Bullgaria po përballet me akuza të shumta se po abuzon njerëzit që po tentojnë të kalojnë kufirin e saj me Turqinë, teksa azilkërkuesit kanë thënë se ata janë kthyer mbrapsht, janë arrestuar, kontrolluar dhe janë rrahur.
Ky shtet i Bashkimit Evropian shërben si portë për të hyrë në bllokun evropian dhe po tenton që të forcojë kontrollet kufitare, me qëllim që të ndalë numrin në rritje të personave që po tentojnë ta kalojnë kufirin. Numri i kalimeve kufitare ka arritur në nivele që nuk janë parë që nga viti 2015.
“Që nga fillimi i vitit të kaluar ne kemi parë një kthim intensiv dhe brutal të njerëzve”, një praktikë që është e paligjshme në BE, tha Diana Dimova, udhëheqëse e grupit për ndihmën e refugjatëve në Bullgari, Mission Wings.
Sipas dëshmive të azilkërkuesve dhe raporteve të agjencisë evropiane për kufijtë, Frontex, thuhet se Bullgaria përdor metoda brutale ndaj personave që tentojnë ta kalojnë kufirin.
Policia kufitare ka penguar 164.000 “kalime ilegale” të kufirit më 2022, krahasuar me 55.000 përpjekje më 2021, ka thënë Ministria e Brendshme e Bullgarisë.
Rritja e numrit të personave që tentojnë të hyjnë në Bullgari veçse ka ndikuar që Austria dhe Holanda të bllokojnë përpjekjen e Sofjes që të bëhet anëtare e zonës Schengen.
Në përpjekje për të ndalur fluksin e kalimeve ilegale, autoritetet bullgare kanë intensifikuar kontrollet në kufirin prej 234 kilometrash me Turqinë, i cili është pothuajse i tëri i rrethuar me tela me gjemba.
Disa media evropiane në fundin e vitit të kaluar së bashku me një organizatë për të drejtat e njeriut, dokumentuan abuzimet ndaj azilkërkuesve.
Ndërkaq, Frontex ka thënë se janë regjistruar 25 “incidente serioze” që lidhen me aktivitetet e Bullgarisë në vitin 2021 dhe 2022.
“Kthimi mbrapsht i personave ndodh shpesh në zonën operacionale dhe stafi i Frontex qëllimisht mbahet larg kur autoritetet veprojnë kështu”, thuhet në raportin e Frontex-it, të cilin e ka parë AFP-ja.
Në këtë raport po ashtu thuhet se autoritetet përdorin gjuhë denigruese dhe raciste, duke iu referuar migranëve me termin “talibanë”.
Autoritetet bullgare vazhdimisht kanë mohuar akuzat për abuzim.
Sofja, po ashtu, ka kërkuar nga BE-ja 2 miliardë euro për të forcuar rrethojat kufitare dhe për të përmirësuar vëzhgimin, por deri më tani, Brukseli ka refuzuar që t’i ndajë këto fonde.