Ndërlidhjet

As sapunë e as çarçafë në disa klinika të QKUK-së


Dyshekë me shenja gjaku - disa të mbuluar me çarçafë e disa edhe pa ta.

Këtë pamje pa ekipi i Radios Evropa e Lirë në disa dhoma pacientësh të Klinikës së Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

REL qëndroi atje dy ditë në gjysmën e dytë të nëntorit.

“Dhe, nëse shkon në banjë me karrocë, nuk mund të hysh brenda, sepse dyert janë të ngushta. Aty nuk ka as letër, as sapun... Ne vetë duhet t’i blejmë”, tha një pacient i shtrirë në repartin e ortopedisë të kësaj klinike.

Disa pjesëtarë të stafit, që nuk deshën të identifikohen, pranuan se ka mungesa të gjësendeve - sipas tyre - të domosdoshme, dhe thanë se ato ua vështirësojnë punën.

“Nuk kemi as sapunë, as çarçafë”, tha një infermiere.

“Kirurgjia duhet të ketë çarçafë... [Pacientët] kanë rrjedhje të drenazhit, të qeses urinare... Nuk ka mundësi të ruhet një çarçaf, kur pacienti e ka gjithë atë drenazh”, tha ajo.

Një dyshek me njolla dhe pa çarçaf në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale. Nëntor, 2022.
Një dyshek me njolla dhe pa çarçaf në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale. Nëntor, 2022.

Në të njëjtat ditë, REL vizitoi edhe Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, ku në disa dhoma pa situatë të ngjashme.

“Kur kemi ardhur këtu, krevati ka qenë pa jastëk e pa mbulesë”, tha Lule Dragusha, e cila po kujdesej për nënën e saj të shtrirë në këtë klinikë.

“Na kanë thënë se duhet t’i sjellim nga shtëpia. Nuk e kemi ditur se si shkon kjo punë dhe i kemi sjellë”, tha ajo.

Kryeinfermierja e Klinikës së Pulmologjisë, Dafina Ramaj, i mohoi këto pretendime.

“Nëse dikush nga pacientët dëshiron t’i ketë çarçafët e vet, mund t’i sjellë, por duhet të jenë të bardhë. Përndryshe jemi të furnizuar mjaftueshëm”, tha Ramaj për REL-in.

Një nga dhomat e Klinikës së Pulmologjisë, ku shihet se pacientët kanë sjellë me vete çarçafët. Nëntor, 2022
Një nga dhomat e Klinikës së Pulmologjisë, ku shihet se pacientët kanë sjellë me vete çarçafët. Nëntor, 2022

Në mes të nëntorit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) - përgjegjëse për inspektime të ndryshme sanitare në Kosovë - urdhëroi mbylljen e disa hapësirave në QKUK për shkak të, siç tha, mosplotësimit të kushteve higjienike-sanitare.

“Janë mbyllur këto hapësira: Klinika e Fiziatrisë, dy dhoma të Klinikës së Dermatovenerologjisë dhe reparti i oftalmologjisë”, konfirmoi Inspektorati Sanitar i AUV-it për REL-in.

Shërbimet e tyre janë bartur në klinika të tjera, derisa kushtet në hapësirat e mbyllura të përmirësohen.

Sipas AUV-it, në disa klinika të QKUK-së ka edhe “mungesë të ujit të ngrohtë dhe të mjeteve për higjienë personale” - gjëra të cilat i vërejti edhe vetë ekipi i REL-it.

Si masa për rritjen e nivelit të higjienës, AUV-i, mes tjerash, kërkoi që të menaxhohet frekuentimi i vizitorëve në hapësirat e QKUK-së, si dhe të sigurohet ujë i ngrohtë aty ku mungon.

Çarçafët e papastër në korridoret e Klinikës së Pulmologjisë. Nëntor, 2022
Çarçafët e papastër në korridoret e Klinikës së Pulmologjisë. Nëntor, 2022

Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) - institucion përgjegjës për menaxhimin e aktiviteteve dhe blerjeve në QKUK - nuk dhanë përgjigje direkte në pyetjen se përse situata me higjienën në këtë institucion është e tillë.

“Sektori i prokurimit në QKUK ka iniciuar procedura për furnizim me material higjenik, për nevojat e klinikave dhe sektorëve në kuadër të QKUK-së, ku përfshihen: letër për duar, letër tualeti 100% celulozë e bardhë dhe shamponë për duar me shkumë”, tha drejtoria e përgjithshme e SHSKUK-së në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.

Ajo nuk dha detaje se kur pritet të kompletohen këto furnizime.

Një nga laboratorët në Klinikën e Pulmologjisë, ku bëhet analiza e baciloskopisë. Nëntor 2022
Një nga laboratorët në Klinikën e Pulmologjisë, ku bëhet analiza e baciloskopisë. Nëntor 2022

Për pastërtinë e klinikave në QKUK është e angazhuar edhe një kompani private, nga e cila konfirmuan se obligim kanë vetëm “largimin e mbeturinave nga repartet” dhe “pastrimin e dyshemeve dhe të dritareve”.

Mungesa e higjienës, shkak i infeksioneve

Profesionistët shëndetësorë tërheqin vërejtjen se mungesa e higjienës çon edhe në infektime brendaspitalore.

“Rreziku i paraqitjes së infeksioneve është i mundshëm”, thotë për REL-in kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani.

“Infeksionet mund të paraqesin probleme të mëdha edhe për stafin shëndetësor”, shton ai.

Për të minimizuar rreziqet e tilla, Ramadani thotë se duhet të shtohen kontrollet sanitare.

Në fund të vitit 2021, Radio Evropa e Lirë ka raportuar për rastin e Remzi Rashicës, nga qyteti i Vushtrrisë, i cili ka thënë se për shkak të një infeksioni të marrë në Klinikën e Ortopedisë, ai jeton me këmbë të amputuar.

Klinikat infektuese të QKUK-së
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:08:04 0:00

Një raport i mëhershëm i Ekipit për Kontroll të Infeksioneve Brendaspitalore në QKUK gjeti se gjatë vitit 2020, në klinika të ndryshme të këtij institucioni, u infektuan 356 pacientë.

Sipas raportit, një nga infeksionet më të shpeshta është sepsa, e cila përhapet përmes gjakut dhe mund të shkaktojë dëme afatgjate në mushkëri dhe organe të tjera.

Mosrespektimi i masave higjienike u tha se është një nga arsyet kryesore për këtë.

REL ka raportuar më herët edhe për mbipopullimin e klinikave të QKUK-së me familjarë që kujdesen për pacientët.

Udhëheqësit e disa klinikave kanë pranuar se në mungesë të stafit të infermierisë, kanë nevojë për ndihmën e familjarëve, por jo të një numri të madh të tyre.

Në muajin shtator, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka formuar Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, përgjegjësitë e të cilit është thënë se do të përfshijnë zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë.

Nuk ka ende ndonjë informacion zyrtar në lidhje me të arriturat e mundshme të këtij komisioni.

Kosova është me ushtruese detyre të ministres së Shëndetësisë nga muaji tetor, kur ministri Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG