Ndërlidhjet

Nuk hiqet dorë nga njohja e ndërsjellë


Një nga takimet e delegacioneve të nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi, të mbajtur në Bruksel në qershor të vitit 2021.
Një nga takimet e delegacioneve të nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi, të mbajtur në Bruksel në qershor të vitit 2021.

Nuk ka indikacione se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndryshuar qëndrim lidhur me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rezultat që duhet të dalë nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kështu vlerësojnë Lulzim Peci nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, dhe Aleksandar Popov nga Qendra joqeveritare për Rajonalizëm në Novi Sad të Serbisë.

Sipas tyre, mospërmendja e njohjes së ndërsjellë në mënyrë specifike, në letrat që presidenti amerikan, Joe Biden, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i kanë dërguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ditën e shtetësisë së Serbisë, më 15 shkurt, ka të bëjë me kontekstin e dinamikës aktuale ndërkombëtare lidhur me dialogun Kosovë–Serbi.

Megjithatë, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në urimin që i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit, duke iu referuar dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë se SHBA-ja e mirëpret pranimin nga Kosova të “propozimit të BE-së për normalizim, me synimin përfundimtar të njohjes reciproke”.

Peci: Deklaratat në përputhje me dinamikat e tanishme

Ish-diplomati kosovar, Lulzim Peci, aktualisht drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) thekson se tashmë në tavolinat e palëve, Kosovës dhe Serbisë, gjendet propozimi i Bashkimit Evropian, i njohur më herët si plani franko-gjerman.

Ky propozim, siç thotë Peci, nuk e nënkupton arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe juridikisht të obligueshme, por synon një marrëveshje, siç e quan ai, të ndërmjetme.

Në këtë kontekst ai e sheh edhe mospërmendjen e njohjes së ndërsjellë në letrat e zyrtarëve amerikanë dërguar presidentit serb Vuçiq.

“Unë mendoj që letrat e presidentit Biden dhe sekretarit Blinken kanë të bëjnë me situatën e tanishme dhe arritjes së kësaj marrëveshjeje të ndërmjetme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për njohje reciproke, mirëpo ne po flasim për dinamikën e tanishme rreth kësaj marrëveshjeje të ndërmjetme, në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila pritet të nënshkruhet në këtë pranverë”, thotë Peci.

Një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dyja palët e kanë pranuar në verën e vitit të kaluar.

Propozimi, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në propozimin e Bashkimit Evropian nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë - por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

*Video nga arkivi: Gjërat që duhet t’i dini për propozimin e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

Popov: Njohja implicite për të shmangur ‘njohjen e ndërsjellë’

Aleksandar Popov nga Qendra joqeveritare për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se letrat e zyrtarëve amerikanë për Vuçiqin dhe mospërmendja e njohjes së ndërsjellë në to, reflekton situatën në terren, që nënkupton insistimin ndërkombëtar për zbatimin e propozimit të Bashkimit Evropian.

Ai thekson se vendet perëndimore, përshirë SHBA-në, po shpejtojnë që palët të nisin bisedimet mbi këtë propozim që ata e kanë pranuar, por në të cilin nuk figuron njohja e ndërsjellë në mënyrë eksplicite. Nga ky prizëm, sipas tij, duhet shikuar edhe letrat e zyrtarëve amerikanë dërguar Vuçiqit.

“Në këtë plan [propozimi i BE-së], njohja e ndërsjellë nuk ekziston si pikë përfundimtare, por ekziston diçka që nënkupton njohjen implicite [të nënkuptuar] dhe kjo është pika katër, e cila flet për marrëdhëniet e thuajse dy shteteve të pavarura".

"Mendoj se kjo është arsyeja se pse presidenti amerikan, por edhe administrata amerikane po pasojnë atë që po bëjnë negociatorët në terren dhe përfaqësuesi i tyre Derek Chollet, i cili i parapriu garniturës operuese, të përbërë nga [emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar nga ana amerikane dhe [i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav] Lajçak nga ana e Bashkimi Evropian”, thotë Popov.

Siç ka shpjeguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në debatin parlamentar në Kuvendin e Kosovës, më 13 shkurt, pika e katërt e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, përfshin “heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale, si OKB, UNESCO apo NATO”.

Karakteristikat e propozimit evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13 shkurt në Kuvend lexoi “disa karakteristika” të versionit të parë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto karakteristika, sipas Kurtit, janë:

1. Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore p.sh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore. Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar në vitin 1973 që marrëveshja gjermano-gjermane ngërthente më vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare.

2. Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.

3. Propozimi, gjithashtu, përcaktonte njohjen nga palët, të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

4. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale si OKB, UNESCO apo NATO.

5. Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

6. Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyrave të përhershme diplomatike në formën e legatëve që janë ambasada faktike e që përbënin formën normale të marrëdhënieve ndërshtetërore para Luftës së Dytë Botërore.

7. Propozimi përmbante njohjen e dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave të njëra-tjetrës nga njëra-tjetra.

8. Propozimi, megjithatë, përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë: E para, normën që e përcaktonte komuniteti serb, do të ketë një të drejtë të vetëmenaxhimit në përputhje me instrumentet, konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare në Këshillin Evropës.

Dhe, e dyta, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së kishës në Ligjin tonë për komunitetet fetare në Kosovë.

9. Pika 10, e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.

Kurti: Nuk komentoj

Çështja e njohjes së ndërsjellë është aktualizuar, për shkak se ndryshe nga sivjet, në letrat e zyrtarëve amerikanë dërguar Vuçiqit në vitet e kaluara, në kontekstin e qëllimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është përmendur në mënyrë specifike “njohja e ndërsjellë”.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës, me kërkesën që të komentojë faktin që në letrën e presidentit Biden dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken, dërguar Vuiçiqit, nuk përmendet njohja e ndërsjellë.

Deri më tash nuk kakthyer përgjigje. Por, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti, është pyetur se pse nga kërkesa e SHBA-së që të ketë njohje të ndërsjellë në qendër të dialogut Kosovë-Serbi, është arritur në pikën që në propozimin e BE-së të mos përmendet fare njohja e ndërsjellë.

Kurti ka thënë se do të ishte pretenduese dhe arrogante që ai të përgjigjet lidhur me qëndrimet e SHBA-së.

“Unë nuk mund të përgjigjem për këtë. Tjetërkush i formulon dhe i mban ato qëndrime. Marrëveshja me Serbinë varet nga procesi i bisedimeve dhe ajo duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, që të jetë marrëveshje edhe finale, por edhe për normalizim të plotë”, ka deklaruar Kurti.

Njohja e ndërsjellë “në një marrëveshje përfundimtare”

Më herët, të enjten, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ndryshuar pozicionin sa i përket njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë, përmes të cilit synohet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me qëllim përfundimtar njohjen reciproke”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it.

Lulzim Peci vlerëson se deklaratat që vijnë nga zyrtarët e SHBA-së tregojnë se qëndrimi i mëhershëm për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi, nuk ka ndryshuar.

“Qëndrimi nuk ka ndryshuar, por dinamika e arritjes së kësaj marrëveshjeje, tani është parcializuar. Tani e kemi këtë marrëveshje [propozimin e BE-së]. Marrëveshja e ardhshme do të jetë për njohjen reciproke, po nuk do të bëhet tani. Besoj që do të marrë vite të tëra deri sa të arrihet. Momenti se kur do të bëhet kjo, do të varet nga dinamikat ndërkombëtare, së pari nga epilogu i luftës në Ukrainë, por edhe nga ambiciet e Serbisë se a dëshiron të jetë anëtare e Bashkimit Evropian ose jo”, thotë Peci.

“Ndërmjetësuesit, të vetëdijshëm për barrën”

Ndërkaq, në Serbi, djathtistët pro-rusë kanë protestuar, më 15 shkurt, kundër autoriteteve serbe dhe dialogut me Kosovën.

Ata tentuan të hynin në objektin e Presidencës, por u ndaluan nga policia. Një ditë më pas, policia serbe ka arrestuar tre nga organizatorët e protestës, të cilët i takojnë organizatës djathtiste “Patrulla Popullore”.

Në debatin parlamentar në Kuvendin e Serbisë, më 2 shkurt, pas prezantimit të propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u përball me kritika të ashpra nga partitë opozitare.

Situata përshkallëzoi me incidente dhe përplasje ndërmjet deputetëve opozitarë dhe atyre në pushtet, ndërkaq, para Kuvendit ishin grumbulluar dhjetëra qytetarë, të cilëve më pas iu bashkuan grupe të njerëzve që bartnin shenjat e organizatës djathtiste “Patrulla Popullore” si dhe të grupit paramilitar rus, Wagner.

Aleksandar Popov thotë se zyrtarët perëndimorë janë të vetëdijshëm që në fazën e tanishme, nga Vuçiqi nuk mund të kërkojnë më shumë se sa përmbajtja e propozimit të BE-së.

“Në këtë situatë, asnjë president i Serbisë nuk mund të nënshkruajë njohjen eksplicite të Kosovës, sepse me këtë do ta nënshkruante fundin e karrierës së vet politike dhe njëkohësisht do të shihej si tradhtar”.

“Madje edhe me tekstin e tanishëm, që nënkupton njohjen implicite, presidenti Vuçiq pati probleme të mëdha. E pamë që Kuvendi, kur u diskutua për negociatat, ishte në prag të incidenteve", thotë Popov.

Ai shton se tash për tash kjo ka kaluar, porse ka qenë e pritshme që të ndodhin protesta shumë më të mëdha.

"Vuçiqi shpëtoi me kaq. Mendoj se Escobari dhe Lajçaku janë të vetëdijshëm se ky është maksimumi që mund ta bartë mbi supe kushdo që e udhëheq tash Serbinë dhe merr pjesë në bisedime. Ndërkaq, se çfarë mund të bëhet më tutje, mbetet të shihet në kohëra të tjera”, thekson Popov.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi synon normalizimin e plotë të raporteve. Lidhur me përfundimin e dialogut, të dy palët kanë qëndrime të kundërta.

Kosova kërkon që marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen nga Serbia. Ndërkaq Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Në letrën që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka dërguar Vuçiqit, më 15 shkurt, është thënë se liderët e Kosovës dhe Serbisë “do të bëjnë kompromise të vështira" për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG