Ndërlidhjet

Bullgaria gjen 18 migrantë të vdekur në një kamion


Kufiri midis Bullgarisë dhe Turqisë. Fotografi ilustruese.
Kufiri midis Bullgarisë dhe Turqisë. Fotografi ilustruese.

Autoritetet bullgare njoftuan se kanë gjetur 18 migrantë të vdekur në një kamionë të braktisur, teksa ky shtet po përballet me rritjen e numrit të kalimeve ilegale të kufirit.

Kjo makinë po “transportonte ilegalisht rreth 40 migrantë që ishin fshehur nën disa ngarkesa me dru”, tha Ministria e Brendshme bullgare. “Tetëmbëdhjetë prej tyre kanë vdekur”.

Kjo është një prej incidenteve më vdekjeprurëse në Bullgari sa i përket trafikimit me migrantë.

Pasi banorët lokalë njoftuan policinë, ata gjetën kamionin në fshatin Lokrosko, 20 kilometra në verilindje të kryeqytetit bullgar, Sofje.

Shkaku i vdekjes së migrantëve ende nuk dihet.

“Nuk mund të them me siguri se çfarë ndodhi. Ka pasur mungesë të oksigjenit, ka pasur të ftohtë dhe lagështi, dhe me siguri ata nuk kishin ngrënë ushqim për disa ditë”, tha për gazetarët ministri i Shëndetësisë, Asen Medjidiev.

Ai shtoi se 14 persona u gjetën të gjallë brenda kamionit dhe tetë prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë dërguar në spital.

Ndërkaq, dhjetë persona të tjerë u gjetën të fshehur në zonën përreth dhe janë dërguar në spital për kontrolle mjekësore.

Sipas radios publike, BNR, të gjithë migrantët që ishin në kamionë besohet se ishin burra nga Afganistani.

Autoritetet kanë nisur kërkimet për të gjetur trafikantët që kanë vozitur këtë kamionë.

Bullgaria, shtet anëtar i Bashkimit Evropian, shërben si portë për migrantët për të hyrë në bllokun evropian. Ky shtet ka rritur sigurinë me synimin që të përballet me numrin në rritje të kalimeve ilegale të kufirit.

Bullgaria ka një kufi – të rrethuar me tela me gjemba – prej 234 kilometra të gjatë që ndan me Turqinë.

Sipas shifrave zyrtare të Bullgarisë, më 2022 në këtë shtet janë penguar 164.000 kalime ilegale të kufirit, numër shumë më i lartë krahasuar me vitin 2021, kur u regjistruan 55.000 kalime ilegale të kufirit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG