Ndërlidhjet

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së “s’duhet të zgjasë mbi dy-tre vjet”


Iva Vukushiq, njohëse e proceseve gjyqësore për krimet e kryera në ish-Jugosllavi. Fotografi nga arkivi.
Iva Vukushiq, njohëse e proceseve gjyqësore për krimet e kryera në ish-Jugosllavi. Fotografi nga arkivi.

Historiania nga Universiteti i Utrehtit në Holandë dhe njohësja e proceseve gjyqësore për krimet e kryera në ish-Jugosllavi, Iva Vukushiq, beson se gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk duhet të zgjasë mbi dy apo tre vjet, pasi thotë se rasti i tyre nuk është aq i madh, në krahasim me raste të tjera që janë hetuar në Hagë në të kaluarën.

Më 3 prill do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999. Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Vukushiq – me prejardhje nga Kroacia, por që jeton në Hagë që nga viti 2009 dhe ka studiuar thellësisht procesin e Tribunalit të Hagës – beson se procesi nuk duhet të paragjykohet, pasi thotë se edhe në gjykimet e tjera deri më tani ka pasur kritika për përzgjedhjen e rasteve të cilat janë hetuar.

“E kemi parë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Pse ky rast dhe pse jo ai? Pse këto viktima? Pra, në një masë të caktuar, një sasi e caktuar zhgënjimi është pothuajse e natyrshme në proces”, thotë Vukushiq për REL-in, duke ftuar qytetarët e Kosovës të ndjekin gjyqin dhe “pastaj të gjykojnë”.

Radio Evropa e Lirë: Gjyqi ndaj ish-liderëve të UÇK-së do të fillojë të hënën, më 3 prill, dy vjet e gjysmë pas arrestimeve. A është e pazakontë që përgatitjet të marrin kaq shumë kohë?

Iva Vukushiq: Një veçori e gjyqeve ndërkombëtare, që kemi parë në Hagë, është se ato zgjasin shumë. Tani, ky teknikisht nuk është një gjykim ndërkombëtar, sepse sigurisht që Dhomat e Specializuara janë pjesë e gjyqësorit të Kosovës. Por, në aspektin se si funksionojnë dhe si janë zhvilluar hetimet, me çfarë lloj krimesh të supozuara kemi të bëjnë... Pra, përshtypja për këtë proces është se ai i ngjan mjaft hetimeve dhe gjyqeve që kemi parë, për shembull, në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ose në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Këto lloj institucionesh merren me akuza të ngjashme, edhe në kontekstin e konfliktit.

Dhe, çka është gjithashtu e rëndësishme për këtë gjyq është se bëhet fjalë edhe për njerëz që ishin shumë lart në strukturat e inteligjencës politike, ushtarake dhe institucioneve të ngjashme. Pra, sigurisht që ka vështirësi dhe sfida të shtuara për hetimin e gjykimeve të tilla komplekse, situatave të tilla komplekse. Kështu që unë do të thosha se nuk është e pazakontë. Anon ka rastet më të gjata, do të thosha, por nuk është e pazakontë të shohësh procedura shumë të gjata përpara se të zhvillohet gjyqi.

Radio Evropa e Lirë: I përmendët akuzat. Në akuzën ndaj tyre janë dhjetë pika, gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte. Sa mund të zgjasë ky proces?

Iva Vukushiq: Është shumë e vështirë të konstatohet paraprakisht. Unë, në fakt, po e lexoja një artikull disa ditë më parë për diskutimet e atyre që po e ndjekin nga afër gjykimin apo, më mirë të them, procesin sepse gjyqi nuk ka filluar ende, dhe mendoj se ka pasur edhe komente nga gjyqtarët e përfshirë duke thënë se mund të duhen disa vite. Dhe kjo është në fakt diçka që është mjaft e zakonshme, përsëri, në mjedise të llojit ndërkombëtar.

Ajo që do të më shqetësonte është se në krahasim me shumë gjyqe të tjera që kemi parë, për shembull, këtu në Hagë, ky është një rast relativisht i vogël. Tani, më lejoni t’ua shpjegoj se çfarë dua të them me “i vogël”. Periudha kohore nuk është shumë e gjatë. Numri i viktimave të supozuara nuk është shumë i madh. Numri i personave të akuzuar nuk është shumë i madh. Kështu që, për shembull, nëse do ta krahasonit me gjyqin e Ratko Mlladiqit, ose të Radovan Karaxhiqit, ato gjyqe ishin shumë, shumë më të mëdha. Territori më i madh, periudha më e madhe kohore, më shumë viktima të supozuara. Pra, të gjitha këto së bashku nënkuptojnë se këto ishin raste më të mëdha. Të dyja ato raste [kundër Mlladiqit dhe Karaxhiqit] zgjatën rreth pesë vjet. Kështu që unë do të shpresoja që Dhomat e Specializuara, Prokuroria dhe mbrojtja do të jenë në gjendje ta finalizojnë këtë rast, relativisht më të vogël, në ndoshta dy apo tre vjet. Shpresoj që të mos zgjasë më shumë se kaq.

Radio Evropa e Lirë: Gjyqi nis më shumë se 20 vjet pas luftës në Kosovë. Si mund të ndikojë kjo distancë kohore në procesin gjyqësor?

Iva Vukushiq: Koha është një gjë e ndërlikuar. Në disa mënyra mund të ndihmojë dhe në disa mënyra mund të pengojë. Si mund të ndihmojë? Për shembull, në Tribunalin e Hagës, në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, kemi parë disa hetime shumë, shumë komplekse, për shembull, në lidhje me Srebrenicën. Është kaq e komplikuar. Ka kaq shumë aktorë të ndryshëm, kaq shumë viktima të supozuara, kaq shumë gjëra që po ndodhnin, saqë duhen vite dhe ekipe të mëdha njerëzish për ta kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Ne gjithashtu mund të tërheqim disa paralele me Ukrainën, nuk është e arsyeshme të presim që të hetohen njerëz vërtet [në pozita] të lartë në një kohë shumë të shkurtër.

Nuk mendoj se Prokuroria mund të bëhet gati shpejt. Nga ana tjetër, nëse kalon shumë kohë, sigurisht, shumë dëshmitarë ose të mbijetuar mund potencialisht të vdesin në 20 apo 30 vjet. Nëse ata ishin në moshë madhore në kohën e luftës, kjo do të thotë se ka më shumë rrezik që dëshmitarët dhe të mbijetuarit të vdesin. Së dyti, natyra e kujtesës njerëzore është e tillë që mund të mos i mbani mend gjërat aq mirë sa do t'i mbanit mend 20 vjet më parë. Pra, kjo është gjithashtu një sfidë, dhe jam e sigurt se kjo do të krijojë disa pengesa edhe për procedurat. Pra, nuk është ideale ta bësh gjykimin 20 apo 30 vjet më pas. Por, për fat të keq, kjo është ajo që shpesh shohim kur bëhet fjalë për procedurat në Hagë.

Radio Evropa e Lirë: Kritikët që e kundërshtojnë këtë gjykatë thonë se ajo është një gjykatë njëetnike, e cila ka në cak vetëm shqiptarët e Kosovës. Si e komentoni këtë?

Iva Vukushiq: Epo, kjo gjykatë është një lloj institucioni i pazakontë në kuptimin që ne, natyrisht, kishim Tribunalin e Hagës që u mor pjesërisht me disa nga krimet e supozuara në këtë situatë. Dhe sigurisht, ajo ndoqi penalisht zyrtarë të nivelit të lartë serbë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të ngjashme. Pra, [kjo gjykatë] nuk ishte planifikuar fillimisht. Kështu që në një farë mase erdhi pak rastësisht nga një raport nga Këshilli i Evropës i shumë viteve më parë. Dhe pastaj topi filloi të rrotullohej dhe u rrotullua e u rrotullua. Dhe tani ne kemi një institucion që është institucion i Kosovës, por ndodhet në Hagë. Është e financuar dhe i gjithë stafi vjen nga jashtë. Pra, ka pasur disa kritika për këtë.

Tani, unë mendoj se një nga arsyet pse u krijua është sepse ekzistonte një ndjenjë që krimet e supozuara të lidhura me UÇK-në nuk u trajtuan siç duhet ose mjaftueshëm. Kështu që unë i kuptoj deri në një masë dilemat rreth kësaj. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se është patjetër e njëanshme apo se ka diçka që nuk shkon me të. Unë kam qenë këtu në Hagë për shumë vite, kam parë shumë, shumë herë këso lloj protestash. Unë vij nga Kroacia. Kroacia ishte në një situatë të ngjashme ku, për shembull, nëse lexuesit tuaj e kujtojnë rastin Gotovina, në Kroaci kishte shumë protesta për atë rast. Dhe unë mendoj se disa nga arsyet janë të ngjashme, sepse ekziston një perceptim se ne po bënim një luftë defensive, prandaj pse po na shikoni neve? Pse nuk po i shikoni njerëzit që po na sulmojnë?

Por, unë mendoj se është vërtet e rëndësishme të kujtojmë se edhe në një situatë në të cilën një vend sulmohet, ekziston mundësia që zyrtarët e atij vendi, civilët dhe ushtarakët të kryejnë krime lufte. Dhe kjo është diçka që do ta shohin edhe ukrainasit... që nuk do të thotë se çdo gjë që bëni në luftë lejohet. Kështu që unë mendoj se nuk është vërtet diçka e pazakontë. Edhe në Kroaci, ajo u korniza në një mënyrë të ngjashme.

Ajo që mendoj se do të ishte shumë e dobishme është që njerëzit ta lexojnë aktakuzën dhe të shohin se disa nga viktimat e supozuara janë gjithashtu shqiptarë nga Kosova. Pra, nuk është e paimagjinueshme të merret në konsideratë pezullimi i gjykimit dhe të shohim... le t’i shohim provat. Le të shohim se çfarë thonë gjyqtarët. Mundohuni që fillimisht të mos e keni këtë refuzim sepse, siç thashë, vërtet nuk është diçka e pazakontë. Dhe shumë, shumë herë njerëzit e refuzojnë këtë duke u nisur nga ideja se kjo është diçka kundër nesh. Pra, në të vërtetë nuk është aq e pazakontë.

Radio Evropa e Lirë: A mundet dhe a duhet kjo gjykatë t’i hetojë edhe krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës nga persona joshqiptarë?

Iva Vukushiq: Mandati ka të bëjë me një periudhë kohe dhe një të një vendi. Tani, në çdo rrethanë ku keni një situatë lufte, duhet të bëhen zgjedhje nga të gjitha krimet e ndryshme që ndodhin. Nuk ka asnjë mënyrë që ndonjë institucion t'i hetojë të gjitha. E kam të vështirë të them se çfarë duhet apo nuk duhet të bëjë prokurori, sepse nuk kam qasje në të gjitha provat. Por, këtë lloj zhgënjimi, e shohim gjatë gjithë kohës edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. E pamë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Pse ky rast dhe pse jo ai? Pse këto viktima?

Pra, në një masë të caktuar, një sasi e caktuar zhgënjimi është pothuajse e natyrshme në këso procese. Por, unë me të vërtetë do t'i ftoja qytetarët e Kosovës që të përpiqen ta lexojnë aktakuzën, ta ndjekin gjyqin, t’i lexojnë vetë provat dhe pastaj të gjykojnë, në vend që të gjykojnë paraprakisht, pa e ditur se çfarë prova ka, dhe thjesht të përpiqen të besojnë se ky nuk është një lloj komploti kundër tyre.

Radio Evropa e Lirë: Disa dokumente konfidenciale nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë dalë në publik. Hetimet për këtë rast kanë filluar, por rezultatet e hetimeve ende nuk i janë bërë të ditura publikut. A e ka dëmtuar kjo kredibilitetin e këtij institucioni?

Iva Vukushiq: Mendoj se definitivisht nuk ndihmon. Dhe kjo është një situatë shumë e ndjeshme sepse më kujtohet se për disa nga gjykimet që kishin të bënin me UÇK-në në Tribunalin e Hagës kishte shumë kritika për sigurinë e dëshmitarëve, për njerëzit nga UÇK-ja që vendosën të flasin për atë që panë, dëgjuan apo dëshmuan. Pra, ky ishte një problem i vërtetë në Tribunalin e Hagës me rastet e UÇK-së. Dhe mendoj se ishte një nga arsyet pse ne e kemi këtë gjykatë për të cilën po flasim tani, sepse Tribunali i Hagës nuk ka arritur siç duhet t'i trajtojë këto sfida.

Në të gjitha procedurat e krimeve të luftës, do të ketë disa prova që janë konfidenciale, sepse shtetet shpesh thonë, ja ku i keni disa dokumente, por mos i publikoni ato për arsye të sigurisë kombëtare apo diçka të ngjashme. Ndonjëherë mendoj se këto janë të justifikuara dhe ndonjëherë ndoshta nuk janë. Por, të kesh disa prova konfidenciale nuk është e pazakontë. Dhe ne e pranojmë këtë edhe në gjyqësinë kombëtare. Ndonjëherë në rastet për vrasje apo diçka tjetër në një gjykatë kombëtare, jo gjithçka është domosdoshmërish publike.

Megjithatë, kur kemi raste që kanë shumë gjëra që janë disi të fshehura nga sytë e publikut, kjo bëhet problematike. Sepse si do ta ndjekë publiku një gjyq siç duhet nëse fshihen kaq shumë dokumente, nëse kaq shumë dëshmi të dëshmitarëve mbahen në fshehtësi dhe gjëra të tjera? Pra, definitivisht nuk e ndihmon procesin. Mendoj se një nga arsyet pse Prokuroria është frenuar aq shumë në të kaluarën, është siguria. Ata gjithmonë thonë, “nëse e nxjerrim gjithë këtë dokument... Kosova është një vend i vogël, njerëzit njihen mes vete. Nëse themi diçka për këtë dëshmitar, ata do të gjenden lehtësisht. Dhe pastaj çka nëse diçka u ndodh atyre?”. Pra, është një situatë vërtet e ndërlikuar për Prokurorinë dhe për gjykatën gjithashtu, që të mund ta zhvillojë këtë gjykim në mënyrë të besueshme, por edhe pa i vënë njerëzit në rrezik. Është një situatë vërtet e ndjeshme.

Radio Evropa e Lirë: Përgjatë kësaj interviste, iu kemi referuar Tribunalit të Hagës disa herë. Cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet kryesore mes këtyre dy institucioneve?

Iva Vukushiq: E ngjashme është se të dyja janë në Hagë dhe në fakt shumë njerëz që kanë punuar në Tribunalin e Hagës po punojnë tani në Gjykatën Speciale. Për shembull, unë kam punuar në Bosnje dhe Hercegovinë në Zyrën e Prokurorit në Sarajevë dhe ka gjithashtu disa njerëz nga atje. Pra, shumë prej tyre janë njerëz që kanë përvojë nga Tribunali i Hagës dhe kanë një lloj reputacioni profesional dhe përvojë si hetues dhe prokurorë. Ata nuk janë njerëz amatorë që nuk e dinë se çfarë po bëjnë. Si dhe në anën e mbrojtjes, kemi avokatë mbrojtës me shumë përvojë, të cilët janë paraqitur edhe në raste të tjera.

Natyrisht, fakti që ndodhet shumë larg vendit ku kanë ndodhur krimet e supozuara, është gjithashtu një ngjashmëri mes tyre. Megjithatë, diçka që është me të vërtetë e ndryshme është se Tribunali i Hagës u imponua disi nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Thjesht, ata thanë këtu e keni një rezolutë dhe tani e kemi një gjykatë ndërkombëtare dhe ajo do të merret me ish-Jugosllavinë. Dhe ju, njerëzit në ish-Jugosllavi, nuk rol të madh në të. Thjesht duhet të thoni “në rregull”.

*Video nga arkivi: Çfarë janë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës?

Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Dhe, me Gjykatën Speciale kemi një situatë tjetër sepse kjo është një gjykatë e Kosovës, e integruar brenda sistemit gjyqësor. Por, qëndron këtu [në Hagë] për të qenë disi më të sigurt që do mund të kryejë hetimet dhe procedurat e saj pa ndërhyrje politike dhe gjëra të tilla. Megjithatë, mendoj se për shumë qytetarë të Kosovës, shkaku që është larg, ata nuk e ndjejnë realisht, ndoshta si institucion vendor. Pra, kjo është padyshim një sfidë. Por, është diçka që institucionet e Kosovës e kanë pranuar. Është pjesë e shtetit. Kështu që, kjo padyshim përbën një ndryshim kryesor midis atyre dyjave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG