Ndërlidhjet

Porosi mjekëve kinezë: Të mos përmendin COVID-19 në certifikatat e vdekjes


Një duke kontrolluar gjendjen e pacientëve në një spital në provincën Hubei. Fotografi nga arkivi.
Një duke kontrolluar gjendjen e pacientëve në një spital në provincën Hubei. Fotografi nga arkivi.

Reuters

Përgjatë një dite të ngarkuar në një spital privat të Pekinit, një mjek e ka parë mes tjerash edhe një porosi në departamentin e emergjencës: mjekët duhet të përpiqen “të mos shkruajnë” COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, në certifikatën e vdekjes së një pacienti.

Pra, nëse viktima ka pasur edhe ndonjë sëmundje shoqëruese, ajo duhet të përmendet si shkaktarja kryesore, sipas dokumentit që e ka parë edhe agjencia e lajmeve Reuters.

Nëse mjekët besojnë se vdekja është shkaktuar nga pneumonia e shkaktuar prej COVID-19, ata duhet t’iu raportojnë eprorëve të tyre, në mënyrë që një vdekje me koronavirus të jetë e konfirmuar në dy nivele.

Gjashtë mjekë të spitaleve publike në Kinë, i kanë thënë Reutersit që ose u është thënë në bashkëbisedime që të mos ua atribuojnë vdekjet koronavirusit, ose janë të vetëdijshëm që spitalet kanë politika të tilla.

Disa familjarë të pacientëve që kanë vdekur me koronavirus, kanë thënë se vdekja nuk është shfaqur në certifikatat e vdekjes dhe disa pacientë kanë raportuar se nuk janë testuar për koronavirus, pavarësisht se kanë pasur simptoma.

“Ne jemi ndalur së klasifikuari vdekjet me koronavirus prej rihapjes në dhjetor”, ka thënë një mjek në spitalin e madh publik të Shangait.

“Nuk ka kuptim, sepse gati të gjithë janë pozitivë”.

Direktiva të tilla janë kritikuar nga ekspertët globalë shëndetësorë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) se Kina nuk i ka raportuar saktë vdekjet me koronavirus, sidomos prej kur ka braktisur në dhjetor regjimin e zero rasteve me këtë virus.

Më 15 janar, zyrtarët kinezë kanë thënë se 60.000 persona kanë vdekur në spitalet kineze brenda një muaji.

Kjo i bie që 10 herë më shumë viktima janë regjistruar prej heqjes së kufizimeve, mirëpo ekspertët kanë thënë se shifrat mund të jenë edhe më të mëdha dhe se Kina mund të regjistrojë më shumë se një milion vdekje me koronavirus këtë vit.

Qendra kineze për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Komisioni Kombëtar Shëndetësor i Kinës, nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.

Mjekët në këtë artikull po ashtu nuk kanë pranuar të identifikohen, sepse nuk u lejohet të flasin në media.

Disa prej tyre kanë thënë se udhëzimet e tilla u kanë ardhur nga “qeveria”, ndonëse asnjëri nuk ka përmendur ndonjë departament specifik.

Tre mjekë tjerë të spitaleve publike në qytete të ndryshme kanë thënë se nuk janë në dijeni të ndonjë udhëzimi.

Njëri prej tyre, mjek në dhomën e urgjencës në provincën Shandong, ka thënë se mjekët kanë lëshuar certifikatat e vdekjes varësisht prej shkaktarit të vdekjes, mirëpo “mënyra e kategorizimit” është vendimmarrje e spitaleve apo zyrtarëve lokalë.

Shifrat “ende të ulëta”

Prej fillimit të pandemisë së koronavirusit, e cila ka shpërthyer tre vjet më parë në qytetin e Vuhanit, Kina është kritikuar ashpër se nuk ka qenë transparente për virusin – një akuzë që është hedhur poshtë vazhdimisht nga zyrtarët kinezë.

Para 7 janarit, Kina ka raportuar pesë apo më pak vdekje me koronavirus brenda ditës.

Ndërsa prej 60.000 vdekjeve të raportuara brenda një muaji, autoritetet kineze kanë thënë që më pak se 10 për qind e tyre janë shkaktuar prej dështimit të rrugëve të frymëmarrjes, si pasojë e koronavirusit.

Të tjerë është thënë se kanë vdekur nga kombinimi i COVID-19 dhe sëmundjeve tjera.

Michael Baker, hulumtues i shëndetit publik në Universitetin e Otagos në Zelandë të Re, ka thënë se shifrat e viktimave ende “duken të ulëta”, në krahasim me nivelin e lartë të infektimit në Kinë.

“Shumë shtete po e kuptojnë se shumica e vdekjeve nga koronavirusi janë duke u shkaktuar drejtpërdrejt nga infektimi, sesa nga kombinimi i koronavirusit dhe sëmundjeve tjera”, ka thënë ai.

“Në anën tjetër, vdekjet e raportuara në Kinë janë kryesisht kombinim i COVID-19 dhe infektimeve tjera, çka sugjeron se vdekjet direkt nga koronavirusi nuk raportohen saktë në Kinë”.

Yanzhong Huang, hulumtues i lartë për shëndet global në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë në Nju Jork, ka thënë se është e paqartë nëse të dhënat e reja reflektojnë me saktësi numrin e viktimave, edhe për faktin se ato përfshijnë vetëm vdekjet nëpër spitale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar të hënën që Kina të monitorojë vdekshmërinë e tepërt, për të pasur një pasqyrë më të pastër për ndikimin e koronavirusit.

E ashtuquajtura vdekshmëri e tepërt është kur numri i vdekjeve në një periudhë kohore është më i lartë sesa që ka qenë në mesataret e vjetëve paraprakë.

Dhënia fund e testimeve

Shtatë persona i kanë thënë Reutersit se koronavirusi nuk është përmendur në certifikatat e vdekjes së familjarëve të tyre, ndonëse ata kanë qenë pozitivë dhe kanë pasur simptoma të sëmundjes COVID-19.

Edhe në rrjetet sociale ka pasur raportime të ngjashme.

Kur një banor i Pekinit, me mbiemrin Yao e ka dërguar tezen e tij 87-vjeçare, të infektuar me koronavirus në një spital të madh publik, mjekët nuk e kanë pyetur nëse e ka pasur virusin, dhe as që e kanë përmendur COVID-19.

“Spitali ka qenë plot me pacientë, të gjithë mbi 80 apo 90 vjeç, dhe mjekët nuk kanë pasur kohë që të flasin me askënd”, ka thënë Yao, duke shtuar se të gjithë është dukur se kanë pasur simptoma të COVID-19.

Pacientëve, përfshirë tezen e tij, u janë kryer teste rigoroze, ndonëse jo për COVID-19, para se t’iu komunikohej se kanë pasur pneumoni.

Më pas spitali u ka thënë se nuk kanë ilaçe, andaj ata mund të shkojnë në shtëpi.

Dhjetë ditë më vonë, ajo është shëruar.

Stafi mjekësor në spitalet publike të disa qyteteve në Kinë, ka thënë se testet PCR janë braktisur plotësisht, ndonëse nën politikën e zero rasteve me koronavirus, ato kanë qenë pjesë e përditshmërisë.

Heqja e fokusit nga testimet mund të jetë mënyra më e mirë për të maksimizuar burimet, kur spitalet janë të tejngarkuara, i kanë thënë dy ekspertë Reutersit.

Ben Cowling, epidemiolog në Universitetin e Hong Kongut, ka thënë se të gjithë pacientët me sëmundje akute të frymëmarrjes do të mund të ishin të infektuar me COVID-19.

“Meqë ilaçe ka pak, nuk mendoj se testimet në laborator mund ta bëjnë dallimin sa i përket menaxhimit të situatës”.

‘Jini të kujdesshëm’

Një mjek në qytetin lindor të Ningbos, ka thënë se mjekëve u është thënë të jenë “të kujdesshëm” kur të deklarohen se dikush ka vdekur nga koronavirusi, dhe në rastet kur thonë diçka të tillë, ata duhen të marrin miratim.

Asnjë sëmundje tjetër nuk kërkon kësi niveli të “kujdesit” kur të paraqitet në certifikatën e vdekjes, ka thënë ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG