Ndërlidhjet

Biden: Nuk pres që Kina t’i ofrojë armë Rusisë


Presidenti amerikan, Joe Biden.
Presidenti amerikan, Joe Biden.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk pret “iniciativë masive” prej Kinës për t’i ofruar armë Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Komentet e tij vijnë disa ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka thënë transmetuesit amerikan CBS, se Kina është duke “shqyrtuar mundësinë e dërgimit të mbështetjes vdekjeprurëse” te Moska, duke nisur nga “municioni e deri te armët”.

Pekini i ka hedhur poshtë deklarata.

Në një intervistë televizive të transmetuar më 24 shkurt, Biden duket se ka tërhequr mbrapsht komentet e Blinkenit.

“Nuk pres – nuk kemi parë diçka të tillë ende – por nuk pres iniciativë masive nga ana e Kinës për t’i ofruar armë Rusisë”, ka thënë ai.

Biden e ka përmendur një bisedë që e ka zhvilluar me presidentin kinez, Xi Jinping në verën e kaluar, ku, sipas tij, i ka bërë të qarta pasojat nëse i ofrohen armë Rusisë.

“Pa ndonjë miratim qeveritar, 600 korporata amerikane e kanë lënë Rusinë – nisur nga McDonald's e deri te Exxon”, është cituar t’i ketë thënë Biden presidentit kinez.

“Dhe i kam thënë, ‘nëse edhe ju përfshiheni në këtë brutalitet, të mbështetjes së brutalitetit që është duke u zhvilluar, ju mund të përballeni me pasoja të njëjta'”.

I pyetur nëse Kina do të tejkalonte vijë të kuqe, në rast se Pekini i ofron armë Rusisë, Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara “do të përgjigjeshin”.

“Do të ishte qasja e njëjtë sikur për të gjitha shtetet tjera. Me fjalë tjera, ne do të vendosnim sanksione të ashpra ndaj secilit që vepron ashtu”.

Aleatët e Ukrainës kanë përdorur sanksionet dhe bllokadat tregtare për të ngufatur aftësinë e Rusisë për të blerë më shumë armë, apo për të prodhuar më shumë në tregun e brendshëm.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG