Vuciq thotë se nuk e di nëse serbët marrin pjesë në rast se shpallen zgjedhjet në veri
Bashkimi Evropian iu bashkua thirrjeve të Francës dhe Gjermanisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës. Presidentja e Kosovës tha se mbajtjen e zgjedhjeve në këto komuna e lejon korniza ligjore dhe se mund të bëhet përmes peticionit.
Serbisë iu kërkua që të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet eventuale që do të mund të organizohen në katër komunat në veri përfshirë Leposaviqin, Zveçanin, Zubin Potokun dhe Mitrovicën e Veriut.
Megjithatë, Vuçiq, tha se nuk e di nëse serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës.
"Unë duhet të flas ditët në vijim me ta [serbët e Kosovës] dhe të shoh se çfarë do të marrin ata. Jo vetëm se çfarë do të japin. Ne jemi gjithmonë të gatshëm dhe duam paqe dhe ulje të tensioneve”, tha Vuçiq dhe shtoi se nuk është optimist.
Brukseli paralajmëroi gjithashtu se mosplotësimi i kërkesave do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë me BE-në.
Vuçiq: Jam në pritje të propozimit nga Përendemi për uljen e tensioneve
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është në pritje të një propozimi nga Perëndimi për ulje të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
Në një intervistë për televizionin ‘Prva’ të Serbisë, Vuçiq, tha se e di se cila është zgjidhja për përshkallëzimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe se po pret të dëgjojë propozimet e zyrtarëve perëndimorë që do shkojnë në Beograd.
"Vetëm nga e hëna, kur të dëgjoj [Mirosllav] Lajçakun dhe [Gabriel] Escobarin, atëherë do t'i thërras serbët nga Kosova për t'u konsultuar. Nuk e di se çfarë ka gjetur dikush si rrugëdalje", tha Vuçiq.
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, javën e ardhshme do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin.
Java e trazuar e veriut
Trazirat në veri të Kosovës, që i shkaktuan zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, mund edhe të përfundojnë me zgjedhje lokale. Kjo është një nga thirrjet që komuniteti ndërkombëtar po i bën Kosovës, me qëllim shtensionimin e situatës në veriun e banuar me shumicë serbe. Në këtë video ju sjellim përmbledhjen e një jave të trazuar që e bëri Kosovën lajm kryesor ndërkombëtar.
MPB publikon bilancin e protestave në veri
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka publikuar të dhëna që lidhën me numrin e të lënduarave si dhe veturat e dëmtuara gjatë protestave të dhunshme në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas MBB-së që nga java e kaluar në veri janë regjistruar 21 sulme ndaj gazetarëve, 6 zyrtarë policorë dhe 30 ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar, tre me armë zjarri, dy qytetarë janë rrahur ndërsa që janë dëmtuar 7 vetura të policisë, dy prej të cilave janë djegur tërësisht.
Në komunikatën për media të dërguar nga MPB thuhet se dhuna është shkaktuar nga siç thuhet “bandat kriminale të dirigjuara dhe orkestruara nga Beogradi”, të cilat mes tjerash thuhet se kanë pasur qëllim “shkaktimin e dëmeve materiale dhe tentim ndalimin e shprehjes së lirë dhe raportimit”.