Qeveria e Kosovës nuk duket se ka ndonjë plan konkret për kompensimin e mundshëm të viktimave në rastin e Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dënuar për krime lufte në Kosovë nga Gjykata Speciale në Hagë.
Kjo gjykatë, përmes një vendimi të marrë më 6 prill, e urdhëroi Mustafën që të paguajë 207 mijë euro në emër të kompensimit të dëmeve për tetë viktima nga ky proces.
Megjithatë, gjatë shpalljes së vendimit u bë e ditur se Mustafa ka deklaruar se nuk posedon mjete për të paguar zhdëmtimin.
I gjendur në këtë situatë, trupi gjykues në Gjykatën Speciale theksoi nevojën “për përfshirjen e aktorëve të tjerë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, sidomos Kosovën”.
REL-i pyeti më 18 prill Gjykatën Speciale nëse ka marrë ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës, në lidhje me vendimin e saj për zhdëmtimin e viktimave, por zyrtarë të saj mohuan se kanë pranuar ndonjë informacion.
Si parashihet zhdëmtimi i viktimave brenda Gjykatës Speciale?
Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Atje gjykohen krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Në ligjin, përmes të cilit është krijuar kjo gjykatë, parashihet që viktimat e konstatuara të krimeve brenda juridiksionit të kësaj gjykate, ta kenë të drejtën e zhdëmtimit.
Ligji parasheh që gjykata mund të shpallë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim apo, në disa raste, t’i udhëzojë viktimat që të ngrenë padi civile në gjykatat tjera të Kosovës.
Në rastin e Salih Mustafës, gjykata dha urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtimin e viktimave.
A mund ta paguajë buxheti i Kosovës zhdëmtimin e viktimave të Mustafës?
Sipas legjislacionit aktual, mundësia e kompensimit të plotë të këtyre viktimave nga buxheti i Kosovës është e vogël.
Kjo, për shkak se gjatë hartimit të ligjeve, me të cilat është themeluar Gjykata Speciale, nuk është paraparë ndonjë fond i veçantë për t’i kompensuar viktimat e mundshme që dalin nga ky proces.
Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë në lidhje me atë se si mund të bëhet kompensimi i këtyre viktimave dhe në përgjigjen e marrë me shkrim thuhet se çështjen e kompensimit të viktimave të krimit e mbulon ligji aktual për këtë çështje.
Ky ligj parasheh që viktimat e krimeve të kryera brenda territorit të Kosovës, të mund të kompensohen nga programi shtetëror, në rastet kur për një arsye ose tjetër nuk mund të kompensohen nga personi që e ka kryer krimin ndaj tyre.
Megjithatë, brenda këtij ligji parashihen kufizime për shumat maksimale që mund të marrin viktimat individuale të krimeve.
Varësisht nga lloji i dëmeve që mund të ketë pësuar viktima e një krimi, në këtë ligj parashihen shuma të kompensimit deri në 4 mijë euro dhe në raste shumë të veçanta deri në 10 mijë euro.
Vendimi i Gjykatës Speciale për zhdëmtimin e viktimave në rastin e Mustafës ka paraparë shuma nga 2 mijë deri në 80 mijë euro për secilën nga tetë viktimat.
Me gjithë insistimin e Radios Evropa e Lirë, Ministria e Drejtësisë nuk e komentoi faktin se ligji aktual nuk i mbulon shumat e zhdëmtimit që janë urdhëruar tashmë nga Gjykata Speciale.
As Zyra për Komunikim e Qeverisë së Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment në lidhje me këtë çështje.
Organizatat joqeveritare me mendime të ndryshme lidhur me zhdëmtimin
Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), që merret me drejtësinë tranzicionale, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Speciale për zhdëmtimin e viktimave.
“FDHK e konsideron këtë urdhër si një avancim në realizimin e së drejtës së kompensimit të viktimave”, thuhet në deklaratën publike të kësaj organizate të datës 7 prill.
Kjo organizatë, po ashtu, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një legjislacion adekuat dhe mekanizma që do të ofronin realizimin e dëmshpërblimit për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë.
Bekim Blakaj, drejtor i FDHK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompensimi i viktimave të krimeve të luftës është shumë i rëndësishëm, por shton se kompensimi do të duhej të bëhej për të gjitha viktimat - edhe përtej juridiksionit të Gjykatës Speciale.
“Nëse do të duhej të krijohej një fond për kompensimin e viktimave të krimeve të luftës, të cilat janë vërtetuar nga kjo gjykatë [Gjykata Speciale], nuk do të ishte e drejtë që t’i përfshinte vetëm viktimat që vërtetohen nga Dhomat e Specializuara [në Hagë]”, thotë Blakaj.
Nga arkivi i REL-it:
Por, sipas Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Kosovë, Gjykata Speciale “nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës që t’i kompensojë këto viktima”.
Sipas kësaj organizate joqeveritare, fondi për pagesën e viktimave do të duhej të krijohej nga buxheti i vetë Gjykatës Speciale, e jo të bëhet ngarkesë shtesë në buxhetin e Kosovës.
Rikujtojmë se Gjykata Speciale financohet nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe disa shtete të tjera kontribuuese.
Sipas raportit të kësaj gjykate të publikuar në vitin 2021, ky institucion përgjatë viteve 2016-2020 ka pasur një buxhet prej më shumë se 150 milionë eurosh.
Në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, deputetët kanë miratuar edhe një ligj tjetër, që u ka garantuar të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare.
Ministria e Drejtësisë nuk i tregoi shifrat e fundit për shpenzimet për të akuzuar, por, sipas disa llogaritjeve të mëhershme, kjo shumë i kalon 13 milionë euro.
Këtë muaj, në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur gjykimi i katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Nga arkivi i REL-it:
Në proces është edhe gjyqi kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte.
Si është bërë zhdëmtimi i viktimave të luftës në rajon?
Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përfshirë nga luftëra të përgjakshme në vitet ’90, të cilat kanë çuar në shpërbërjen e Jugosllavisë së atëhershme.
Në vitin 1993 është themeluar Tribunali i Hagës, i cili ka trajtuar krimet e luftës, të kryera në këtë rajon në atë kohë.
Aktakuzat e kësaj gjykate kanë përfshirë periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2001 dhe kanë pasur në shënjestër anëtarë të grupeve të ndryshme etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
Kjo gjykatë, ndryshe nga Gjykata e tanishme Speciale e Kosovës, nuk ka shqiptuar ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim të viktimave, mirëpo viktimat janë udhëzuar t’u drejtohen gjykatave vendore përkatëse për të siguruar zhdëmtimin.
Sipas një raporti të vitit 2021 të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, qindra padi për zhdëmtim janë bërë në gjykatat në Serbi, duke kërkuar kompensim nga shteti serb për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ‘90.
Ky raport nuk tregon se sa raste kanë fituar dëmshpërblim në total, por kritikon gjykatat se kanë ofruar shuma të vogla për kompensim dhe kanë tejzgjatur procedurat gjyqësore për viktimat.
Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Mali i Zi, miliona euro janë paguar në emër të zhdëmtimit të viktimave të krimeve të luftës në këtë shtet.
Sa i përket Bosnje dhe Hercegovinës, ky shtet nuk ka një ligj specifik shtetëror për t’i mbështetur viktimat e luftës, përfshirë viktimat e dhunës seksuale.
Në një rast të paprecedentë, një viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ka arritur që përmes Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, ta detyrojë shtetin e Bosnjës që t’i paguajë një dëmshpërblim prej 15 mijë eurosh.