Ndërlidhjet

Katër shqiptarë në mesin e viktimave të aksidentit me trena në Greqi


Aksidenti me trena në Larisa të Greqisë më 1 mars 2023.
Aksidenti me trena në Larisa të Greqisë më 1 mars 2023.

Katër prej viktimave të aksidentit mes dy trenave që ndodhi më 1 mars në Greqi janë shqiptarë.

Kjo u bë e ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, pas komunikimit me autoritetet greke.

“Në radhët e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Larisa konfirmohen deri më tani katër shtetas shqiptarë dhe me origjinë shqiptare. Ata janë: Ifigjenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas, Klaudia Lato”, ka deklaruar Ministria e Jashtme.

Gjithashtu, autoritetet shqiptare bënë të ditur se po presin rezultatet e ADN-së edhe për një shtetas tjetër shqiptar që është deklaruar i zhdukur nga familjarët e tij dhe policia greke.

Nga përplasja e dy trenave kanë vdekur të paktën 57 persona dhe janë lënduar dhjetëra të tjerë. Në mesin e të lënduarve janë edhe tetë shtetas shqiptarë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ata po marrin trajtim të specializuar mjekësor në spitalin e Larisës në Greqi.

Qeveria shqiptare ka shpallur ditë zie kombëtare ditën e diel, më 5 mars. Për të nderuar viktimat e këtij aksidenti tragjik, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike në Shqipëri, flamujt do të ulen në gjysmështizë.

Në Greqi po vijojnë ende operacionet e shpëtimit dhe pritet identifikimi edhe i një personi tjetër.

Ky aksident, që Qeveria ia ka lënë fajin gabimit njerëzor, nxitur zemërim dhe protesta në Greqi. Ministri grek i Transportit dha dorëheqjen pas përplasjes së trenave ndërsa në vend është hapur një debat i madh mbi sigurinë në transportin hekurudhor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG