Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha se nuk mund të pranojë propozimin që Miodrag Llekiq të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re të këtij vendi, sepse, sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme.
Gjukanoviq, në të njëjtën kohë, propozoi shkurtimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kuvendit të Malit të Zi, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.
“Nuk kam pasur përshtypjen se ekziston një shumicë e qartë për formimin e një qeverie, që do t’iu ofronte zgjidhje problemeve shumë të vështira në planin financiar, ekonomik, juridik, institucional dhe politik”, tha Gjukanoviq.
Partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, në gusht të vitit 2020 - Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe URA - ranë dakord të hënën vonë që Llekiq të jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re. Por, ato nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve - sa kanë bashkërisht në Kuvendin prej 81 ulësesh.
Gjukanoviq përmendi në mënyrë të veçantë aspektin e sigurisë, duke thënë se kriza aktuale në Evropë, e shkaktuar nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, ka implikime për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Gjukanoviq tha se në rrethana të tilla, propozimi për Llekiqin tregon “qëllimin për të blerë më shumë kohë në negociatat për ndarjen e portofoleve në Qeveri”, derisa shteti, në anën tjetër, “do të shembej edhe më shumë”.
Gjukanoviq tha se zgjidhja më optimale e kësaj situate politike është shkurtimi i mandatit të Kuvendit, që do të hapte mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Mali i Zi është me Qeveri teknike qysh në fund të gushtit.
Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq u votua në Kuvend pasi Abazoviq nënshkroi një marrëveshje kontroverse me Kishën Ortodokse Serbe.
Abazoviq, udhëheqës i partisë pro-evropiane URA, ka marrë detyrën në fund të prillit.
Partia e tij bashkë me Frontin Demokratik dhe Demokratët kanë formuar një përbërje tjetër qeveritare pas zgjedhjeve të gushtit, 2020.
Por, partnerët e atij koalicioni janë prishur - për shkak të qëndrimeve të kundërta për disa çështje - gjë që ka çuar pastaj në zgjedhjen e Abazoviqit.