Ndërlidhjet

Ukraina nën sulme ajrore, Zelensky arrin në samitin e G7-s në Japoni


Kievi, pas një sulmi masiv me dron gjatë natës në Kiev, më 20 maj 2023.
Kievi, pas një sulmi masiv me dron gjatë natës në Kiev, më 20 maj 2023.

Disa qytete në Ukrainë, përfshirë kryeqytetin Kiev, gjatë natës së kaluar ishin cak i sulmeve ajrore ruse, ndërkaq presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky arriti në Japoni, më 20 maj, në samitin e Grupit shtatë (G7) të ekonomive udhëheqëse të botës.

Autoritetet ushtarake ukrainase thanë se gjatë natës, 18 dronë u rrëzuan mbi kryeqytet.

“Të gjitha objektivat e zbuluara ajrore u shkatërruan nga mbrojtja jonë kundërajrore”, tha Sergey Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, në një shkrim në Telegram.

Zjarri ka rënë edhe në një ndërtesë banimi si pasojë e një sulmi me dronë, por nuk ka pasur viktima.

Shpërthimet tronditën gjithashtu qytetin Chernihiv, në verilindje të Kievit.

Disa shpërthime u raportuan në qytetin port të pushtuar nga Rusia, Mariupol, në Detin Azov. Mediat ruse raportuan se shpërthimet goditën aeroportin e qytetit.

Shpërthimet në Mariupol ndodhën në përvjetorin e parë të pushtimit të qytetit nga Rusia, pas luftimeve të rënda disamuajshe, të cilat shkaktuan dëme të mëdha dhe shumë viktima.

Zelensky në samitin e G7-s

Në një postim në Twitter, menjëherë pas arritjes në qytetin japonez të Hiroshimës, Zelensky shkroi se samiti nënkuptonte “siguri dhe bashkëpunim më të mirë për fitoren tonë”.

Në Hiroshimë, Zelensky do të takohet me udhëheqësit e G7-s, më 21 maj, për të biseduar për pushtimin rus dhe për të bërë thirrje për më shumë ndihmë ushtarake.

Në prag të samitit, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Joe Biden informoi udhëheqësit e G7-s se SHBA-ja do t’i ndihmojnë përpjekjet e aleatëve për të trajnuar pilotët ukrainas për avionë luftarakë të avancuar F-16.

Raportet e mediave thonë se trajnimi me siguri se do të zhvillohet në Evropë dhe do të nisë pas disa javësh.

Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se ai e përshëndetë lëvizjen e Uashingtonit për të trajnuar pilotët ukrainas dhe shkroi në Twitter se Britania “do të punojë së bashku me Holandën, Belgjikën dhe Danimarkën për t’i dhënë Ukrainës aftësitë ajrore luftarake që i nevojiten”.

Vendet perëndimore do të përballen me një “rrezik kolosal” nëse i dërgojnë Ukrainës avionë luftarakë F-16, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko, më 20 maj, citoi agjencia e lajmeve TASS.

“Ne shohim që vendet perëndimore vazhdojnë t’i përmbahen skenarit të përshkallëzimit. Kjo përfshin rreziqe kolosale për vet ata. Për çdo rast, kjo do të merret parasysh në të gjitha planet tona dhe i kemi të gjitha mjetet e nevojshme për të arritur qëllimet që kemi vendosur”, tha Grushko.

G7 i kërkon Kinës “t’i bëjë presion Rusisë”

Udhëheqësit e G7-s i kanë bërë thirrje Kinës që të “ushtrojë presion ndaj Rusisë” për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës dhe për të tërhequr forcat e saj nga territori ukrainas.

Në një deklaratë të publikuar më 20 maj, ata njoftuan se “inkurajojnë Kinën të mbështesë një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, të bazuar në integritetin territorial, parimet dhe qëllimet e Kartës së OKB-së, duke përfshirë dialogun e drejtpërdrejtë me Ukrainën”.

G7 i ftoi Pekinin të ndiqte një “zgjidhje paqësore” të marrëdhënieve të tij me Tajvanin. Gjithashtu, hodhi poshtë militarizimin kinez të Detit Jugor të Kinës dhe pretendimet e saj territoriale atje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG