Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Christopher Wray, ka thënë se byroja beson që koronavirusi e ka origjinën në një “laborator të kontrolluar të Qeverisë kineze”.
“FBI-ja tash e një kohë vlerëson që origjina e pandemisë, besohet shumë, që është rezultat i një incidenti në laborator”, ka thënë ai për Fox News.
Ky është konfirmimi i parë publik i FBI-së për origjinën e koronavirusit.
Kina e ka hedhur poshtë mundësinë e daljes së virusit nga laboratori në Vuhan, duke e konsideruar këtë akuzë si shpifëse.
Komentet e Wrayt kanë ardhur një ditë pasi ambasadori amerikan në Kinë, Nicholas Burns, i ka bërë thirrje këtij shteti që të jetë më “i sinqertë” për origjinën e koronavirusit.
Përgjatë intervistës, Wray ka thënë se Kina “ka bërë gjithçka që ka mundur për të penguar” përpjekjet e identifikimit të burimit të pandemisë globale.
“Dhe kjo përbën fatkeqësi për secilin”, ka thënë ai.
Disa studime sugjerojnë se virusi mund të ketë kaluar nga kafshët te njerëzit, në një treg të kafshëve në Vuhan të Kinës.
Ky treg është vetëm 40 minuta larg laboratorit të njohur botërisht për viruset, i cili në të kaluarën ka kryer kërkime për koronaviruset.
Qeveria kineze ende nuk i ka komentuar deklaratat e shefit të FBI-së, mirëpo të hënën i ka hedhur poshtë raportimet se Departamenti amerikan i Energjisë ka ardhur në përfundim, “ndonëse me besim të vogël”, se virusi ka dalë nga laboratori.
Hetimet e Organizatës së Botërore të Shëndetësisë janë kritikuar ashpër për mënyrën si janë kryer – si pasojë e kufizimeve kineze - dhe shefi i këtij institucioni ka kërkuar hetim të ri, me arsyetimin se “të gjitha hipotezat mbesin të hapura dhe duhet bërë studime të mëtejme”.
Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.