Kompania serbe, Elektrosever, nuk i ka plotësuar kushtet që i përcakton Udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë nga afati i paraparë, thonë zyrtarë të institucioneve të Kosovës.
Kjo kompani është licencuar më 24 qershor nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.
Elektrosever-i i ka pasur 100 ditë kohë për plotësimin e kushteve që do t’i mundësonin të operonte në tregun e Kosovës. Nga data e lincencimit kanë kaluar 116 ditë.
ZRRE-ja nuk jep ndonjë përgjigjeje të qartë se si do të veprojë me këtë kompani, por i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ka rrezik që Elektrosever-it “t’i tërhiqet licenca”.
Lajçak i ka bërë komente në një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 13 tetor në Prishtinë, ndërsa katër ditë më vonë, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se çështja e energjisë kërkon “zgjidhje urgjente”.
Licencimi i Elektrosever-it ka qenë i paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e saj është bërë me 21 qershor.
Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë - EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.
Bazuar në kushtet e Udhërrëfyesit, kjo kompani, mes tjerash, është dashur të nënshkruajë marrëveshje teknike me Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë - KEDS, si dhe me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike - KOSTT. Po ashtu, është dashur t’i dorëzojë ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes, si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizën e infrastrukturës ekzistuese.
Në një deklaratë nga KOSTT-i dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet se “deri më tani, nuk ka pasur progres në zbatimin” e pikave të Udhërrëfyesit.
Nga ZRRE-ja, ndërkaq, thonë shkurtimisht për REL-in se “do të veprojnë në harmoni të plotë me obligimet që rrjedhin nga Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë”.
Sipas Udhërrëfyesit, në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditëve të lëshimit të licencës, ZRRE-ja mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për Elektrosever-in, ndonëse para këtij vendimi duhet të ketë konsultime me palët, nën ndërmjetësimin e BE-së, brenda një afati kohor prej 15 ditësh.
BE-ja, më pas, do të ofronte opinionin e ekspertëve, nëse do të kërkohej së paku prej ndonjërës palë.
REL i është drejtuar edhe kompanisë Elektrosever rreth kësaj çështjeje, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.
Çeku: ZRRE duhet t’ia pezullojë licencën Elektrosever-it
Eksperti i çështjeve energjetike, Ethem Çeku, njëherësh ish-ministër i Energjisë në Kosovë, thotë se ZRRE-ja duhet t’ia pezullojë licencën Elektrosever-it.
Por paraprakisht, shton ai, duhet të informohen të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare se Elektrosever nuk i ka përmbushur kushtet.
“Nuk duhet të bëjmë veprime aty për aty, por duhet të paraprijë një fushatë e gjerë informuese mbi koston, mbi shpenzimet, në këtë kohë të madhe të krizës energjetike që mbizotëron në botë”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.
Ku qëndron problemi me rrymën në veri?
Kompania Elektrosever është paraparë të bëjë furnizimin dhe faturimin e rrymës së shpenzuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Banorët e tyre - shumica serbë - nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga përfundimi i luftës, më 1999.
Refuzimi ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.
Deri në fund të vitit 2017, rrymën e shpenzuar në veri e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët kanë marrë fatura me rritje. Nga 2017-ta e këndej - për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve - përgjegjësia për pagesën ka kaluar te Qeveria e Kosovës.
Vetëm për pesë vjet (2017-2021), institucionet e Kosovës kanë paguar mbi 70 milionë euro për rrymën e shpenzuar në komunat në veri.
Deri në vitin 2017, ajo pjesë është furnizuar me rrymë nga KEDS-i; nga 2017-ta e këndej, furnizimin e bën nënstacioni i Vallaçit, i cili është në pronësi të KOSTT-it.
Çeku thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i gjejë zgjidhje “veprimit politik” të popullatës shumicë në veri.
“Mospagesa e energjisë që bën komuniteti serb në atë pjesë, është krejtësisht veprim politik, nuk është veprim ekonomik e social... Problemi është se ajo pjesë nuk e njeh sektorin energjetik të Kosovës dhe nuk e paguan energjinë”, thotë Çeku.
A janë të gatshëm qytetarët në veri të paguajnë për rrymën e shpenzuar?
Disa qytetarë të Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se nuk janë të gatshëm t’i paguajnë faturat e rrymës.
“Prej nga? Nuk kam të holla për diçka të tillë. Nuk e di se çfarë të bëj. Nuk kam me çka, nuk punoj askund dhe jam i lajmëruar në byronë për punësim”, thotë një qytetar që u identifikua vetëm si Nebojsha.
Dragan Antoviq thotë se rryma duhet paguar, por se nuk ka para.
“Unë jam pensionist, pensioni është i vogël... Unë nuk mund ta paguaj [rrymën] sigurisht, nuk kam pension të madh, nuk kam asgjë, çfarë të bëj, çfarë të ha”, shprehet Antoviq.
Lilana thotë se rryma duhet të paguhet dhe se “nuk e di nëse ka ndonjë vend në botë ku nuk paguhet”.
“Fakti që nuk paguhet rryma, është vetëm vullnet i mirë i Serbisë apo... Dikush po e bën një shërbim të mirë dhe unë nuk po e marr vesh këtë punë”, thotë Lilana.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në rast të dështimit të marrëveshjes për Elekstrosever-in, Qeveria e Kosovës nuk do të ketë mundësi që në vjeshtë të vazhdojë të paguajë rrymën në veri.
Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi, konfirmon për REL-in se “Qeveria e ka bërë të qartë qëndrimin se nuk do ta mbulojë më koston e shpenzimeve të konsumit të energjisë elektrike në veri të vendit”.
KOSTT, po ashtu, thotë se nuk ka mjete për të mbuluar shpenzimet atje.