Ndërlidhjet

Marrëveshja e re që pritet ta lehtësojë krizën globale të ushqimit


Zante, një anije mallrash që transportonte grurë ukrainas, duke kaluar transit në Bosfor, Stamboll, Turqi, nëntor 2022.
Zante, një anije mallrash që transportonte grurë ukrainas, duke kaluar transit në Bosfor, Stamboll, Turqi, nëntor 2022.

Reuters

Një marrëveshje për të lejuar vazhdimin e eksporteve jetike të drithërave nga portet jugore të Ukrainës në Detin e Zi - e cila do të skadonte më 19 nëntor – është zgjatur edhe për katër muaj të tjerë, duke zbutur shqetësimet për furnizimin me ushqime në botë, ndërsa frika nga inflacioni rritet.

Marrëveshja, e arritur fillimisht në korrik, krijoi një korridor të mbrojtur transiti detar dhe ishte projektuar për të lehtësuar mungesat globale të ushqimit duke lejuar rifillimin e eksporteve nga tri porte në Ukrainë, një prodhues i madh i drithërave dhe farave të vajit.

Këto janë disa nga çështjet kryesore:

Çfarë është eksportuar?

Pakti krijoi një rrugë të sigurt transporti për eksportet nga tri porte në Ukrainë.

Deri më tani, janë dërguar rreth 11.1 milionë tonë produkte bujqësore, përfshirë 4.5 milionë tonë misër.

Dërgesat e grurit kanë arritur në 3.2 milionë tonë, ose 29 për qind të totalit. Mallra të tjera të dërguara përfshijnë farat e rapit, vajin e lulediellit,

Si mund të ndryshojë marrëveshja?

Zgjatja prej 120 ditësh e marrëveshjes ishte më pak se ajo njëvjeçare e kërkuar nga Kombet e Bashkuara dhe nga Ukraina.

Kievi kishte kërkuar që të zgjerohej marrëveshja në mënyrë që të përfshiheshin më shumë porte, megjithëse kjo nuk u përfundua në këtë fazë.

Tri portet e përfshira në marrëveshje - Odesa, Çornomorsk dhe Pivdennyi - kanë kapacitetin e përbashkët për të transportuar rreth tre milionë tonelata në muaj.

Ukraina dëshironte të përfshinte portet e rajonit jugor të Mikolajivit, të cilat siguronin 35 për qind të eksporteve të ushqimit ukrainas përpara pushtimit të Rusisë.

Mikolajivi ishte terminali i dytë më i madh i drithit në Ukrainë sipas të dhënave të dërgesave të vitit 2021, kështu që përfshirja e tij në marrëveshje do të lejonte dërgimin e një vëllimi shumë më të madh të drithërave dhe farave vajore.

Ukraina kishte kërkuar, gjithashtu, një regjim të thjeshtë inspektimi.

Rusia ka thënë më parë se pajtimi i saj për të zgjatur marrëveshjen e drithërave, në Detin e Zi varej nga mbështetja për eksportet e saj të grurit dhe plehrave kimike. Rusia është një prodhues i madh bujqësor dhe eksportuesi më i madh në botë i grurit.

Ndër tjerash, Rusia besohet se kërkoi që Perëndimi të lehtësojë kufizimet ndaj huadhënëses shtetërore të bujqësisë “Rosselkhozbank”, një lëvizje kjo që do të ndihmonte në lehtësimin e më shumë eksporteve ruse.

Ministria e Jashtme e Rusisë konfirmoi zgjatjen 120-ditore pa asnjë ndryshim në marrëveshjen aktuale. Ajo shtoi se Moska supozon se shqetësimet e saj për kushte më të lehta për eksportet e saj të grurit dhe plehrave do të merren plotësisht parasysh në periudhën e ardhshme.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka qenë një aktor kryesor në arritjen e marrëveshjes, tha se eksportet ruse të grurit mund të përpunohen në miell në Turqi dhe më pas të dërgohen në Afrikë për të ndihmuar në lehtësimin e mungesës së ushqimit atje.

A e ka zbutur krizën ushqimore?

Rënia e dërgesave nga një eksportues kryesor si Ukraina ka luajtur një rol në krizën globale të çmimeve të ushqimit të këtij viti, por ekzistojnë edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm.

Këtu përfshijmë pandeminë e COVID-19 dhe krizat klimatike që vazhdojnë të sfidojnë prodhimin bujqësor, kryesisht thatësirat e fundit në Argjentinë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Korridori detar ka sjellë një rikuperim të pjesshëm të dërgesave nga Ukraina, por ato mbeten ende nën nivelet e parapushtimit dhe nuk do të rikuperohen plotësisht në të ardhmen e afërt.

Transporti i drithërave në portet ukrainase mbetet sfidues dhe i shtrenjtë, ndërkohë që fermerët ukrainas kanë reduktuar mbjelljet e kulturave të tilla si gruri, pasi në shumë raste kanë shitur të korrat e vitit të kaluar me humbje, me çmimet e brendshme që mbeten shumë të ulëta.

A janë ulur çmimet globale të grurit?

Çmimet e grurit në Bordin e Tregtisë së Çikagos u rritën ndjeshëm si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, por tashmë janë rreth niveleve të paranisjes së konfliktit.

Aftësia e Ukrainës për të eksportuar miliona tonë grurë përmes korridorit detar ka qenë një element që i ka ulur çmimet.

Faktorë të tjerë përfshijnë një prodhim rekord të këtij viti nga eksportuesi kryesor, Rusia, perspektiva e zymtë ekonomike globale dhe forcimi i dollarit.

Por, çmimet për produktet ushqimore me bazë gruri, siç është buka, mbeten shumë mbi nivelet e para luftës në shumë vende në zhvillim, pavarësisht rënies në bursën e Çikagos, për shkak të monedhave të dobëta lokale dhe çmimeve më të larta të energjisë, të cilat kanë rritur kostot si transporti dhe paketimi.

Çfarë ndodh me minat e detit?

Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për vendosjen e shumë minave detare që tani pluskojnë rreth Detit të Zi. Këto paraqesin një kërcënim të rëndësishëm dhe u përmendën si e vetmja gjë që i frikësohej një anëtar ekuipazhi me flamur të Sierra Leones, anija e parë që kaloi nëpër rrugën detare më 1 gusht.

Minat janë larguar nga brigjet e Ukrainës, me ekipe zhytjeje ushtarake rumune, bullgare dhe turke që kanë çaktivizuar disa sosh që kishin përfunduar në ujërat e tyre.

Mund të duheshin muaj për t'i pastruar ato dhe nuk kishte kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë përpara se të hynte në fuqi pakti i drithërave.

Po kompanitë e sigurimeve?

Qendra e Përbashkët e Koordinimit me bazë në Stamboll, e cila mbikëqyr marrëveshjen dhe përbëhet nga zyrtarë turq, rusë, ukrainas dhe ata të OKB-së, publikoi në gusht procedurat e kalimit në kanalin e transportit, i cili synon të lehtësojë shqetësimet e kompanive të sigurimeve dhe të pronarëve të anijeve.

Kompanitë e sigurimeve fillimisht thanë se ishin të gatshëm të siguronin mbulim nëse kishte marrëveshje që garantonte shoqërimin e anijeve nga marina ndërkombëtare dhe një strategji të qartë për çaktivizimin e minave detare.

Që atëherë, ata kanë krijuar klauzola për sigurimin e mbulimit, duke përfshirë kushtet që anijet duhet të qëndrojnë brenda korridorit kur kalojnë transit ose rrezikojnë të zhvlerësojnë politikat e tyre.

Pas marrëveshjes së 22 korrikut, siguruesi i Lloyd's të Londrës Ascot dhe ndërmjetësi Marsh ngritën një objekt sigurimi të ngarkesave detare dhe luftës për drithërat dhe produktet ushqimore që lëviznin nga portet e Detit të Zi të Ukrainës me mbulim prej 50 milionë dollarësh për udhëtim.

Kostoja e sigurimit të përgjithshëm për anijet që lundrojnë në portet e Ukrainës - që përfshin segmente të veçanta të mbulimit - ka të ngjarë të mbetet e ulët.

Po ekuipazhet e anijeve?

Në shtator, Ukraina zbatoi një dekret që lejonte detarët e saj të largoheshin nga vendi, pavarësisht kufizimeve të kohës së luftës. Ky ishte një veprim që synon të çlirojë fuqinë punëtore të nevojshme, si për eksportet e drithit ukrainas, ashtu edhe për industrinë e gjerë globale të transportit.

Në fillim të konfliktit kishte rreth 2000 detarë nga e gjithë bota të bllokuar në portet e Ukrainës. Shoqata Ndërkombëtare e Dhomës së Transportit vlerësoi se kjo shifër kishte rënë në rreth 346 marinarë që nga 27 tetori.

Përgatiti: Besmir Nenaj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG