime anti-amerikane, në rrjetet sociale, janë rezultat i “frustrimit të qytetarëve me përplasjet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të cilat po zgjasin me dekada, si dhe joempancipimit të mjaftueshëm me vlerat perëndimore.

Sipas tij, reagimet e individëve të caktuar në rrjete sociale janë inerte, në kontekstin e zhvillimeve të fundit në veri të vendit, për të cilat Qeveria e Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk ka të bëjë me farë (të mbjellë) të antiamerikanizmit. Ka të bëjë me një frustrim tash. Por, natyrisht që edhe Qeveria, por edhe Vetëvendosje, si koncept politik, e ka ushtrinë e saj digjitale. Me ushtri digjitale ajo i ka fituar zgjedhjet. Unë kurrë nuk mendoj që ky frustrim mund të na prishë, në faza afatgjata, as me Perëndimin dhe as me Amerikën. Faktikisht, Kosova është produkt i tyre dhe interes”, thotë Maloku.

“Si mundet një subjekt ‘antiamerikan’ të fitojë në vendin më proamerikan?”

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe u ka dërguar pyetjet se si i komentojnë pretendimet se prapa komenteve me ngjyrime antiamerikane, në rrjetet sociale, qëndrojnë individë dhe grupe militantësh të kësaj partie, si dhe si i komentojnë postimet e tilla në rrjete sociale.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në një përgjigje me shkrim ka deklaruar se “i ftojmë njohësit e mediave dhe sociologët që të ofrojnë dëshmitë e tyre të forta për këto pretendime”, duke shtuar se Lëvizja vetëvendosje i shpreh qëndrimet e saj përmes kanaleve zyrtare dhe zyrtarëve të saj.

“Si mundet një subjekt ‘antiamerikan’ t’i fitojë dy herë zgjedhjet dhe të ketë mbështetjen e mbi 50 për qind të qytetarëve të një vendi më pro-amerikan në botë? Kjo padyshim se është pyetje retorike”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Grupet ndikojnë tek individët?

Profesor Paçarizi nuk beson që postimet me ngjyrime antiamerikane në rrjete sociale, nga individë të ndryshëm, janë produkt i inercisë. Sipas tij, shqiptarët e Kosovës, përgjithësisht, shihen si më pro-amerikanët në botë dhe si të tillë, do të duhej të silleshin me inerci mbi këtë bazë. Ai nuk e përjashton mundësinë që pakënaqësia e qytetarëve orientohet nga grupe të caktuara, për qëllime të caktuara.

Këto grupe, sipas tij, ndikojnë kryesisht tek individët, siç thotë ai, që janë “më pak e arsimuar, që kanë status më pak të avancuar shoqëror, apo edhe tek ata që fare nuk jetojnë në Kosovë dhe lidhjen me të e kanë relative”.

Një gjë e tillë, siç thotë ai, vërehet në përplasjet në rrjete sociale.

“Nëse njerëz të caktuar kanë një kundërvënie të caktuar, që thotë se ‘duhet të ketë koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këta persona bëhen cak i sulmeve të ndryshme bullizuese, shantazheve dhe [sulmeve] linçuese, nga këto grupe që janë të organizuara mirë. Në të vërtetë ato (grupe) janë relikt i organizimit të Lëvizjes Vetëvendosje për ta marrë pushtetin (më herët). Këta persona, pastaj, kanë vazhduar që të jenë aktivë dhe mund të riaktivizohen në secilën situatë, nëse ajo situatë sillet brenda narracionit, i cili është krijuar me kohë”, thekson Paçarizi.

“Pro-amerikanizmi i shqiptarëve do të dëshmohet”

Profesor Maloku pajtohet që postimet e caktuara që bartin përmbajtje fyese dhe ofenduese ndaj zyrtarëve të SHBA së dhe vetë shtetit amerikan, mund ta animojnë frymën antiamerikane. Por, sipas tij, kjo frymë nuk mund të mbizotërojë opinionin e përgjithshëm në Kosovë dhe disponimin pro-amerikan të kosovarëve.

“Unë nuk e besoj që mund të krijohet ndonjëherë një frymë antiamerikane. E gjithë kjo është produkt i këtyre negociatave dhe problemeve që i ka Kosova me Serbinë. Në faza afatgjate kjo do të tejkalohet. Jam shumë i bindur dhe pro-amerikanizmi i shqiptarëve do të dëshmohet në periudhat e ardhshme dhe në situatat e ndryshme që do të vijnë në horizont. Ne nuk duhet t’i marrim si parametra reagimet publike të ushtrive digjitale të njërit apo tjetrit subjekt (politik). Shqiptarët, me shumicë absolute, janë pro-Perëndimit dhe pro-Amerikës”, shprehet Maloku.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 26 maj, deklaroi se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, “po i përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.

Deklarata e Blinkenit pasoi reagimin, po atë ditë, të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili theksoi se i dënon “veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

Shqetësimet e tyre, Blinken dhe Hovenier i përsëritën edhe më 29 maj, për shkak të rrethanave që shkaktuan tensionet në veri të Kosovës, ku pati edhe përplasje ndërmjet KFOR-it dhe protestuesve.

Më 30 maj, ambasadori Hovenier tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet ‘Defender Europe 2023’ kanë marrë fund” për të.

Lexoni edhe këto: Çka humbi Kosova që u pezullua nga “Defender Europe ‘23”?

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG