Ndërlidhjet

Mësimdhënësit në Rumani hynë në grevë për paga më të mira


Fotografi nga një klasë në Rumani.
Fotografi nga një klasë në Rumani.

Dhjetëra mijëra mësimdhënës rumunë hynë në grevë më 22 maj duke kërkuar rritje të konsiderueshme të pagave dhe duke bërë thirrje për më shumë investime në arsim.

Rreth 100,000-150,000 mësimdhënës të shkollave fillore dhe të mesme ndaluan punën, derisa kërkojnë që qeveria e koalicionit të përmbushë kërkesat e tyre.

Bisedimet e minutës së fundit më 21 maj midis sindikatave të mësuesve dhe qeverisë së kryeministrit Nicolae Ciuca nuk arritën një marrëveshje dhe në këtë formë dështuan përpjekjet e qeverisë për t’i rikthyer mësimdhënësit në shkolla.

Marcel Ciolacu, nga partia PSD, që do të jetë kryeministër i ardhshëm sipas rotacionit të vendosur nga koalicioni, dërgoi një mesazh të vonuar të premten, përmes të cilit u tregua i "gatshëm" për të diskutuar gjatë fundjavës me krerët e sindikatave "për të shmangur grevën e përgjithshme".

Ai hodhi fajin sindikatave, duke thënë se “kjo grevë është e dëmshme jo vetëm në funksionimin e shkollave, por edhe në jetën e miliona familjeve”.

Ciolacu u përpoq të ushtronte presion mbi drejtuesit e sindikatave, duke shtuar se rumunët presin prej tyre - dhe nga politikanët - zgjidhje të qeta dhe racionale "ndërsa fëmijët e shohin paqen e tyre në shkollë".

“Ishte obligim i Qeverisë dhe i atyre që kanë role vendimmarrëse që të dalin me zgjidhje më të shpejta, siç kanë premtuar”, ka qenë përgjigja nga tri sindikatat e arsimit të Rumanisë të cilat organizuan grevën.

Të dielën pasdite, krerët e sindikatave morën pjesë në negociatat me kryeministrin Nicolae Ciucă dhe anëtarë të tjerë të ekzekutivit, por propozimi që iu dha nga qeveria nuk i kënaqi ata.

Kërkesa kryesore e grevistëve është një pagë fillestare për mësuesit e rinj të paktën e barabartë me mesataren e vendit.

Paga mujore e një mësuesi rumun të sapo-diplomuar është pak më shumë se 520 dollarë (480 euro), ndërsa paga mesatare në vend është 988 dollarë (rreth 913 euro).

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG