Ndërlidhjet

Pedofilia, e paevidentuar në Kosovë


Disa persona shihen duke mbajtur mbishkrime në duar në sheshin e Tiranës, gjatë protestave pasi u bë publik rasti i dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë nga pesë të dyshuar. 31 gusht 2022.
Disa persona shihen duke mbajtur mbishkrime në duar në sheshin e Tiranës, gjatë protestave pasi u bë publik rasti i dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë nga pesë të dyshuar. 31 gusht 2022.

Në organizatën ndërkombëtare Pedofilët e Virtytshëm (VIRPED) është i regjistruar së paku një person nga Kosova.

Nick Devin - emër imagjinar - është njëri ndër themeluesit e kësaj organizate online, ku mund të anëtarësohen të gjithë njerëzit që tërhiqen seksualisht nga fëmijët.

I martuar dhe me katër fëmijë, Devin e cilëson pedofilinë si një “problem shëndetësor”, të cilin, siç thotë, është mësuar ta menaxhojë.

“E konsideroj pedofilinë të ngjashme në disa aspekte me diabetin. Është një problem serioz kronik, por është i menaxhueshëm”, shkruan 60-vjeçari në profilin e tij në ueb-faqen e VIRPED-it, duke shtuar se ai tërhiqet nga djemtë në fazat e hershme të pubertetit.

Nga kjo organizatë bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se një person, i regjistruar aty, “ka treguar se është me lokacion në Kosovë”, por, siç thonë, ka “edhe shumë anëtarë të tjerë, për të cilët nuk jemi në dijeni se ku jetojnë”.

A është pedofilia krim?

Kërkimi i fjalisë “Pedofilia në Kosovë” në makinën kërkuese Google sjell rezultate për numrin e abuzimeve seksuale me fëmijë dhe madje edhe lajme për “dënimet potenciale” për pedofili me Kodin Penal të Kosovës.

Megjithatë, Afërdita Goçi, psikiatër e fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thekson se ky është një keqinterpretim i pedofilisë si fenomen.

“Duhet të ketë kujdes në interpretimin e rasteve të pedofilisë, për shkak se ekzistojnë kritere, në bazë të së cilave ne e përcaktojmë se a është pedofil një person apo jo. Jo çdo person që kryen dhunim ndaj fëmijëve konsiderohet pedofil”, shprehet Goçi për Radion Evropa e Lirë.

Termi pedofili përfshin njerëzit që tërhiqen seksualisht nga fëmijët para moshës së pubertetit, ndërsa termi hebefili përfshin ata që tërhiqen nga fëmijët në moshën e pubertetit.

Instituti amerikan Kombëtar i Shëndetit e definon pubertetin si periudhën kur një vajzë apo djalë piqet seksualisht. Ky proces vlerësohet se ndodh mes moshës 10 dhe 14-vjeçare te vajzat dhe 12 dhe 16-vjeçare te djemtë.

Në 22 vjetët e saj si psikiatër, Goçi thotë se nuk ka pasur asnjëherë rast të pedofilisë. Ajo shton se në Kosovë nuk është bërë asnjë hulumtim apo mbajtur ndonjë evidencë për numrin e pedofilëve në vend.

Kodi i vjetër Penal i Kosovës kishte nene të veçanta për abuzime me fëmijë, ndërsa në Kodin e ri Penal, që ka hyrë në fuqi në vitin 2019, këto vepra janë vetëm si pjesë përbërëse e neneve për ngacmim seksual, sulm seksual dhe dhunim. Megjithatë, numri i rasteve të abuzimit seksual me fëmijë nuk tregon numrin e rasteve të pedofilisë.

Arsyeja pse pedofilia në vetvete nuk cilësohet krim është sepse “jo çdo pedofil vepron ndaj fantazive të veta seksuale dhe ligji merret vetëm me ata që veprojnë”, siç thotë Goçi.

Sipas saj, mediat elektronike shpërndajnë informata të pasakta kur barazojnë dhunimet ndaj personave të mitur me pedofilinë.

“Këta fëmijë mund të jenë dhunuar edhe nga persona që nuk janë pedofilë sipas kritereve, por nga persona që mund ta kenë shfrytëzuar rastin edhe fuqinë që e kanë në raport me fëmijën. Por, ata jo domosdoshmërisht janë pedofilë”, shton Goçi.

Si mund të trajtohen pedofilët?

Përderisa Goçi nuk ka trajtuar asnjë rast të pedofilisë në karrierën e saj, një kosovar ka kërkuar ndihmë në organizatën VIRPED, që, siç thuhet, ka si mision “përmirësimin e jetës së pedofilëve, por asnjëherë në dëm të mirëqenies së fëmijëve”.

Përderisa vendet si SHBA-ja dhe Britania e Madhe ofrojnë trajtim për pedofili vetëm kur dikush ka kryer vepër penale, Gjermania është i vetmi vend në botë që ofron terapi falas dhe konfidenciale për pedofilët.

Protesta pas dhunimit të 11-vjeçares
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:27 0:00

Maximilian von Heyden, nga Instituti i Seksologjisë dhe Mjekësisë Seksuale në Universitetin e Berlinit, tregon se përse Gjermania e ndërmori këtë hap, ku aktualisht po trajtohen vullnetarisht mbi 1.500 pedofilë.

“Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që janë në rrezik të kryejnë vepra penale të abuzimit të fëmijëve, mund të marrin shërbime terapeutike nëse atyre u garantohet konfidencialiteti dhe nëse fokusi është te përmirësimi i mirëqenies psikologjike dhe uljes së rrezikut të kryerjes së veprave penale”, thotë von Heyden për Radion Evropa e Lirë.

Trajtimi, të cilin e marrin pedofilët që vullnetarisht marrin pjesë në Terapinë e Berlinit për Diseksualitet (BEDIT), bazohet në vetëdijesimin e pjesëmarrësve për problemin e tyre dhe përmirësimin e vetëkontrollit përmes shërbimeve terapeutike dhe medikamenteve që ulin dëshirën seksuale.

Edhe pse nuk ka pasur asnjëherë detyrë trajtimin e një pedofili, Goçi i përmend pikërisht këto trajtime si opsione potenciale, duke shtuar se “nuk mund të pritet që të ndërrohet preferenca e tyre seksuale, por qëllimi është vetëm që ata të mos veprojnë mbi fantazitë e tyre seksuale”.

Pasojat e stigmatizimit të pedofilisë

Në Kosovë nuk ka të dhëna për numrin e rasteve të pedofilisë.

Sipas Qendrës Kombëtare për Informata Bioteknologjike, të financuar nga Qeveria amerikane, pedofilia prek rreth 1% të popullsisë, por mund të arrijë deri në 5% kur merren parasysh vetëm burrat.

Numri i saktë është vështirë të dihet pasi që pedofilët ngurrojnë të flasin për problemin e tyre. Kjo mbetet ende temë tabu, sipas VIRPED-it. Nga kjo organizatë thonë se pasojat e këtij stigmatizimi i vuajnë fëmijët.

“Stigmatizimi i pedofilisë shkon në favor të abuzuesve, pasi që është bërë një akuzë aq serioze të sugjerosh që dikush është pedofil, saqë disa abuzues (qofshin pedofilë ose jo) arrijnë të përfitojnë nga hezitimi i të tjerëve për ta bërë atë pyetje. Kjo është në dëm të viktimave”, thonë nga organizata Pedofilët e Virtytshëm.

Për t’i mbrojtur fëmijët, disa vende kanë vendosur të krijojnë regjistër publik me të dhënat e personave të dënuar për krime seksuale ndaj fëmijëve. Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe dhe SHBA-ja janë ndër vendet që kanë regjistra të tillë, ndërsa në Kosovë regjistrat e tillë janë kërkuar për të gjithë abuzuesit seksualë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG