Ndërlidhjet

Pretendimet për eksportin e armëve në Ukrainë lëkundin marrëdhëniet Serbi-Rusi


Pushka të ekspozuara në një fabrikë armësh në Serbi - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Pushka të ekspozuara në një fabrikë armësh në Serbi - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Zyrtarët në Serbi mohojnë se vendi i tyre ka eksportuar armë në Ukrainë.
Pasojat e mundshme mund ta shkatërrojnë “balancën” gjeopolitike të Beogradit zyrtar, i cili refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, por aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Video dhe fotografi që supozohet se tregojnë raketa serbe të eksportuara në Ukrainë, kanë alarmuar zyrtarët në Kremlin, të cilët kanë kërkuar qëndrim zyrtar nga Serbia.

Në vazhdën e mohimeve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 4 mars se asnjë armë ose municion serb nuk i është shitur as Rusisë, as Ukrainës.

Një vit më parë, Vuçiq, duke shpjeguar qëndrimin e Serbisë ndaj pushtimit të Ukrainës, ka thënë mes tjerash se Serbia nuk do të eksportojë armë në Kiev.

Kush i shpërndau pamjet?

Portali rus, Mash, publikoi më 27 shkurt një video-incizim, duke pretenduar se ai tregon 3.500 raketa serbe Grad në një depo armësh në Bratisllavë të Sllovakisë.

Sipas këtij portali, Sllovakia ka qenë një vend transit për raketat dhe ato kanë përfunduar në Ukrainë.

Portali publikoi edhe dokumente, të cilat tregojnë se kompania kanadeze “JNJ Export Import” ka porositur raketa nga kompania e armëve “Krushik” e Serbisë.

Radio Evropa e Lirë, megjithatë, nuk ka mundur ta konfirmojë autenticitetin e këtyre dokumenteve.

Sipas mediave ruse, dërgesat nga Serbia kanë arritur fillimisht në Turqi. Aty, me transit është marrë kompania turke “Arca Savunma Sanayi Ticaret”, përmes së cilës ngarkesa ka shkuar në Sllovaki dhe më pas në Ukrainë.

Videot dhe fotografitë janë përhapur më pas në rrjetet sociale dhe kanë arritur edhe në mediat në Serbi.

Cilat ishin reagimet në Serbi?

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, mohoi se Serbia eksporton armë në Ukrainë dhe Rusi.

Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, ai tha se ky vend nuk do t’iu shesë armë pjesëmarrësve në konflikte.

Sipas tij, Serbia ka të drejtë të eksportojë armë “te të gjithë ata që janë të legjitimuar dhe të ligjshëm si përdorues të fundit”.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq.

Vuçeviq tha se nëse kompanitë private blejnë armë në tregjet e treta dhe ato ua shesin kompanive në disa vende të tjera, kjo nuk është çështje që i përket Serbisë. “Është tregti ndërkombëtare”, tha ai.

Vuçeviq, po ashtu, tha se Serbinë nuk mund ta ndëshkojë askush me ndalim eksporti, për faktin se ka dyshime se ku dhe si do të mund të përfundojnë ato armë.

Eksportin e armëve serbe në Ukrainë e mohoi edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili u tha gazetarëve në Beograd më 3 mars se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, asnjë armë nga Serbia nuk është eksportuar te palët në konflikt.

Reagimi i fundit u bë më 5 mars nga presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ai tha se ata që pretendojnë se Serbia ka eksportuar armë në Ukrainë apo Rusi, “janë gënjeshtarë” dhe “duhet të kenë turp, sepse po e dëmtojnë Serbinë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Për Serbinë, në përputhje me ligjet ndërkombëtare, ekzistojnë të ashtuquajturit përdorues të lejuar dhe Serbia mund të eksportojë vetëm në vende të tilla. Ne kemi bërë gjithçka në përputhje me ligjin, jemi të pastër si loti", tha Vuçiq në Doha, ku mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Kombet e Bashkuara.

Çfarë thanë kompanitë?

Fabrika e armëve nga Serbia “Krushik” i mohoi akuzat.

Kjo kompani me seli në Valevë - pjesa perëndimore e Serbisë - tha më 28 shkurt se nuk ka pasur shitje të raketave në tregun ukrainas.

Sipas deklaratës së saj, “i gjithë rasti mediatik është ndërtuar mbi informacione jo të plota dhe pa lidhje”, të cilat “janë vendosur në një kontekst negativ”.

Ndërtimi i kompanisë "Krushik" në Valjevo, nëntor 2019.
Ndërtimi i kompanisë "Krushik" në Valjevo, nëntor 2019.

Kompania gjithashtu tha se nuk ka nënshkruar kontratë dërgese me kompaninë turke “Arca Savunma Sanayi Ticaret Limited”.

Kompania nuk e specifikoi nëse i ka shitur armë kompanisë kanadeze, e cila përmendet gjithashtu.

As kompania kanadeze dhe as ajo turke nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me armët serbe.

Në “Krushik” thanë se kjo kompani kërkon fillimisht nga blerësi që të sigurojë certifikatën e përdoruesit të fundit, me të cilën vërtetohet se përdoruesi i fundit pajtohet se nuk do të ketë rishitje ose rieksportim të dërgesës te ndonjë person ose shtet tjetër, pa lejen me shkrim të autoritetit përgjegjës në Republikën e Serbisë.

“Asnjë nga raketat tona, as minat, që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, nuk është kontraktuar duke pasur përdorues përfundimtar një nga palët në konflikt”, thuhet në komunikatën e kompanisë “Krushik”.

Çfarë thanë rusët?

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha më 2 mars se informacionet për armët serbe në arsenalin e ushtrisë ukrainase, shkaktojnë “shqetësimet më të thella”.

Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Ajo tha se Moska ka kërkuar nga Beogradi qëndrim zyrtar për informacionet e tilla.
Zakharova, po ashtu, tha se Kremlini “po e ndjek nga afër këtë ngjarje”.

“Kjo është një çështje shumë serioze, përfshirë edhe nga pikëpamja e marrëdhënieve ruso-serbe. Për të reaguar në mënyrë të duhur, duhet të mbështetemi në fakte”, tha mes tjerash Zakharova.

Pse pretendimet shkaktuan krizë diplomatike?

Serbia dhe Rusia kanë tradicionalisht marrëdhënie të ngushta. Beogradi zyrtar, pavarësisht thirrjeve të Perëndimit, refuzon të ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë.
Zyrtarët e justifikojnë këtë qëndrim me marrëdhëniet ekonomike, kryesisht varësinë nga gazi rus. Megjithatë, këtu ka edhe një element politik.

Zyrtarët në Serbi refuzojnë ende ta njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008. Përveç kësaj, ata përpiqen ta bllokojnë edhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara.

Për bllokim, Serbisë i duhen vota shtesë, dhe në mesin e vendeve që e mbështesin, është Rusia.

Serbia, po ashtu, aspiron të bëhet anëtare e BE-së. Për këtë i duhet ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë evropiane, e cila përfshin edhe sanksionet kundër Rusisë.

Beogradi zyrtar, megjithatë, vazhdon politikën e tij “balancuese”, duke shtyrë harmonizimin e ligjeve të tij me ato të BE-së.

Këto nuk janë pretendimet e para se armët e prodhuara në Serbi, kanë përfunduar në Ukrainë.

Një situatë e ngjashme ka ndodhur në mars të vitit 2022, kur në rrjetet sociale dhe në disa media ruse janë shfaqur fotografi, që gjoja tregonin se armët e prodhuara në Serbi, po përdoreshin në Ukrainë.

Autoritetet në Beograd edhe atëherë kanë mohuar se Serbia ka eksportuar armë në atë vend, në tetë vjetët e fundit.

Në Ministrinë serbe të Tregtisë, e cila është përgjegjëse për dhënien e licencave të eksportit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, kanë deklaruar gjithashtu se gjatë asaj periudhe, nga Serbia nuk janë eksportuar armë në ndonjë shtet tjetër, ku përdoruese përfundimtare do të ishte Ukraina.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG