Ndërlidhjet

Për shkak të vizës nuk…


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Me gjithë optimizmin që qytetarët e Kosovës kishin për lëvizje të lirë në zonën Schengen, takimet e grupit punues për viza të Këshillit të BE-së ku çështja e liberalizimit të vizave ishte temë diskutimi, sollën edhe një zhgënjim tjetër.
Pritjet në BE ishin që hapat formalë të kryhen deri në fund të vitit dhe pastaj të caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit.

Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të 23 nëntorit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

Arsyet për këtë ishin politike dhe u lidhën me situatën në veri të Kosovës.

"Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale", tha Presidenca çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje.

Sipas saj, diskutimi për këtë çështje do të mbahet më 30 nëntor.

Ende nuk është e qartë nëse marrëveshja e arritur në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç ishte kërkuar nga perëndimi, do të sjell ndonjë ndryshim pozitiv në miratimin e afatit për hyrjen në fuqi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Më 22 nëntor, këshilltarët për viza në Këshillin e BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës - një prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës - pasi Presidenca çeke e BE-së kishte propozuar fillimisht datën 1 dhjetor 2023.

Sipas propozimit të ri, "hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024".

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e BE-së. Ndërsa aplikimi për t’u pajisur me një vizë merr shumë kohë, ka kosto të madhe dhe jo rrallë përgjigjet janë negative. Refuzimi për një vizë, për shumë nga aplikuesit është i pakuptimtë.

Të kufizuar në këtë mënyrë, qytetarët nuk kanë humbur shumë mundësi, duke nisur nga vizitat për familjarët me sëmundje të ndryshme që trajtohen jashtë vendit, deri te festimi i ditëlindjeve në qytetet e tyre të preferuara.

Armir Krasniqi është njëri nga ta. Për 12 vjet Armiri nuk e ka takuar vëllain, i cili po trajtohet në Zvicër pas diagnostikimit me leukemi, pasi shteti zviceran ia ka refuzuar vizën katër herë.

Arsyen që Armiri e ka pranuar për refuzim të vizës, ishte për shkak të rrezikut që nuk do të kthehej në Kosovë, pavarësisht faktit siç thotë ai, se një nga herët e aplikimit i kishte dorëzuar të gjitha dokumentet që tregonin se ai duhej të kthehej pas vizitës.

“Herën e tretë kur kam aplikuar kam qenë i punësuar për një vit, kam pasur dëshmi nga Trusti, kontratë pune të vazhduar edhe për një vit, gjithashtu një letër nga kompania që më lejohet një muaj pushim, qarkullimin bankar dhe sërish refuzim”, thotë Armiri për Radion Evropa e Lirë.

“Është absurde”, thotë ai për gjithë këto refuzime, duke shtuar se është edhe futbollist i ligës së tretë dhe pjesë e një ansambli si valltar dhe instrumentist. Atij i është refuzuar viza edhe pas aplikimit përmes klubit të futbollit, me të cilin luan.

“Tash kam hequr dorë, sepse përveç shpenzimeve, po e shoh që e kanë vendosur të mos më japin vizë. Ende nuk më besohet, pse mua personalisht nuk më japin vizë”, thotë ai.

*Video: Qytetarët tregojnë se ku do të udhëtonin së pari pas liberalizimit të vizave

Pas procedurave të mundimshme nga korriku deri këtë javë, një ekonomiste nga Skenderaj sapo është pajisur me vizë gjermane, ndërsa nuk pranon t’i publikohet emri nga frika se mund të ketë ndonjë ndikim në udhëtimin e saj të planifikuar për shumë kohë. Ajo planifikoi të festonte ditëlindjen në Gjermani, por një gjë e tillë iu pamundësua për shkak të vonesave burokratike.

“Planifikimin për udhëtim e kam pasur në shtator dhe më kthehet përgjigja se viza është refuzuar për arsye se rezervimi për vendin ku do të qëndroja, nuk është i besueshëm”.

“Unë i jam drejtuar Ambasadës së Gjermanisë për t’u ankuar, më kanë sugjeruar të shkruaj ankesën me dorë dhe ta dërgoj. Unë kam vepruar ashtu si më është kërkuar dhe pas një muaji më kanë kthyer përgjigje se është pranuar ankesa dhe më është thënë të bëj një rezervim të ri për të udhëtuar me dy nëntor. I kam pritur deri më 31 tetor... dhe e anulova rezervimin ndërsa më 31 tetor më thanë se është aprovuar viza”, thotë ajo.

Gjithë këto pritje dhe tentime, kishin edhe kosto të madhe. Ndërsa, përfundimisht e pajisur me vizë, ajo nuk arriti ta festonte ditëlindjen në Gjermani.

“Nga korriku deri tash isha në procedurë [për vizë], ditëlindjen e festova në Prishtinë”, thotë ajo.

Era Çollaku ishte pranuar në një fakultet dhe kishte kontratë të nënshkruar pune në Gjermani. Megjithatë, ajo kurrë nuk vijoi studimet dhe hoqi dorë nga vendi i punës në atë shtet. Pas shumë përpjekjeve, Era aplikoi në një universitet italian, ku vazhdon studimet duke hequr dorë nga dëshira paraprake që kishte.

Ndërsa, Albulena Bakalli ndan me ne përvojën e saj kur pas pranimit si kandidate për doktoraturë në Kroaci, ishte pajisur me vizë vetëm për gjashtë ditë.

Këto histori i sjellim në kuadër të rubrikës Libertas, podkast i Radios Evropa e Lirë.

Për shkak të vizës nuk arrita të...
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:21:52 0:00

Liberalizimi i vizave bart disa rregulla që duhen ndjekur nga secili udhëtar.

Në këtë material shpjegues të koleges Valona Tela mund të mësoni më shumë për to:

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG