Ndërlidhjet

Zelensky: Rusët nuk e pushtuan Bahmutin, ushtarët tanë janë në qytet


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në samitin e G7-s në Japoni, 21 maj 2023.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në samitin e G7-s në Japoni, 21 maj 2023.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të dielën, më 21 maj, përsëri mohoi se forcat ruse pushtuan Bahmutin, duke thënë se ushtarët ukrainas mbetën në atë qytet në lindje të Ukrainës.

“Ne vazhdojmë, luftojmë”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp, pas samitit të Grupit Shtatë (G7) të vendeve më të zhvilluara ekonomikisht në botë, që u mbajt në Japoni.

Zelensky tha se nuk mund të zbulonte taktikat ushtarake të ushtrisë ukrainase, por theksoi se Rusia “nuk mund ta mposht Ukrainën”.

“Ushtarët tanë, sot janë në Bahmut. Federata Ruse nuk e pushtoi atë qytet”, tha Zelensky.

Rusia më herët deklaroi fitoren në Bahmut, megjithëse zyrtarët ukrainas thonë se luftimet vazhdojnë.

Më herët, të dielën, më 21 maj, në samitin në Japoni, Zelensky tha se pak kishte mbetur nga qyteti dhe se ai ishte pothuajse plotësisht i shkatërruar.

I pyetur nëse Bahmuti ishte nën kontrollin e Ukrainës, Zelensky nuk ishte plotësisht i qartë atëherë, por tha: “mendoj që jo”.

Deklarata e tij u interpretua si konfirmim i humbjes së Bahmutit.

“Për sot, Bahmuti është vetëm në zemrat tona”, tha Zelensky në Hiroshima, ku ishte i ftuar në samitin e grupit G7, të liderëve të vendeve më të zhvilluara ekonomikisht në botë.

Më pas, në një reagim nga zyra e presidentit ukrainas u tha se Zelensky nuk ka deklaruar se qyteti “ka rënë”.

Pretendimet se Bahmuti ka rënë në duart e forcave ruse u mohuan nga zëdhënësi i presidentit ukrainas, Sergiy Nykyforov.

Ai i tha CNN-it se përgjigja e Zelenskit “mendoj që jo” i referohej pretendimeve ruse se ata kishin pushtuar qytetin.

“Presidenti mohoi që Bahmuti ishte marrë”, tha Nykyforov.

Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi të shtunën se forcat e ushtrisë private Wagner, të mbështetur nga trupat ruse, kanë marrë Bahmutin.

Themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, më herët publikoi një video duke pretenduar se forcat e tij kontrollonin të gjithë qytetin, megjithëse qeveria ukrainase e mohoi shpejt këtë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar ushtarët “për pushtimin e qytetit”, me mesazhin se më të merituarit do të shpërblehen, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.

Në të njëjtën kohë, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, deklaroi se forcat ukrainase kanë rrethuar pjesërisht Bahmutin dhe se ata ende e mbajnë nën kontroll një pjesë të qytetit.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundësi të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet për situatën në fushën e betejës në Ukrainë.

Këto deklarata vijnë pasi Ukraina pretendohet se ka bërë përparim të prekshëm në fushën e betejës në rrethet në veri dhe në jug të Bahmutit, si dhe në kohën kur Ukraina po përgatitet për një kundërofensivë, e cila pritet në një ose më shumë lokacione përgjatë vijës së fushëbetejës prej më shumë se 1000 kilometra, shkruan redaksia e Radios Evropa e Lirë.

Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se numri i ushtarëve rus të vrarë dhe të plagosur në Bahmut , sillet ndërmjet 20.000 dhe 30.000, ndërsa edhe ushtria ukrainase gjithashtu pagoi një çmim të rëndë.

Rusia dhe Ukraina kanë luftuar tash e disa muaj në Bahmut dhe beteja për atë qytet është më e gjata që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në fund të shkurtit 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG