Ndërlidhjet

Gjermania jep dritën jeshile për dërgimin e tankeve në Ukrainë


Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë një fjalimi pranë një tanku Leopard 2 në muajin tetor 2022.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë një fjalimi pranë një tanku Leopard 2 në muajin tetor 2022.

Qeveria gjermane ka konfirmuar se do t'i sigurojë Ukrainës tanke luftarake Leopard 2 dhe do të miratojë kërkesat e vendeve të tjera për të bërë të njëjtën gjë.

Kancelari Olaf Scholz tha të mërkurën se Gjermania "po vepron në koordinim të ngushtë" me aleatët e saj.

Scholz tha se vendimi për të dërguar tanke ishte “parimi i drejtë” pasi po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës.

Ai shtoi se aleatët perëndimorë do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën.

“Ne gjithmonë duhet të jemi të qartë për gjithçka që bëjmë dhe çfarë është e nevojshme dhe e mundur për të mbështetur Ukrainën. Por, në të njëjtën kohë ne po parandalojnë përshkallëzimin e luftës në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s”, tha Scholz para Parlamentit gjerman.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, falënderoi Scholzin për “vendimin e rëndësishëm dhe në kohë të duhur” të Gjermanisë, teksa shtoi se ka edhe “drita të gjelbra për partnerët që të na furnizojnë me armë të ngjashme”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenbeg, mirëpriti “fuqishëm” vendimin gjerman për tanket, duke thënë se kjo do të ndihmojë Kievin që të mposhtë forcat pushtuese ruse.

“Në një koment kritik të luftës së Rusisë, tanket do të ndihmojnë Ukrainën të mbrojë veten, të fitojë si një shtet i pavarur”, shkroi ai në Twitter.

Megjithatë, Rusia është shprehur e zemëruar me vendimin. Ambasadori rus në Gjermani, Sergei Nechayev, tha se ky vendim ishte “ekstrem i rrezikshëm”, duke akuzuar Berlinin se po pritet të “përshkallëzojë” konfliktin.

“Ky është një vendim shumë i rrezikshëm që e çon konfliktin në një nivel të ri”, tha ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Pesckov, tha se vendimet e Perëndimit, përfshirë edhe dërgimin e tankeve, po krijojnë një situatë “shumë, shumë të tensionuar” të sigurisë në Evropë dhe për botën në përgjithësi.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha më 25 janar se qëllimi është që të krijohen shpejt dy batalione me tanke Leopard 2 për Ukrainën, duke shtuar se Gjermania në hapin e parë do të sigurojë 14 tanke nga rezervat e veta ushtarake.

Trajnimi i trupave ukrainase për përdorimin e këtyre tankeve do të fillojë së shpejti dhe Gjermania, gjithashtu, do të sigurojë logjistikë dhe municione, tha Hebestreit.

Vendimi i shumëpritur pasoi njoftimin e zyrtarëve amerikanë se ishte arritur një marrëveshje paraprake që Shtetet e Bashkuara të dërgonin tanke M1 Abrams për të ndihmuar Kievin t'i zmbrapsë forcat ruse të vendosura në lindje të vendit.

Scholz kishte këmbëngulur se çdo lëvizje për t'i siguruar Ukrainës tanke të fuqishme Leopard 2 do të duhej të koordinohej ngushtë me aleatët e Gjermanisë, kryesisht Shtetet e Bashkuara.

Anëtarët e Qeverisë së koalicionit tre-partiak të Scholzit e mirëpritën lajmin përpara njoftimit zyrtar.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke Leopard do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë.

Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia dhe disa shtete të tjera pritet të dërgojnë tanket e tyre Leopard në Ukrainë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG