Ndërlidhjet

Përleshje mes Policisë dhe protestuesve në Podgoricë pas miratimit të Ligjit për Presidentin


Përleshje mes Policisë dhe protestuesve në Podgoricë, Mali i Zi. 12 dhjetor 2022.
Përleshje mes Policisë dhe protestuesve në Podgoricë, Mali i Zi. 12 dhjetor 2022.

Më 12 dhjetor, Parlamenti i Malit të Zi, pavarësisht rekomandimeve të Komisionit të Venecias, miratoi Ligjin e ndryshuar për Presidentin. Me miratimin e këtij Ligji, shumica aktuale parlamentare do të marrë një pjesë të kompetencave së presidentit në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Pas miratimit të Ligjit ka pasur incidente mes një grupi protestuesish dhe Policisë malazeze, të cilët qëndronin para ndërtesës së Kuvendit.

Qytetarët që kundërshtojnë miratimin e Ligjit, që nga orët e mëngjesit kanë protestuar para Kuvendit, ku një grup i të rinjve hodhën objekte te forta, si me gurë dhe mjete piroteknike, në drejtim të Policisë. Më pas, forcat policore hodhën gaz lotsjellës në drejtim të tyre.

Si rrjedhojë, rrethojat e Kuvendit të Malit të Zi janë thyer pjesërisht, si dhe xhami i derës hyrëse në objekt.

Predrag Vushuroviq, nga lëvizja " Aty jemi ne" [“Ima nas], e cila organizoi protestën, tha se miratimi i këtij Ligji konfirmon tradhtinë dhe paralajmëroi "bllokimin e të gjitha qyteteve malazeze në ditët në vijim".

Kjo është protesta e katërt kësaj lëvizje, por ato paraprake ishin të qeta.

Pse Ligji për Presidentin është i diskutueshëm?

Qëllimi i ndryshimeve të propozuara nga Fronti Demokratik pro-rus është që kandidati i tyre, Miodrag Lekiq, të zgjidhet kandidat për kryeministër i Qeverisë së re malazeze.

Këto ndryshime ia heqin një pjesë të kompetencave presidentit Millo Gjukanoviq.

Opozita, e udhëhequr nga partia e Gjukanoviqit, kërkon shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por shumica parlamentare, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus, po kërkon që të formohet një Qeveri e re që do të udhëhiqej nga Llekiqi.

Kuvendi miratoi Ligjin e ndryshuar më 2 nëntor, por Gjukanoviqi refuzoi ta nënshkruante atë. Sipas Kushtetutës, presidenti është i detyruar ta shpallë ligjin, pasi të jetë miratuar për herë të dytë në Kuvend.

Të hënën u miratua për herë të dytë ky Ligj, dhe nëse Gjukanoviq nuk e nënshkruan atë, kryetari i Kuvendit mund ta pubikojë Ligjin në Gazetën Zyrtare, i cili hyn më pas në fuqi.

Danijel Zhivkoviq, nga Partia Demokratike Socialiste e Gjukanoviqit tha se pasoja e miratimit të këtij ligji do të jetë izolimi ndërkombëtar i Malit të Zi dhe distancimi nga rruga evropiane.

Miratimi i Ligjit për Presidentin bie ndesh me rekomandimin e Komisionit të Venecias, i cili të premten tha që të “mos miratohen ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Malit të Zi, pasi ato në thelb do të përfaqësonin një ndryshim të Kushtetutës, me një shumicë më të vogël parlamentare se sa parashikohej”.

Mali i Zi është ende pa Gjykatë Kushtetuese

Paraprakisht sot parlamenti i Malit të Zi nuk arriti të zgjedhë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sepse asnjë nga katër kandidatët nuk mori numër të mjaftueshëm votash.

Për zgjedhjen e tyre votuan 42 deputetë, ndërkohë që duheshin 49 vota nga 81 deputetë që ka parlamenti malazez.

Në seancën e parlamentit nuk morën pjesë deputetët e opozitës.

Brukseli dhe Uashingtoni kanë kërkuar vazhdimisht zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Votimi i sotëm është tentativa e dytë për zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo gjykatë që nga shtatori nuk ka kuorum për vendimmarrje. Pa kuorumin e këtij institucioni nuk mund të shpallen rezultatet përfundimtare në rast të mbajtjes së zgjedhjeve.

Ambasada amerikane në Podgoricë bëri thirrje për rikthim të menjëhershëm në diskursin paqësor dhe konstruktiv.

Kriza politike në Mal të Zi kulmoi me rënien e qeverisë së Dritan Abazoviqit, pasi në mënyrë të njëanshme nënshkroi marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe, të cilën Partia Demokratike Socialiste e presidentit Gjukanoviqit dhe një pjesë e opozitës e konsideruan në kundërshtim me interesat kombëtare.

Bashkimi Evropian shprehu disa herë shqetësimin për situatën politike në Mal të Zi dhe bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të bllokadës së institucioneve dhe normalizimin e situatës në vend.

BE u bëri thirrje forcave politike të mos e tensionojnë më tej situatën dhe të punojnë për arritjen e një konsensusi ndërpartiak, si përparësi kryesore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG