Ndërlidhjet

Mitrovicë e Veriut, 13 qershor.
Mitrovicë e Veriut, 13 qershor.

Qetësohet situata në Mitrovicë të Veriut

  • Rreth orës 13:00 të së martës, në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar sirena alarmi.
  • Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri.
  • Sipas tij, Policia e Kosovës në këtë aksion e ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile’”.
  • Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.
  • Serbët lokalë kanë organizuar në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
  • Ata kanë protestuar rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
20:04 31.5.2023

Lëndohet një zyrtar i Policisë së Kosovës në veri

Policia e Kosovës ka thënë se të mërkurën është lënduar një zyrtar policor në veri, si pasojë e sulmeve me mjete të forta.

Sipas komunikatës, protestat e serbëve lokalë në komunat veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë qenë të qeta, por në orët e pasdites disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë drejt makinave policore.

Policia ka përmendur se gjatë ditës disa “grupe kriminale” i kanë penguar disa gazetarë në kryerjen e detyrave të tyre, dhe automjetet e tyre janë vandalizuar.

Ajo u ka bërë thirrje protestuesve që të përmbahen nga dhuna.

20:54 31.5.2023

MPB fajëson “grupe të maskuara kriminale” për sulmet ndaj Policisë në veri

Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se grupet e maskuara kriminale janë mbrapa sulmeve ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Zveçan.

“Në të dyja rastet, nga të cilat janë dëmtuar dy automjete policore dhe është lënduar një pjesëtar i Policisë, nuk ka pasur asnjë provokim paraprak”, ka thënë ministria.

Mes tjerash, ministria ka pretenduar se grupet që i ka përmendur janë të orkestruara dhe të dirigjuara nga Beogradi.

“Kriminelët do të identifikohen dhe do të ballafaqohen me drejtësi”, është thënë mes tjerash në reagim.

Vetë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kryesit e këtyre akteve do të identifikohen, dhe do të përballen me drejtësinë.

“Këto akte rrezikojnë jetë dhe synojnë të destabilizojnë shtetin tonë”.

Pak më parë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se një zyrtar policor është lënduar në veri, si pasojë e sulmeve ndaj makinave policore me mjete të forta.

21:11 31.5.2023

Vuçiq për CNN: Serbia i zbatoi të gjitha obligimet ndërkombëtare, Kosova asnjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë për rrjetin amerikan CNN, se, pala serbe i ka zbatuar të gjitha obligimet ndërkombëtare që dalin nga Marrëveshja e Brukselit, dhe se Kosova nuk e ka përmbushur një që i ka takuar – formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, më 2011.

Palët i kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Vuçiq ka pretenduar se prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ardhur në pushtet, janë kryer 353 sulme ndaj serbëve, të motivuara në baza entie, dhe se ky është numri më i madh i incidenteve të tilla prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Vetëm këtë vit, janë kryer pesë sulme me të shtëna ndaj civilëve të nacionalitetit serb. Serbët vetëm duan siguri për veten dhe familjet e tyre”, ka thënë Vuçiq.

Ai e ka mohuar akuzën e Kurtit se ai i ka shantazhuar serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, dhe e ka pyetur nëse ka parë diku zgjedhje legjitime demokratike, me pak më shumë se 3 për qind dalje në zgjedhje.

Vuçiq ka thënë se Serbia është e kënaqur me deklaratat e bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, lidhur me krizën në Kosovë.

Sekretari Blinken ka thënë se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po i përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin, derisa Macron ka thënë se Kosova është përgjegjëse për trazirat e shkaktuara.

Sipas tij, Serbia nuk e ka shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në reagimin e saj ndaj krizës.

“Ne e kemi respektuar Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Ne nuk kemi hyrë në Kosovë me ushtarë. Deri më tani ne kemi pasur bashkëpunim profesional me trupat e NATO-s në Kosovë dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë”.

I pyetur se si i komenton protestat e qytetarëve në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ruhet paqja dhe stabiliteti.

“E di se ata janë të vendosur që t’i mbrojnë vatrat e tyre dhe unë u bëj thirrje që të protestojnë në mënyre paqësore".

21:53 31.5.2023

Serbët lokalë obligohen të protestojnë në Zveçan

Rreth 100 serbë janë mbledhur në mbrëmjen e së mërkurës në Zveçan, në afërsi të ndërtesës komunale, ku është duke u protestuar për të tretën ditë me radhë.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për masë paraburgimi prej një muaji për dy të arrestuarit në këtë komunë, gazetarët e Radios Evropa e Lirë, kanë mësuar se qytetarët e institucioneve publike, janë të obliguar që të protestojnë prej sonte, me orare të ndryshme.

Dy të arrestuarit, dyshohet se kane qenë pjesë e përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në atë komunë, më 29 maj.

Lista Serbe i ka identifikuar dy të arrestuarit si Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq.

Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

Lista Serbe e ka konsideruar vendimin për paraburgim si të paligjshëm dhe dy personat si të pafajshëm.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG