Ngritja e aktakuzave në mungesë për krime lufte në Kosovë ka rëndësi si për dokumentimin e krimeve, ashtu edhe për rehabilitimin e familjarëve të viktimave, thonë njohës të çështjeve të drejtësisë.
Javën që shkoi, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti dy aktakuza në mungesë kundër të pandehurve Ç.A. dhe D.R. - të dyshuar për krime lufte në Kosovë, më 1999 - dhe paralajmëroi se do të ngrejë edhe të tjera.
Prokuroria tha se ka kërkuar nga gjykatësit që gjykimi i dy serbëve të dyshuar të zhvillohet në mungesë, pasi “janë shterur mundësitë” për gjetjen e tyre.
Drita Hajdari, prokurore dhe udhëheqëse e Departamentit për krime lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi është marrë duke u bazuar edhe në Kodin e ri të Procedurës Penale, të cilin Kuvendi i Kosovës e miratoi në korrik të vitit të kaluar.
“Gjykimi në mungesë, edhe pse në mungesë të të pandehurit, paraqet një satisfaksion të rëndësishëm për viktimat e krimit, për familjarët e tyre. E ka rëndësinë edhe të dokumentimit të krimit. Përmes aktakuzës në mungesë, vërtetohet, provohet që krimi ka ndodhur”, thotë Hajdari.
- Ngrihet aktakuza e parë në mungesë për dhunim gjatë luftës në Kosovë
- Shpresë dhe skepticizëm për gjykimet në mungesë për krimet e luftës
Ajo kujton se këto janë dy aktakuzat e para në mungesë për krime lufte në Kosovë, pasi deri vonë Kodi i Procedurës Penale nuk i ka lejuar të tillat.
“Deri më tani, kemi ngritur aktakuza vetëm në ato raste ku kemi arritur ta gjejmë dhe arrestojmë kryesin e veprës penale”, thotë Hajdari.
Çfarë thotë Kodi i Procedurës Penale?
Sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 303, gjyqtari gjykues ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi, nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim.
Aty thuhet, po ashtu, se në marrjen e këtij vendimi, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues merr parasysh nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për ta gjetur të akuzuarin.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili merret me monitorimin e sistemit të drejtësisë, thotë se e ka përkrahur idenë e gjykimit në mungesë kryesisht te rastet e krimeve të luftës, sepse, sipas tij, janë qindra të dyshuar për këto krime që sot gjejnë strehim dhe mbrojtje në Serbi.
Ai nuk pret që Serbia ta lejojë ekstradimin e të dyshuarve në Kosovë dhe thotë se ekzekutimi i dënimeve në praktikë do të jetë i vështirë.
Megjithatë, shton Miftaraj, gjykimet në mungesë janë të rëndësishme për familjarët e viktimave, “që të zbardhen krimet dhe e vërteta”.
“Ata mund ta shfrytëzojnë pastaj të drejtën e kompensimit nga Fondi për kompensimin e viktimave të krimit, sipas ligjit dhe procedurës së paraparë”, thotë ai.
Sipas profesorit të së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, gjykimet e tilla do të jenë të dobishme në disa drejtime.
“Mirë që është bërë një gjë e tillë dhe tash duhet të punohet në këtë drejtim. Efektet do të jenë të mëdha, për shkak se mund të bëhen hetime, mund të grumbullohen të gjitha të dhënat dhe provat, të bëhet edhe gjykimi dhe të nxirret aktgjykim dënues, si dhe të lëshohet fletarrestim ndërkombëtar”, thotë Salihu.
“Është një lloj rehabilitimi edhe për viktimat kur dënohet një kriminel serb... Pas dënimit, ai person - sa të jetë gjallë - ose do të kapet për ta vuajtur dënimin, ose do të fshihet në Serbi”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.
Prokuroria e Kosovës ka ngritur disa akuza për krime lufte në Kosovë kundër të të dyshuarve të nacionalitetit serb, por edhe shqiptar. Disa kanë marrë epilog, të tjerat janë në proces.
Vetëm prej shtatorit të vitit 2021 janë ngritur aktakuza për krime lufte kundër pesë serbëve dhe një shqiptari.
Kosova ka dalë nga lufta e viteve 1998/99 pas fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë serbe.
Mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në luftë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona - shumica prej të cilëve shqiptarë.