BE e gatshme të organizojë takimin Kurti -Vuçiq, kur të ketë kushte
Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se, është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por, sipas bllokut, për diçka të tillë duhet krijuar kushtet.
Kështu ka deklaruar të hënën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar takimin e mundshëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritës të takimit në nivel të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, kur të ketë kushte, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë. Por, në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë. Dhe pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, [Josep] Borrell, e Përfaqësuesi i Lartë do t'i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë” ka thënë Stano.
Lajmi i plotë më poshtë:
Protestuesit pengojnë për pak minuta qarkullimin e makinës së Policisë në Zveçan
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zveçan raporton se protestuesit në Zveçan, nuk e kanë mundësuar për disa minuta qarkullimin e një makine të Policisë së Kosovës.
Makina më pas ka qarkulluar me ndihmën e pjesëtarëve të KFOR-it.
KFOR-i heq disa tela gjemborë në Zveçan
Pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i kanë hequr një pjesë të telave gjemborë që i ka vendosur ditë më parë, për të rritur sigurinë.
Telat gjemborë janë parë, një ditë pas përleshjes që ka ndodhur mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të KFOR-it.
NATO-ja dhe diplomatë vendorë e të huaj i kanë dënuar sulmet në instancat më të larta.
Kurti diskuton me diplomatë të huaj për situatën në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar të hënën për situatën në veri me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, dhe zëvendësambasadorin gjerman në Kosovë, Matthias Conrad.
Sipas kryeministrisë, palët kanë biseduar për rëndësinë e uljes së tensioneve në veri, si dhe për punën e Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it, në garantim të sigurisë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
“Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, është thënë në komunikatë.