“Politika e keqe në dhjetë vjetët e fundit” dhe “barrikadat në veri të Kosovës” janë disa nga arsyet përse Lista Serbe po e humb besimin e disa banorëve të Mitrovicës së Veriut, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.
Se kjo parti - më e madhja e serbëve në Kosovë - ka humbur mbështetje, e tregon edhe një hulumtim i organizatës joqeveritare, Aktiv, për pozitën e komunitetit serb në veri të Kosovës. Rezultatet e tij u publikuan në fillim të marsit dhe nga 350 të anketuar, vetëm 2.4 për qind thanë se i besojnë Listës Serbe.
Nga viti 2013, kur edhe është formuar me mbështetjen e Beogradit zyrtar, Lista Serbe ka marrë mbi 90 për qind të votave pothuajse në të gjitha zgjedhjet.
Megjithatë, vëzhgues nga Bashkimi Evropian kanë thënë në raportet e tyre se kjo parti “ka monopolizuar jetën politike mes serbëve në Kosovë”. Sipas tyre, kandidatë dhe aktivistë të Listës Serbe kanë bërë trysni mbi votuesit.
Kujt i besojnë serbët e veriut të Kosovës?
Nikolla, nga Mitrovica e Veriut, i tha Radios Evropa e Lirë se tensionet në veri të Kosovës në vitin 2022, e kanë bërë atë që të humbasë besimin te Lista Serbe. Ai tha se nuk i beson asnjërit prej përfaqësuesve politikë.
“...sepse kemi kaluar një periudhë të caktuar në barrikada, jo vetëm në këto të fundit, por gjatë gjithë vitit të kaluar, dhe nuk e di se çfarë kanë arritur [me to]”, tha Nilkolla.
Qëndrim të ngjashëm shprehu edhe Milloshi.
“E kemi humbur besimin [në Listën Serbe], sidomos për shkak të situatës që është krijuar, për shkak të udhëheqjes së saj”, tha ai.
- Kërcënuesit e "padukshëm" të serbëve të Kosovës
- Kufiri vështirë i kalueshëm për disa serbë të Kosovës
- Lista Serbe, ndërmjet pushteteve në Prishtinë dhe Beograd
Grupe të qytetarëve serbë, më 31 korrik dhe 10 dhjetor të vitit të kaluar, kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës, për të kundërshtuar zbatimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
Paraprakisht, zyrtarë të Listës Serbe kanë paralajmëruar “rezistencë” dhe më pas kanë mbështetur bllokimin e rrugëve kryesore në veri.
Ana nga Leposaviqi nuk është e kënaqur me politikën e pushtetit vendor. Sipas saj, “nuk ka më rend e ligj”.
“Unë nuk punoj askund, janë të punësuar kryesisht njerëz partiakë dhe kaq... Më e keqja është se nuk ka polici, nuk ka ligj, nuk ka rend, fëmijët janë të pambrojtur”, tha ajo.
Në nëntor të vitit të kaluar, me iniciativën e Listës Serbe, pjesëtarët e komunitetit serb janë larguar nga të gjitha institucionet e Kosovës në veri, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në ato të Kosovës.
Dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit - që të gjithë nga radhët e Listës Serbe. Ndërkohë, janë shpallur dy herë zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, por Lista Serbe ka refuzuar të marrë pjesë.
Aleksandri, në anën tjetër, tha se i beson Listës Serbe, sepse “ajo është parimore dhe lufton për mbijetesën e popullit serb”.
“E mbështes Goran Rakiqin (kryetarin e Listës Serbe). Ai ka mbetur parimor në politikën që ka udhëhequr edhe më parë”, u shpreh ai.
*Video nga arkivi: Serbët lëshojnë institucionet e Kosovës
Pse po humb besimi në Listën Serbe?
Miodrag Milliqeviq, nga organizata joqeveritare, Aktiv, beson se Lista Serbe e ka humbur mbështetjen për shkak se qytetarët në veri ndihen “të braktisur” pas heqjes së barrikadave.
“Kjo, qartazi, ka ndikuar negativisht në perceptimin e qytetarëve se janë të braktisur nga institucionet qendrore, por edhe nga përfaqësuesit politikë vendorë, të cilët i konsiderojnë drejtpërdrejt përgjegjës për situatën aktuale në veri të Kosovës”, thotë Milliqeviq.
Punonjës të institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë në veri kanë thënë më herët për REL-in se kanë qenë “të detyruar” të shkojnë në barrikada me turne. Sipas tyre, një gjë të tillë ua kanë kërkuar autoritetet lokale.
Verolub Petroniq, nga organizata joqeveritare, Qendra Humanitare - Mitrovicë, thotë se pjesëtarët e komunitetit serb i besojnë gjithnjë e më pak Listës Serbe për shkak të “nepotizmit, korrupsionit dhe aferave të ndryshme”.
Ai nuk jep ndonjë shembull konkret, por thotë se zyrtarët e Listës Serbe “i janë kthyer vetes dhe ekzistencës së tyre”.
Zyrtarët e Listës Serbe kanë pasur dy ose më shumë pozita përpara se të largoheshin nga institucionet e Kosovës, sepse kanë qenë të punësuar edhe në institucionet e Serbisë.
Për shembull, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka qenë njëkohësisht edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe drejtor i Ndërmarrjes Publike “Standard” në Mitrovicën e Veriut, e cila punon në sistemin serb. Përndryshe, makineritë e rënda të kësaj kompanie janë përdorur edhe për barrikadat në veri.
Rakiq merr rrogë edhe nga Shkolla e Lartë Ekonomike e Studimeve Profesionale, e cila funksionon në sistemin serb.
Petroniq thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Listës Serbe për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës ka qenë një “hap i gabuar”.
“Me daljen e tyre kanë dalë edhe shumë njerëz nga institucionet. Hap krejtësisht i gabuar. Kanë vendosur të dalin në vend që t’i normalizojnë gjërat në njëfarë mënyre”, thotë Petroniq.
Sipas tij, as politikanë të partive të tjera “nuk kanë kapacitet apo integritet” për të fituar besim më të madh nga qytetarët.
Akuzat ndaj Listës Serbe
Muajin e fundit ka pasur zëra se disa qytetarë po largohen nga Kosova për shkak të Listës Serbe.
Goran Antiq, pronari i kompanisë “Joe Travel” nga Mitrovica e Veriut, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se ka presion politik nga Lista Serbe, që institucionet arsimore “të urdhërohen” që të mos bashkëpunojnë me kompaninë e tij kur bëhet fjalë për ekskursione.
Ai ka thënë se për këtë arsye, është detyruar ta shesë pronën e tij dhe të largohet “për bukë” nga Mitrovica.
Goran Antiq ka marrë pjesë në protestat qytetare kundër Listës Serbe dhe Qeverisë aktuale në Serbi.
Një postim i ngjashëm është bërë edhe nga Llazar Millenkoviq nga Shtërpca - komunë me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër.
Ai ka nxjerrë një shpallje në stacionin e autobusëve në Shtërpcë, duke njoftuar se e gjithë prona e tij është në shitje për shkak të Listës Serbe.
Më pas, në tregun lokal, ai ka nxjerrë simbolikisht në shitje diplomën e tij dhe të anëtarëve të tjerë të familjes, për shkak të pamundësisë për t’u punësuar. Ai ka fajësuar për këtë partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë e kontaktoi Listën Serbe në lidhje me këto akuza, por nuk mori përgjigje. Ajo nuk iu përgjigj as kërkesës për t’i komentuar rezultatet e anketës së organizatës Aktiv, sipas së cilës ka humbur mbështetje të konsiderueshme nga qytetarët në veri të Kosovës.