Lista Serbe i ka dy kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme eventuale
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë të hënën se do të marrë pjesë në zgjedhje, që eventualisht do të mund të mbahen për komunat në veri, kur t’i plotësohen dy kushte.
Ajo ka thënë se forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Lista Serbe i ka bojkotuar zgjedhjet e mbajtura për kryetarë të komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – dhe as nuk i njeh kryetarët e rinj shqiptarë.
Duke folur për tensionet në veri, Lista Serbe ka thënë se çelësi për ulje të tensioneve është që të mos ketë forca speciale të Policisë së Kosovës në veri dhe që kryetarët, që ajo i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesat komunale.
Ajo e ka përmendur edhe nevojën për lirimin e dy serbëve të paraburgosur nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, gjatë përleshjeve në Zveçan.
Ata dyshohen për “veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
*Lista Serbe ka kërkuar ndërhyrjen editoriale në këtë lajm, për çka REL-i nuk është pajtuar.Përgjigja e Listës Serbe pasoi pyetjen e REL-it nëse Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet në veri dhe me çfarë kushtesh.
Rakiq dhe Simiq me protestuesit në Zveçan
Në mëngjesin e së hënës, para objektit komunal të Zveçanit janë parë edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.
Ata kanë qenë prezentë edhe përgjatë javës së kaluar në protesta.
Të dy i kanë bërë thirrje të vazhdueshme pjesëtarëve të KFOR-it që të jenë garantuesit e vetëm të sigurisë në atë pjesë, dhe që të mos ketë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit për kryetarë të komunave në veri.
Ajo, po ashtu, u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të mos dalin në zgjedhje.
Escobar dhe Lajçak për vizitë në Kosovë e Serbi
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd, më 5 dhe 6 qershor.
Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka thënë se takimi mes tij dhe diplomatëve të huaj do të nisë në orën 20:00 në ndërtesën e Qeverisë.
Një ditë më parë, Escobar ka thënë për BBC-në se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të shmangshme, dhe u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa drejt uljes të tensioneve.
Në mesin e kërkesave të përmendura për Qeverinë e Kosovës ka qenë që kryetarët e rinj shqiptarë të mos shkojnë në ndërtesat komunale, dhe që të tërhiqen forcat e Policisë së Kosovës nga ato ndërtesa.
Situatë e qetë në veri
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zveçan raporton se afër ndërtesës së kësaj komune shihet një numër i vogël protestuesish, në krahasim me ditët paraprake.
Serbët lokalë janë duke mbajtur atje protesta rregullisht, prej 29 majit.
Disa burime të REL-it kanë thënë se është bërë thirrje për një protestë masive në paraditen e së hënës në Zveçan, por deri më tani atje nuk vërehet fluks i madh protestuesish.